Shkodran Mustafi, një kampion dhe në jetë

Nëse deri tani keni njohur vetëm dy kampionët e botës në Brazil, të cilët aktivizohen në kampionatin spanjoll (Toni Kros dhe Sami Kedirën), duhet të dini se është edhe një i tretë.
Është pikërisht Shkodran Mustafi, i cili ka vonuar në debutimin me Valencian, për shkak se gjatë Kampionatit Botëror Brazil 2014, ai pësoi një dëmtim në takimin kundër Algjerisë.
Skuadra e Valencias i pagoi tetë milionë euro italianëve të Sampdorias për mbrojtësin elegant, i vetmi futbollist i kombëtares gjermane që vendos një yll në gjoks pa luajtur asnjë takim në Bundesligë.
Shkodran Mustafi është djalë dhe nip shqiptar, megjithatë ai thotë se ndihet gjerman, dhe për këtë arsye zgjodhi të përfaqësojë këtë kombëtare.
“Marca” shkruan se mbrojtësi refuzoi një ftesë nga trajneri i kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, shkurtin e kaluar, një vendim ky që e bëri të cilësohej “tradhtar” nga bashkëkombësit e tij.
“Familja ime është nga Shqipëria, por unë kam lindur dhe rritur në Gjermani, që nga akademia U-15 deri te U-21, prandaj e dua Gjermaninë, sepse më ka bërë mua atë që unë jam sot. Nuk ka qenë një zgjedhje e vështirë, pasi ftesa e Shqipërisë erdhi kur unë e kisha marrë vendimin”, ka thënë Shkodran Mustafi.
Mbrojtësi i talentuar ka folur gjithashtu edhe për jetesën e vështirë që ka kaluar familja e tij si emigrantë në Gjermani.
“Kemi patur vite të vështira për jetesën, sepse babai im nuk arrinte të gjente punë për të na siguruar ushqim. Tashmë dua që prindërit e mi të jenë të lumtur, sepse kanë vuajtur shumë për të dhënë më të mirën për mua.”
Shqipëria një “minierë” futbollistësh
Mbrojtësi Mustafi i përket një kaste futbollistësh që nga prejardhja mund të kishte zgjedhur Shqipërinë por që nuk e kanë bërë. Lojtarë të tjerë me origjinë shqiptare që kanë zgjedhur përfaqësuese të tjera janë Adnan Januzaj i cili ka zgjedhur Belgjikën apo Xhaka, Shaqiri, Behrami, Xhemaili që luajnë për Zvicrën.
Mustafi thotë se, Shqipëria ka një koncept të gabuar në afrimin e futbollistëve në kombëtare. “Shqipëria duhet që talentet ti thërrasë qëkur ata janë në moshë të vogël, por kjo ndodh vetëm kur ata bëhen të mëdhenj. Kur futbollistët janë cilësorë, të gjithë i duan, prandaj mendoj se është diçka e gabuar.”
Si nisi karriera e Shkodran Mustafit
Mbrojtësi është një produkt i pamohueshëm i futbollit gjerman. Ai shkëlqeu në ekipe të vogla deri kur Hamburgu e mori atë në moshën 14-vjeçare për ta rritur në akademi. Shumë shpejt shqiptari arriti të luante me grupmoshat e Gjermanisë.
Në moshën 17-vjeçare ai u ble nga Evertoni në Angli, i cili më pas u transferua te italianët e Sampdorias në “Serinë B”. Sezonin e kaluar Mustafi ishte një shtyllë në ekipin xhenovez, që drejtohej nga tekniku Sinisha Mihajloviç në “Serinë A”.
Ftesa nga Shqipëria vuri në alarm trajnerin Joakim Lev i cili, pas dëmtimit të Marko Rojsh, vendosi ta grumbullojë Mustafin në kombëtaren e madhe të Gjermanisë. Mbrojtësi elegant ka luajtur tre takime me Gjermaninë, përpara se të dëmtohej kundër Algjerisë.
Megjithatë pas finales festoi si kampion bote me pjesën tjetër të skuadrës./Shekulli/