RCCOLA

Shkëmbimi i territoreve, ide e rrezikshme!

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Tetovë – Ide të rrezikshme për stabilitetin e rajonit e kanë cilësuar kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ai i Preshevës, Ragmi Mustafa, deklaratën e kryeministrit serb Daçiq për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Pas takimit të realizuar në selinë e BDI-së në Tetovë, Ahmeti tha se Serbia nuk duhet të mendojë për ndryshimin e kufijve por të njohë pavarësinë e Kosovës, veprim ky që do t’i ndihmonte paqes dhe stabilitetit të rajon.

“Mendoj që është një tezë shumë e rrezikshme për mbarë rajonin dhe ka efekt domino. Unë mendoj se deklarata e fundit e Daçiqit është mbase për të vonuar arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që Beogradi duhet të jetë shumë më i përgjegjshëm sa iu takon kufijve. Beogradi duhet të njohë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës sepse kështu ndihmohet paqja dhe stabiliteti në rajon”, deklaroi Ahmeti.

Për Ragmi Mustafën, deklaratat e këtilla të Daçiqit më tepër kanë të bëjnë me frikën e tij nga përballja me realitetin në Bruksel. Mustafa ka rikujtuar edhe referendumin e qytetarëve të Preshevës të vitit 1992 për autonomi dhe mundësi për bashkëngjitje me Kosovën por, sipas tij, kjo assesi nuk duhet të ndërlidhet me shkëmbime territoresh, transmeton Alsat-M.

Mobi Casa

“Qëllimi thelbësor i tij është që ti ikë përgjegjësisë dhe sfidës që e pret në Bruksel, sepse është i detyruar të nënshkruajë një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Kosovën dhe, gjithnjë kur është në sfida politike, ai lëshon një tezë krejtësisht tjetër, në mënyrë që t’i ikë asaj përgjegjësie ose t’i nxisë shqiptarët e Luginës së Preshevës për ndonjë përshkallëzim të mundshëm të dhunës apo përshkallëzim politik, në mënyrë që të merret me sanimin e situatave të krizës në Luginë të Preshevës, në vend që të merret me sanimin e krizës që është në Beograd sot”, tha kreu i Preshevës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq thirrjen për shkëmbim territoresh mes shtetit të tij dhe Kosovës e kishte bërë në një intervistë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Në takimin mes Ahmetit dhe Mustafës është biseduar edhe për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e hapjes së një pike të re kufitare në vendkalimin Llojan – Stançiç, me çka të dy palët kanë shprehur gatishmërinë për realizimin e këtij projekti.