Shkëlqeu piktorja nëntëvjeçare dhe moshatarët e saj instrumentistë

Në QSHKI Kreuzlingen, u hap ekspozita e piktores së vogël Abetare Berila dhe u mbajtën garat e instrumentistëve të vegjël
Nuk thuhet kot se në vendin e huaj, talentet janë ambasadorët më të mirë të një kombi. Se komuniteti shqiptar ka talente të rralla në fusha të ndryshme, është dëshmuar që moti. Kjo u dëshmua edhe njëherë të dielën në Kreuzlingen, në Qendrën Shqiptare për Kulturë dhe Integrim, të cilën e udhëheq Tomë Berisha.
Kjo qendër edhe kësaj radhe mblodhi talente të muzikës, solistë e instrumentistë të rinj me kitarë, piano, flaut etj. Ata garuan me nga dy ekzekutime obligative dhe nga një sipas dëshirës, të veprave të autorëve shqiptarë dhe botërorë. Këtë takim të artdashësve e udhëhoqi Rrustem Selca, që ka profesion baletin dhe që është veprimtar i kësaj qendre.
Gara u zhvillua në atmosferë të ngrohtë dhe e përcjellë me emocione krenarie për këta talentë që mahnitën të pranishmit. Ndërsa juria e udhëhequr nga Behxhet Sallahu, pedagog, udhëheqës i grupit muzikor “Besa”, Magribe Ahmeti Bibaj, muziciente dhe këngëtare si dhe Afrim Aliu këngëtar, pati një punë jo të lehtë, për të bërë vlerësimin e garuesve.
Vendi i parë i takoi pianistit shumë të talentuar Valon Aliu, vendi i dytë Dëborë Xhaka si dhe vendi i tretë kitaristes Nora Selca, talenti i së cilës premton shumë. Të gjithë fëmijëve pjesëmarrës, të cilët me talentin e tyre treguan se muzika ishte ushqimi pazëvendësueshëm i shpirtit të tyre, ju ndanë edhe shpërblime për pjesëmarrje.
Por, krahas pjesës muzikore, në këtë takim padyshim protagonistja kryesore ishte vogëlushja për të cilën u shfaq edhe një film i shkurtër në gjuhën gjermane. Ajo ndonëse në moshë shumë të njomë, ka arritur të zgjojë kërshërinë e shumë artdashësve si shqiptarë ashtu edhe gjermanë dhe zviceranë.
E quajnë Abetare Berila, është vetëm nëntë vjeçea. A e zgjodhi ajo pikturën apo piktura lindi bashkë me të?
Nëna e saj, Feridja, thotë se Abetarja filloi të vizatonte që nga mosha 2 vjeçare, se vizatimet e vogëlushes filluan të bëheshin përditë e më të përpunuara, se objektet e vizatuara nga ajo filluan të hijezoheshin dhe figurat të bëheshin më plastike. Kështu ajo vendosi ta përkrahte të bijën në avancimin e talentit të saj të jashtëzakonshëm duke e dërguar në një kurs vizatimi ku Abetarja po tregonte çdo ditë e më tepër se një botë e padukshme ishte e fshehur thellë brenda unit të saj, botë kjo e cila tek Abetarja shprehet përmes vijave, ngjyrave dhe koloritit në letër.
Kështu, Vogëlushja arriti ta hapë ekspozitën e saj të parë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në shtëpinë muze ne Paul-Bäck –Haus në qytetin ku jeton, në Heimenkirch të Gjermanisë. Ekspozita bëri jehonë të madhe atje, Abetarja zuri vend në gazetat rajonale gjermane dhe intervista me të u transmetuan në televizionet e ndryshme, ku asaj iu kushtua edhe një reportazh i shkurtër televiziv.
Edhe kësaj radhe, në Kreuzlingen, ekspozita e saj magjepsi të gjithë të pranishmit e sidomos ata gjermanë dhe zviceranë. Për Abetaren foli edhe piktori Arsim Berisha, i cili vlerësoi shumë lartë talentin e saj. Familjarët e Abetares falënderuan të pranishmit për pjesëmarrjen dhe përkrahjen morale të bashkatdhetarëve. Ndërsa Abetarja e vogël, e cila atdhedashurinë e saj e kishte shprehur në shumë piktura, i falënderoi pjesëmarrësit, udhëheqësit e qendrës në Kreuzlingen, të gjithë ata që e ndihmuan për ta hapur ekspozitën e saj. Ajo falënderoi edhe dajën e saj për përkrahjen e pakursyer, pedagogun e saj Arsim Berisha e në veçanti nënën, e cila pa dyshim është një shembull se si duhet të edukohet edhe të përkrahet një fëmijë për të realizuar ëndrrën e suksesit.
Në fund Abetarja kishte një befasi, dhuratë për Qendrën Shqiptare për Kulturë dhe Integrim në Kreuzlingen, një pikturë të punuar për mrekulli të titulluar ”NEWBORN”. Në fund të pranishmit përgëzuan përzemërsisht Abetaren me urimin qe të vazhdojë rrugën e saj të sigurt drejt suksesit. Urimet e lëvdatat shkonin edhe për muzicientët dhe solistët e rinj të cilët po ashtu janë ardhmëria e kulturës shqiptare në diasporë.(albinfo..Beqir Miftari)