Shkëlqen në Zvicër, Kryeziu do të luajë për Kosovën

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Hekuran Kryeziu, është emri më i ri i futbollistëve shqiptar që po shkëlqejnë në kampionatet evropiane. Talenti nga Kamenica, ka treguar paraqitje të jashtëzakonshme me skuadrën e tij Luzern, ku është bërë pjesë e padiskutueshme e formacionit bazë.

Edhe pse në moshë të re, si 22-vjeçar, Hekuran Kryeziu është bërë ndër mesfushorët më të vlerësuar në kampionatin zviceran.

Ylli i ri kosovar, ka luajtur me grupmoshat e Përfaqësueses së Zvicrës, por tani e tutje ai do ta ndjekë një rrugë tjetër, pasi do të luaj për vendlindjen e tij Kosovën.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, mesfushori qendror, Hekuran Kryeziu, flet për karrierën e tij, ofertat që kishte gjatë këtij afati kalimtar, bisedimet me Paulo Tramexanin e Shqipërisë si dhe për vendosjen që ka bërë për të luajtur me Kosovën.

Telegrafi: Hekuran, u rikthyet në Luzern nga huazimi prej Vaduzit dhe keni shkëlqyer në këtë fillim të kampionatit?
Kryeziu: Isha një vit te Vaduzi ku pata paraqitje mjaftë të mira dhe arritëm marrëveshje me klubin që të rikthehesha të luaj në Luzern, klub ku jam rritur dhe jam formuar si lojtar.

Telegrafi: Faza përgatitore ka qenë fantastike për ju, pasi keni pasur paraqitje shumë të mira por edhe në fillim të kampionatit u treguat lider në mesfushën e Luzernit?
Kryeziu: Besimi që më ka dhënë trajneri dhe klubi në përgjithësi më ka ndihmuar shumë. Ende pa përfunduar stinorin më ka kontaktuar Luzerni për të më treguar se besojnë në mua dhe më duan për këtë edicion. Natyrisht që kur më duan të gjithë dhe më japin lirinë në fushë atëherë unë jap 100% nga vetja ime dhe bëjë paraqitje të mira.

Telegrafi: Pse zgjodhët pikërisht të mbeteni në Luzern, kur janë interesuar edhe katër skuadra tjera zvicerane.
Kryeziu: Është e vërtetë që Vaduzi më dëshironte përsëri por edhe tri skuadra tjera të mëdha në Zvicër, por klubi ka synime të mëdha dhe për këtë arsyeje desha të mbetëm këtu për së paku edhe një vit.

Me Luzernin në ligat evropiane

Mobi Casa

Telegrafi: Dy ndeshjet e para keni arritur dy barazime, si e cilësoni këtë nismë.
Kryeziu: Kemi mundur edhe më mirë, por kemi arritur vetëm dy barazime në dy ndeshjet e para ndaj dy kundërshtarëve tejet të vështirë si Sioni dhe Young Boys Berni. Në të dyja këto takime kemi pasur paraqitje të mira dhe nga ndeshjet e radhës synojmë fitore.

Telegrafi: Cilat janë synimet individuale të Hekuranit për këtë edicion?
Kryeziu: Të luaj sa më shumë ndeshje dhe të arrijë të luaj në garat evropiane me Luzernin.

Telegrafi: Luzerni është skuadër e madhe në Zvicër. Çfarë synime ka klubi për këtë stinor në elitën e futbollit zviceran?
Kryeziu: Synimi i klubit është që të jemi në mesin e katër skuadrave të para. Mjafton të sigurojmë një vend që na dërgon në Ligën e Kampionëve apo në Ligën e Evropës dhe do të mbetemi të kënaqur.

Luajti për Zvicrën, e kontaktoi Shqipëria dhe do të luaj për Kosovën

Telegrafi: Keni qenë pjesë e të gjitha grupmoshave te Përfaqësuesja e Zvicrës?
Kryeziu: Po është e vërtetë, jam rritur në Zvicër dhe kam luajtur për të gjitha grupmoshat deri në U21, por tani nuk jam më…

Telegrafi: Tani ka ardhur koha që të luani për Zvicrën, Shqipërinë apo Kosovën?
Kryeziu: Kam pasur kontakte me të tri përfaqësueset por me Kosovën më shumë. Nga Shqipëria kam pasur kontakte me ndihmësin e De Biasit, Paulo Tramexani por jo të shpeshta.

Telegrafi: Nga Kosova kush të ka kontaktuar më shumë?
Kryeziu: Më ka kontaktuar shpesh herë një njeri i afërt i Përfaqësueses por edhe trajneri Albert Bunjaku dhe jam i gatshëm t’i bashkohem vendlindjes time qysh në ndeshjet e shtatorit.

Telegrafi: Do të luani me Kosovën në ndeshjen e radhës ndaj Burkina Fasos në shtator. Sa jeni i gatshëm për këtë?
Kryeziu: Unë jam duke kaluar nëpër një formë mjaftë të mirë dhe nëse marrë ftesë do të jem shumë i lumtur. Të luaj për vendlindjen time para tifozëve kosovarë do të jetë diçka e veçantë dhe shpresoj që kjo gjë do të ndodh. Jam i gatshëm të luaj dhe do ta jap 200% nga vetja ime për të luajtur me Përfaqësuesen time. /Telegrafi/