RCCOLA

Shkelja e marrëveshjeve, kosto e lartë për Serbinë drejt BE-së

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë arsyet e takimit maratonik të mbrëmshëm me homologun e tij serb Ivica Daçiç. Në një intervistë për Radio Dukagjinit, kryeministri Thaçi kanë dhënë edhe detaje të tjera të rëndësishme në takimin e mbrëmshëm.

Kryeministri Thaçi: Po takimi ka qenë jashtëzakonisht i gjatë, ka qenë një takim mund të them edhe interesant, me një ecje korrekte dhe konstruktive e pozitive në procesin për normalizimin e marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani më në fund është përmbyllur mund të themi lirisht i gjithë procesi i implementimit të IBM-së, ku edhe doganat do të paguhen në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, pra gjithçka do të jetë në përputhshmëri me legjislacionin kosovarë dhe në këtë drejtim kanë marr përgjegjësi edhe autoritetet përkatëse. Në të njëjtën kohë, me iniciativën e Baroneshës Ashton dhe natyrisht edhe me këmbëngulësinë tonë që të përmbyllen në një të ardhme shumë më të mirë të dy vendeve tona dhe përfundimisht edhe me njohjet reciproke në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, është diskutuar që në një periudhë të afërt kohore të largohen edhe të gjitha strukturat paralele të sigurisë së Serbisë nga Kosova dhe diçka të tillë Baronesha Ashton e ka kërkuar nga kryeministri Daçiç që Serbia të jetë e përgjegjshme në këtë drejtim dhe mos të pretendoj më tutje cenimin e sovranitetit të Kosovës. Ndërsa, nga ana jonë gjithashtu është kërkuar që të ofrohet mundësi e integrimit të komunitetit serb në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, në përputhshmëri me standardet dhe vlerat evropiane. Pra që në veri të Mitrovicës të kemi rend dhe ligj, të kemi demokraci, zgjedhje të lira, lidership legjitim dhe investime socio ekonomike. Jam optimist se gjërat do të lëvizin shpejt dhe substancialisht suksesshëm.

R.Dukagjini: Zotëri kryeministër, në komunikatën e dërguar nga zyra e Baroneshës Ashton thuhet se takimi ka rezultuar me një marrëveshje të përkohshme për doganat, çka nënkuptohet me “të përkohshme”?

Kryeministri Thaçi: Marrëveshjet janë në përputhshmëri me ligjet e Kosovës, janë në përputhshmëri me agjendën e planifikuar se kur do të filloi implementimi dhe si do të procedohet më tutje. Është tash çështje e ekipeve të ekspertëve se si do të finalizohet dhe qartësohet periudha e përkohshme kohore, por një gjë është e sigurt se kthim mbrapa nuk ka, doganat e Kosovës do të funksionojnë si një njësi e vetme doganore e Republikës së Kosovës dhe me ligjet e Kosovës.

R.Dukagjini : Zotëri kryeministër, homologu juaj serb Ivica Daçiç, ka deklaruar se paratë e mbledhura në doganat do të mbikëqyren nga BE-ja, do të krijohet një fond dhe me ato para do të financohen komunat veriore. Qëndron kjo apo jo?

RCCOLA

Kryeministri Thaçi: Gjithçka do të jetë sipas legjislacionit kosovarë, do të kalojnë përmes thesarit dhe natyrisht jemi dakorduar edhe me iniciativën tonë e gjithsesi edhe me mbështetjen e Braoneshes Ashton për krijimin e një fondi zhvillimor për veriun, por e gjitha do të jetë me procedurë të rregullt ligjore të shtetit të Republikës së Kosovës.

R.Dukagjini: Pa dashur që të paragjykojmë, por nëse i referohemi së kaluarës, Serbia ka bërë marrëveshje vetëm për t’i shkelur ato. Çka nëse vazhdon Serbia me avazin e vjetër?

Kryeministri Thaçi: Unë dua të them shkurt dhe troç, ky është një sukses i ri i shtetit të Kosovës në procesin e konsolidimit dhe forcimit të tij dhe askush nuk mund t’i shkel këto marrëveshje. Çdo pretendim i shkeljes së këtyre marrëveshjeve do të nënkuptonte kosto të lartë në rrugën evropiane për Serbinë. Rruga e vetme për të ardhmen e të dy vendeve tona është normalizimi i plotë i këtyre marrëdhënieve dhe kjo jam optimist se do të ndodhë dhe që të dy vendet tona, edhe Kosova e edhe Serbia do të integrohen në NATO dhe Bashkim Evropian.

R.Dukagjini: Në një takim aq të gjatë dhe me një temë aq të nxehtë, si jeni ndjerë ju emocionalisht gjatë takimit?

Kryeministri Thaçi: Përtej gjendjes personale apo emocionit tim personal apo privat, është interesi i shtetit, i qytetarëve, ne të gjithë aty jemi për të punuar dhe shërbyer qytetarëve për normalizimin e një procesi i cili është ndryshe në veri, që do të thotë të kemi normalizim të situatës atje, funksionim të plotë dhe ushtrim të autoritetit të Kosovës atje. Gjithmonë e kam theksuar se këto takime nuk paraqesin për mua ndonjë kënaqësi apo ndonjë veçanti në kuptimin e përkushtimeve të mia, por është përgjegjësi shtetërore e lartë e imja.