Fundamenti

Shkarkojeni ose shkarkoheni

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik çështja e shkarkimit të Arben Gjukës është punë e kryer. Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit Besim Beqaj, thotë se me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nëse Bordi i KEK’ut nuk i bindet aksionarit, në këtë rast MZHE’së, atëherë aksionari do ta shkarkojë bordin.

Shkarkimi i drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, është çështje e kryer. Së paku kjo punë ka marrë fund për ata që e morën këtë vendim. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se këtë çështje e rregullon shumë mirë Ligji për Ndërmarrjet Publike, i cili tregon se çdo vendim i aksionarit është i pakontestueshëm.

Këshilltari në këtë ministri, Gëzim Baxhaku, thotë se nëse bordi nuk i zbaton vendimet e aksionarit, atëherë shkarkohet komplet bordi.

“Komisioni qeveritar për ndërmarrje publike e mbron aksionarin. Këto interesa të aksionarit realizohen përmes bordit të ndërmarrjes. Pra, në momentin kur bordi nuk i bindet aksionarit, atëherë në bazë të ligjit shkarkohet”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Burime të afërta me këtë proces brenda Qeverisë kanë thënë se zvarritja e procedurave për shkarkim është një lojë e kryesuesit dhe anëtarëve të bordit të KEK’ut.

Sipas tyre, me Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë që kur aksionari merr një vendim ai menjëherë është edhe i zbatueshëm.

“Kjo zvarritje e procedurave është një lojë e bordit të KEK’ut sa për ta shtyrë edhe ndonjë ditë shkarkimin e drejtorit. Kjo tashme është çështje e kryer”, ka thënë ky zyrtar i afërt me këtë proces.

Pas vendimit të Komisionit Qeveritar për Ndërmarrje Publike, me të cilin urdhëroi shkarkimin e Gjukës nga pozita e drejtorit, bordi i KEK’ut u mblodh të shtunën e kaluar për të shqyrtuar këtë vendim. Në këtë mbledhje anëtarët e bordit i kanë bërë disa vërejtje raportit të ZRRE’së, në bazë të të cilit edhe u shkarkua Gjuka. Bordi kërkoi një raport përfundimtar nga ZRRE, me vërejtjet e tyre në mënyrë që të zbatojë ose jo vendimin e aksionarit, që në këtë rast është Qeveria e Kosovës.

Mobi Casa

Në anën tjetër, anëtarët e bordit të KEK’ut tash sa kohë nuk flasin asgjë rreth kësaj çështje. Ata nuk pranuan të komentojnë asgjë rreth shkarkimit apo jo të Gjukës.

Flamur Keqa, anëtar i bordit, tha se nuk mund të themi asgjë tash për tash. Ndërsa kryetari i bordit, Fadil Citaku, tash sa ditë e ka të mbyllur telefonin.

Express mëson se mbledhja e ardhshme e bordit do të mbahet ditën e shtunë të kësaj jave. Në këtë mbledhje do të bëhet publik raporti përfundimtar i ZRRE’së, në bazë të të cilit pastaj merret edhe vendimi përfundimtar.

Ndërkaq, në raportin e fundit të ZRRE’së janë konstatuar shkelje me faturat e muajit janar, për çka qytetarët edhe protestuan për shtatë herë rresht.

Sipas këtij raporti, KEK ka bërë gabime gjatë leximit te konsumatorët.

“Tek ata konsumatorë të cilët i kemi analizuar, kjo ka pasur efekt negativ në faturën e tyre përmes zhvendosjes së energjisë së faturuar nga muaji dhjetor në janar, që rezulton me zvogëlimin e faturave të muajit dhjetor 2012; rritjen e faturave të muajit janar 2013 dhe zhvendosjen e humbjeve nga muaji janar 2013 në dhjetor 2012”, thuhet në raport.

Gjithashtu një arsye tjetër sipas ZRRE-se është ajo se menaxhmenti i KEK-ut do të duhej të menaxhonte më mirë situatën e krijuar nga leximi jo i saktë i njehsorëve elektrikë, siç është evidentuar nga ankesa e konsumatorëve.

Kjo kërkesë për shkarkim e Komisionit për Ndërmarrje Publike vjen pas situatës së krijuar kohëve të fundit me faturat e kësaj korporate dhe protestave të shumta të qytetarëve që kundërshtojnë këto fatura. Tashmë edhe zyrtarisht thuhet se në faturat e KEK-ut ka pasur gabime gjatë faturimit.(express)