UBT

Shkarkohet Kreu i Task-Forcës Kundërkorrupsion

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

I pari i Task Forcës Kundër Korrupsionit në Policinë e Kosovës, Lirim Osmani, është shkarkuar nga pozita e tij me një vendim të drejtorisë së Policisë së Kosovës, thonë burimet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Osmani nga pozita e drejtuesit të Task Forcës Kundër Korrupsionit është transferuar për në Lipjan, ku do të ushtrojë pozitën e zëvendës komandantit të stacionit policor.

Vendin e tij të deritashëm e ka zënë një toger emri i të cili nuk është bërë i ditur.

Ndonëse arsyet e shkarkimit nga pozita i të parit të Task Forcës nuk bëhen të ditura, burime të gazetës kanë treguar se gjatë të premtes ka pasur edhe ndryshime të tjera në Policinë e Kosovës.

UBT

Këto burime kanë konfirmuar edhe ndërrimet brenda drejtorisë rajonale të Prishtinës, ku vendet e punës u janë ndërruar komandantit të stacionit policor të veriut i cili është transferuar të punojë në stacionin qendra, si dhe komandantit të stacionit policor qendra i cili është transferuar të punojë në stacionin policor të veriut.

Ndryshimet në fjalë vijnë pas ndryshimeve të pozitave të cilat u bënë në fillim të javës ku ndihmësdrejtori për hetime në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, ishte shkarkuar nga pozita e tij për t’u transferuar në drejtorin rajonale të Ferizajt. Në vend të majorit Hoxha, sipas burimeve brenda PK-së, është emëruar koloneli Riza Shillova.

I tërë procesi i ndërrimeve të pozitave gjatë kësaj jave në Policinë e Kosovës është mbajtur sekret nga zyrtarët e Policisë së Kosovës. Edhe pse nuk i kanë mohuar këto ndërrime zyrtarët për informim të PK-së kanë thënë se këto janë çështje të brendshme të Policisë së Kosovës.

“Janë çështje të brendshme të menaxhimit të policisë”, ka thënë Brahim Sadriu zyrtar për media në Policinë e Kosovës.