RCCOLA

Shkalla e papunësisë alarmante, mund të ketë trazira

/ 7 minuta lexim

Prishtinë – Kosova ende nuk ka shifra të sakta të numrit të papunëve. Institucionet japin shifra të ndryshme të të papunëve, duke filluar nga 30 e deri në 45 për qind. Megjithëse nuk ka ende një shifër të saktë, një gjë është e sigurt, se numri i të papunëve në vend, është mjaftë i lartë dhe se Kosova gjendet në një gjendje të rëndë sociale. Sipas ekspertëve, Kosova ballafaqohet me një normë shumë të lartë të papunësisë dhe hynë në radhët e vendet me normën më të lartë. Ekspertët madje nuk përjashtojnë si mundësi edhe trazirat sociale, si pasojë e një gjendje të tillë, ku një numër i madh i popullatës përballet me varfëri dhe me luftën për ekzistencë.

Edhe pse kjo gjendje është alarmante me një numër të lartë të të papunëve dhe me një varfëri të madhe, zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale habiten me shifrat e larta, që ipen rreth papunësisë nga institucione të ndryshme. Sipas tyre Kosova ka mbi 38 për qind shkallën e papunësisë edhe pse ende nuk kanë një shifër të saktë rreth kësaj.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar i ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha për Kosovapress se shifra prej 38 për qind e të papunëve, mund të jetë edhe më e vogël, pas daljes së të dhënave të reja, të cilat priten të dihen së shpejti. Në rënien e kësaj përqindje, sipas tij do të ndikojë edhe numri më i vogël i popullatës, i cili doli nga regjistrimi i fundit i popullsisë.

“Ne si MPMS flasim për një përqindje mbi 38 për qind. Por nëse shikojmë statistikat tjera, nganjëherë disa japin 40 apo 42 për qind. Por në bazë të këtyre të dhënave, që i posedojmë i kemi diku rreth 38 për qind. Por nëse shikojmë periudhën e sezonës së pranverës, pasi që është një periudhë, ku shumë qytetar merren me blegtori, bujqësi dhe prodhimtari të ndryshme, automatikisht kemi rënie të numrit të atyre personave të papunë. Nuk kemi rënie rapide, por graduale të atyre personave që konsiderohen si persona të papunë”, tha ai.

Për të përmirësuar këtë gjendje dhe për të ulur këtë shkallë të lartë të papunësisë, MPMS tash e sa vite bashkëpunon me shumë organizata ndërkombëtare. Gaxhiqi tha se kanë bashkëpunim shumë të fuqishëm me Bankën Botërore, e cila po mbështet projekte, që kanë të bëjnë me punësim të qëndrueshëm, ku do të punësohen një numër i madh i të rinjve.

Ndërsa kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, këtë gjendje e quan alarmante, duke pasur parasysh papunësinë e madhe në vend dhe gjendjen e rëndë sociale.
“Gjendja sociale për ne si BSPK, është alarmante. Sepse është një papunësi jashtëzakonisht e madhe, posaçërisht vë theksin tek të rinjtë që çdo vit dalin me kapacitet prej 20 mijë forca të reja që të punësohen. Andaj ne si BSPK në partneritet me Qeverinë dhe punëdhënësit, në çdo Këshill Ekonomiko-Social dhe në çdo takim tjetër jashtë KES-it, fokusohemi tek gjendja momentale, e një papunësie, e cila sipas statistikave është 45 për qind dhe e një varfërie e skajshme, afër 18 për qind ”, pohoi ai për Kosovapress.

Ndërsa kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gerxhaliu tha se OEK-u i ka paralajmëruar institucionet vendore dhe ndërkombëtare, se duhet vërtetë të bëjnë diçka më tepër në procesin e zhvillimit ekonomik. Sipas tij nuk mund të imagjinohet se Kosova do të ketë stabilitet politik, në qoftë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik dhe mbi të gjitha nuk mund të garantohet stabilitet social, në qoftë se nuk ka avancim në proceset zhvillimore ekonomike. Indikatorët kyç që mund të ndikojnë në uljen e shkallës së papunësisë, sipas Gerxhaliut janë investimet në sektorin prodhues, tërheqja e investimeve dhe investitorëve të huaj. Megjithatë sipas tij papunësia dhe varfëria në vend mbeten shqetësuese.

Fundamenti

“Thuhet se varfëria ekstreme është mese 17 për qind, ku popullata kosovare jeton nën 95 cent brenda ditës. Varfëria reale është diku afër 45 deri në 50 për qind. Të gjithë këta janë indikator që të bëjnë që vërtet të jesh i shqetësuar”, tha ai për Kosovapress.

Gerxhaliu më tej pohoi se duke i parë zhvillimet ekonomike, Kosova është në një rrugë, e cila e qon drejtë një destabiliteti social dhe se durimit të popullatës mund t’i vie fundi.

“Popullata kosovare, ka një respekt shumë të madh ndaj shtetit dhe ndaj pavarësisë dhe të kaluarës dhe ka një durim të paparë. Mirëpo e tërë kjo nuk mund të qëndrojë dhe nuk garantohet gjithmonë, dhe se pakënaqësia e popullatës është gjithnjë në rritje e sipër, optimizmi është në rënie e sipër dhe këto dy fenomene janë ato që duhet t’i shqetësojnë instancat më të larta shtetërore, që duhet të jenë të orientuara nga ekonomia dhe drejtë ekonomisë. Nuk mund të zgjidhen problemet ekonomike vetëm me konferenca për media”, pohoi Gerxhaliu.

Sipas tij, është koha për një qasje më pragmatike dhe të eliminohen dukuritë negative, të cilat pengojnë procesin e zhvillimit, si imazhi enorm i dëmtuar i Kosovës, burokracia, korrupsioni dhe mungesa e aktiviteteve konkrete, për të promovuar investimet.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Musa Limani tha se gjendja ekonomike në Kosovë, vazhdon të jetë shumë e rëndë. Sipas tij Kosova hyn në radhën e vendeve më pak të zhvilluara, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë dhe se niveli i ulët i zhvillimit ekonomik ka ndikuar, që të rritet në mënyrë shumë të shpejtë dhe me një intenzitet shumë të madh, norma e papunësisë, varfëria dhe problemet sociale.

“Kosova ballafaqohet me një normë shumë të lartë të papunësisë, e cila sipas të dhënave statistikore kalon 45 për qind. Por sipas të gjitha gjasave, ajo është shumë më e lartë se sa e shprehin statistikat. Andaj, unë mendoj se është diku mbi 60 për qind dhe normalisht se kjo shprehet në varfëri dhe uljen e standardit të popullsisë. Në momentin aktual Kosova përballet me sfida shumë të mëdha të varfërisë dhe problemet sociale”, tha ai.
Ai tha për Kosovapress se Kosova sa i përket normës së papunësisë, hyn në radhët e vendeve me normën më të lartë. Limani madje nuk përjashton si mundësi edhe trazira sociale, si pasojë e një gjendje të tillë, ku një numër i madh i popullatës, përballet me varfëri dhe me luftën për ekzistencë. Një gjendje e tillë sipas Limaint është e pajustifikueshme.

“Një gjendje e tillë është e pajustifikueshme edhe në aspektin psikologjik, dhe ekonomik ,dhe juridik dhe human e njerëzor. Sepse grupi i të pasurve, nuk janë pasuruar me punën dhe djersën e tyre, por pikërisht janë pasuruar në dëm të shtresës së varfër, duke abuzuar dhe keqpërdor pozitat e tyre dhe si burim kryesor kanë korrupsionin”, tha Limani./Kosovapress/