Shiritohet “Ferizi Petrol”, revoltohen pronarët e vërtetë
Gjilan – Me vendim të Gjykatës është shirituar kompleksi “Ferizi Petrol” dhe kjo ka ndikuar që Bekim dhe Suzana Mustafa të revoltohen në maksimum në organet gjyqësore.
Rasti i quajtur “Ferizi Petrol” ka marrë kahe krejt tjetër pas vendimit të Gjykatës Supreme dhe me vendimin e Gjykatës së Novobërdës që i tërë kompleksi të shiritohet, derisa lënda të marrë vendimin e plotëfuqishëm.
Kjo ka ndikuar që vëlla e motër Bekim dhe Suzana Mustafa të revoltohen në organet gjyqësore.”Vërtet nuk e kuptojë si mund të ndodhë kjo në një Kosovë demokratike dhe ku tërë kohën po flitet në emër të ligjit” u shpreh Bekimi.
Bekim Mustafa thotë për rajonipress se do të kërkojë dhe ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta mbrojtur pasurinë e babait të tij.”Jemi rritur jetima dhe kemi vuajtur mjaft nga ata që padrejtësisht na e kanë shfrytëzuar pasurinë e babait. Tani në vend që ne ta gëzojmë këtë pasuri, na dalin probleme me njerëz të nëntokës dhe hajna. Definitivisht Gjykatat janë nën çdo nivel. Si është e mundur që kjo pasuri të stopohet dhe si është e mundur që kjo pasuri të kontestohet për plotë 18 vite” shprehet i revoltuar Bekimi.
E, motra e tij Suzana tregohet edhe më e ashpër. “Unë kam me hjek këtë shirit dhe kam me mbrojt nëse është nevoja edhe me vdekje pronën e prindit tim. Ne kemi shumë informacione se prapa tërë kësaj bllokade qëndrojnë njerëz me ndikim dhe autoritet të politikës në Prishtinë dhe na është thënë se dikush i ka marrë edhe 40 mijë euro vetëm për ta kthyer në pikën zero rastin” tha Suzana.
Madje Suzana thotë se këtë rast duhet ta hetojë EULEX-i dhe jo organet vendore. “EULEX duhet të përfshihet në këtë rast sepse kemi të bëjmë me krim të organizuar. Peshqit e mëdhenj të këtij rasti i kanë rrënjët e thella e ne jemi të pakrah dhe të pafuqishëm. Por vetëm një gjë po ua garantojë atyre që po e han djersën e jetimëve se jetën kam me lanë në atë vend e pasurinë e babait kam me kthye në vendin e vet”.
Suzana ka një lutje edhe për Dhurata Hoxhën. “E nderuara ministre veproni me kohë sa nuk është bërë vonë. Ne jemi të pastër si loti sepse po e mbrojmë pasurinë tonë dhe djersën e prindit. Palët tjera po e mbrojnë interesin e mafias dhe grupeve kriminale të nëntokës” tha Suznaa.
Ndryshe rasti i “Ferizi Petrol” ishte vendosur në favor të Bekim Mustafës nga ana e Gjykatës së Gjilanit, por Gjykata Supreme e kishte refuzuar duke e kthyer në rigjykim lëndën.
E avokati mbrojtës, Halit Azemi thotë se fatkeqësisht sistemi gjyqësor është kapur nga bandat kriminale dhe individët e grupet e interesit që këtij institucione i shohin si kusuritje për të shpërlarë para nën ombrellën e krimit të organizuar.
Ndryshe sipas Aktgjykimit që ka marrë Gjykata Themelore në Gjilan e kryesuar nga trupi gjykues nga Naser Maliqi, Bekim Mustafa është pronar ligjor i një Moteli, një pompe të benzinës dhe pizeria.
Në fakt kjo lëndë kishte nisur qysh në vitin 2003 për tu shtyrë me vite të tëra.
Në vendimin e Gjykatës thuhet se Bekim Mustafa është pronar i ngastrës 3951/2 derisa obligohet Ekrem Behluli që t`ia paguaj shumën prej 139 mijë eurove Bekim Mustafës për pompën e shfrytëzuar “Ferizi Petroll” për 127 muaj.
Avokati Halit Azemi thotë se ky proces gjyqësor ka ngritur jehonë dhe ka shprehur interesim për faktin se Bekim Mustafa ishte i pafuqishëm përballë njerëzve të pushtetshëm gjyqësor./rajonipress/


