SHIK-u të hetohet nga drejtësia, jo nga Kuvendi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), lidhur me pretendimet dhe spekulimet për qendrimin e saj në raport me një hetim të mundshëm parlamentar të SHIK-ut, e sheh të nevojshme të sqarojë edhe një herë opinionin publik.

Në sqarim LDK vlerëson se:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk është themelues i SHIK-ut. Kuvendi nuk ka mandat dhe nuk do duhej ta hetonte një organizatë joformale, e cila nuk është themeluar nga Kuvendi dhe veprimtaria e të cilës nuk është rregulluar me ligje dhe me akte të tjera, karshi të cilave atë do ta hetonte një komision parlamentar.

2. Po ashtu, një hetim parlamentar mund të ketë vetëm efekte poltike e jo juridike. Afërsia dhe përkatësia politike e SHIK-ut është plotësisht e qartë dhe nuk ka se çfarë të hetohet.

3. Në këto kushte, LDK-ja edhe një herë konsideron që veprimtaria e SHIK-ut dhe e çdo pjesëtari të tij mund të hetohet nga organet e përcaktuara me ligj, siç janë organet e drejtësisë dhe EULEX-i.

4. LDK-ja shpreh mbështetjen e saj të plotë për institucionet e pavaruara dhe kërkon nga ato që të punojnë në përputhje me detyrimet dhe kompetencat kushtetuese që kanë për të zbardhur veprimtarinë e SHIK-ut pas luftës në Kosovë. LDK-ja e konsideron të domosdoshme qartësimin e veprimeve të secilit që ka ndikim në jetën publike të vendit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS