FIDANISHTJA

Shihemi n’kafe!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerina Rogova – Gaxha – Në kronikat e kohës flitet se si politika shqiptare e viteve 90-të, është bërë në dy ose tri kafe të Tiranës, dhe se as sot e kësaj dite nuk është harruar kafe “Fideli” te Parku Rinia, aty ku është zier politika shqiptare.

Në vitin e shkuar, ngjarja më e pazakontë politike e mediale, ishte një takim i dy liderëve të së majtës në Shqipëri, dhe dilema se kush prej tyre e “hëngri nxhalën”! Edhe në Prishtinë, në vitet 90-të apo më vonë, kanë qenë disa vende si “biqim” kafesh, ku është zier politika e ku është hartuar rezistenca. Mbahen mend “Ora”e famshme, ose “Dora”, “Kurrizi” e “Qafa”.

Sindromi i debateve dhe i politikës së kafehaneve, ka vazhduar edhe vite më vonë dhe çuditërisht vendime të rëndësishme janë marrë në kafehane, në klube e në bare. Nuk kanë kaluar shume vite qyshkur “Zanzibari” ishte bërë kryefjala e politikës së Prishtinës, ku natën dhe me raki përpara binin presidentët, prisheshin koalicionet e lidheshin të rejat. Kjo qe kultura politike shqiptare ndër vite. Mysafirët dhe “rakixhinjtë” e këtyre kafeneve janë shndërruar në politikanë, opinionistë, disidentë dhe në personalitete të historisë politike.

Disa popuj të tjerë, me tradita shumë më të gjata të kafeneve, të bareve e të pabeve, politikat i kanë hartuar në vende të tjera. Fqinjët ballkanikë, serbët ose kroatët, maqedonasit ose boshnjakët, mbase qenë disa shkallë më lart dhe elabortatet politike i kanë sajuar në “Francuska 7”, ose në “Treshnjevka” , ose në Hilandar… ndoshta për këtë në raport me shqiptarët, gjithmonë qenë më të avancuar dhe politikisht më dredharakë.

Me gjasë është në gjenin tonë që punët e mëdha t’i bëjmë kafeve e haneve dhe që kryefjalën ta kemi “kafe llafe”.

Çuditërisht kryetitujt e lajmeve të ditës në skenën e politikës në Kosovë, ndodh që edhe sot nuk vijnë nga selia e Qeverisë, e Parlamentit ose e Presidentës, por pikërisht nga kafet dhe nga takimet që pretendohet të mbahen sekrete. Filani është takuar me filanin e me gjasë është arritur marrëveshja për filan çështjën, për filan njeriun, për filan koalicionin e përtej kësaj, edhe për fatet e njerëzve në ose jashtë institucioneve.

United Hospital

Mbretërit dikur janë bërë “tebdilë” dhe kanë dalë në çarshi, për të parë se çka po flet mileti për ta, sepse oborrtarët e tyre shpesh i kanë gënjyer. Ndoshta është joracionale, por edhe sot nga shumica e politikanëve në Prishtinë ose në Tiranë, pyetja më e shpeshtq që bëhet është “çka po flet çarshia”ose “çka po thonë banditat”?

Ka kohë që në kryeqytetin e Kosovës, po ashtu janë krijuar disa hane ku takohen “burrat e kafesë” që flasin gjërë e gjatë, ku vendimet i marrin edhe për ne. Janë dhjetëra opinionistë, gazetarë e politikanë që shihen ditë për ditë në kafenetë e preferuara, dikur Grandi, më vonë “Times Bar” ose “Rings”, “Te Komiteti” apo kafet e vogla, të cilët e kthejnë dynjanë përmbys dhe ku krejt politikën, të Kosovës e të rajonit, të kontinentit apo të globit, e bëjnë “esber”!

Në kulturën e komunikimit ndër shqiptarë nuk ka tema tabu dhe asgjë që nuk shtjellohet, sepse gjithnjë ka një rugëzgjidhje në kafet e çarshisë. Opinione të formësuara, të paanshme e të balancuara, të nxjerra në shesh, në kafe e për diell. Por debati degjeneron kur pritet të dalë atje ku duhet, në foltorët e Kuvendit, të partive apo në media. Burrat e “rakisë” apo zonjat e “çarshisë”, i ndërrojnë llafet sapo t’iu jepet mundësia të flasin atje ku duhet e atje ku gjërat thuhen.

Mund të jetë që njerëzit janë të ndryshueshëm ose hipokritë, apo është në traditën tonë që të bëjmë zhurmë atje ku llafet i merr era, apo ne ende nuk jemi mësuar se fjala ka peshë aty ku ajo shndërrohet në “formulë” institucionale.

Pika më e ndjeshme bëhet të jetë fuqia e fjalës, ose besueshmëria e saj. Ata që e kanë fuqinë të krijojnë opinion, duket se janë vetja e tyre, vetëm në kafe e në çarshi. Së fundi edhe në rrjetet sociale, që dikush i kishte quajtur, me ose pa të drejtë, “nevojtore publike”.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.