UBT

Shfaqja “Shtëpi në erë” metaforë e shembjes së vlerave të shoqërisë sonë

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në natën e tretë të Festivalit të Dramës Shqipe “ Talia e Flakës”, u paraqit Teatri Profesionist i Tetovës me shfaqjen “Shtëpi në erë”, sipas tekstit të Stefan Çapaliku dhe regji të Kushtrim Bekteshit, e cila nga kritikët e teatrit u vlerësua si metaforë për shembjen e vlerave të shoqërisë sonë.

Në shfaqjen “Shtëpi në erë”, luajtën aktorët, Teuta Ajdini, Arsim Kaleci, Muzafer Etemi, Petrit Neziri dhe Blerim Ismani, loja e të cilëve u vlerësua nga kritikët bashkë me skenografinë e Betim Zeqirit e cila siç, u tha iu përshtat shumë mirë regjinë. Ngjarja zhvillohet në shtëpinë e një ish-të dënuari dhe shkatërrimin e saj, që në fakt paraqet shoqërinë tonë, prishjen e vlerave të saj.

Jahi Jahiu, kritik i dramës, i cili e udhëheq panelin e kritikëve të teatrit, tha se shfaqja paraqet temën e korrupsionit e cila është përhapur në shoqërinë tonë, por në shtresa më të ulëta të shoqërisë e cila në shfaqje u dha përmes familjes dyanëtarëshe.
Kritikët thanë se përfundimi i shfaqjes që kulmoi më shembjen e shtëpisë, simbolizon shembjen, përkatësisht shkatërrimin e vlerave të shoqërisë sonë.

Dramaturgu, Shefqet Xhocaj, tha se shfaqja na preokupoi e provokoi skajshmërish dhe nxiti emocione e shqetësime. ‘Në këtë shfaqje kishte vlera dhe bartje të shqetësimit të asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me shoqërinë tonë”, tha Xhocaj, kurse, Arian Krasniqi, dramaturg, tha se lustrimi i shtëpisë është gjetje shumë e mirë, që paraqet atë që po ndodh në shoqërinë tonë. Sipas tij ,edhe përshkallëzimi konfliktit në shfaqje ka ecur shumë mirë, sikur që skenografia shumë bukur është vendosur në shërbim të idesë së dramës.

Kurse, regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi, i cili mori lëvdata nga kritikët, tha se përmes kësaj shfaqje ka synuar të nxjerrë në pah shqetësimi për shkatërrimin e vlerave të shoqërisë sonë e cila jepet përmes kësaj familje dhe ndodhive të saj. Sipas tij, konflikt zhvillohet mes materialistëve dhe idealistëve të shoqërisë.

RCCOLA

Për dramaturgun, Agron Gërguri, shfaqja në dimensionin teatror ishte realizim i mirë, por jo edhe në atë ideor”, kurse, dr. Nedi Islami shfaqjen e vlerësoi të realizuar mirë sikur edhe lojën e aktorëve, derisa aktori Muzafer Hetemi, theksoi se teatri ka gjuhën e vet sado e dhimbshme që mund të jetë ajo, kurse regjisori Fatmir Hyseni, tha se shqetësimi i regjisorit për shembje të vlerave tona është përcjell shumë bukur nga aktorët tek publiku, pasi ajo ka hapur problemet e shoqërisë sonë.

Kritiku i njohur i dramës, Josif Panagjoni, duke e vlerësuar shfaqjen e si realizim të mirë, tha se kjo shfaqje mbështetet mbi një ngjarje të vërtetë dhe shtoi se shfaqja kalon nga një parabolë në metaforë dhe si e tillë shtron e nxjerr në pah dilema të mëdha, që janë pjesë e shoqërisë sonë. Sipas tij, aty ka e rëndomta kalohet tek filozofia dhe kjo arrihet falë një regjie të mirë, sikur që skenografia është e qëlluar dhe në funksion të metaforës së shfaqjes.

Edhe kritiku tjetër të dramës, Selajdin Salihu, tha se shfaqja ishte një realizim i mirë, duke theksuar se autori dhe regjisori janë ushqyer nga një shoqëri që po prishet (dekompozohet). Sipas tij ,aty veç tjerash, jepet një gjendje kur shoqëria në të cilën jetojmë, jeton pa ideale, rrënon vlerat e ndërtuar më parë në vend se ato të ruhet dhe sendërtohen. Shfaqja ishte një metaforë e madhe, tha ai duke lavdëruar edhe lojën e aktorëve dhe skenografinë.

Ndryshe, të martën në mesditë sipas orarit, aktori njohur, Enver Petrovci, mban ligjëratë që ka të bëjë me dramën, dramaturgjinë dhe aktrimin, derisa në mbrëmje në ora 19:00 para publikut paraqitet Teatrit Kombëtar i Kosovës me shfaqjen “Shtëpia në ankand” sipas tekstit dhe regjisë së Fadil Hysajt. /rajonipress/