RCCOLA

Shfaqja pa “happy end”

/ 4 minuta lexim

Nga Milaim Shefkiu – Ashtu siç ishte pritur në fillim të dialogut me Serbinë, se ky nivel i negociatave, nuk do të ketë “happy end”, ashtu edhe ndodhi. Serbia sikurse edhe herëve të tjera në histori, sa herë që ka qenë në defanzivë, kurrë nuk i ka pranuar marrëveshjet, ose edhe nëse i ka pranuar në letër, asnjëherë nuk i ka respektuar në praktikë.

Kështu ndodhi edhe me bisedimet për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u ndërmjetësuan nga baronesha britanike, Catherine Ashton.

Pavarësisht joshjes së BE-së, me integrim, plotësimin e shumë kritereve, liberalizim vizash etj., etj., Beogradi zyrtar tregoi se nuk është në gjendje të pranojë diçka që nuk i garanton autonomi në nivel të njëfarë shtetësie serbëve në Kosovë. Madje me këtë kundërshtim Beogradi tregoi se është në gjendje të pranojë “qindra kamxhikë shpinës”, por jo të nënshkruajë një marrëveshje që ata e konsiderojnë kapitullim, që në realitet nuk është.Pra gjithçka e menduar dhe asgjë e papritur.

Shumica e shqiptarëve në Kosovë e kanë pasur një bindje se ky proces negociator nuk sjell rezultate të prekshme, duke e ditur Serbinë dhe filozofinë politike të serbëve.

Kjo nomenklaturë, ose plejadë politikanësh në Serbi, janë pionierë të Sllobodan Millosheviqit, njeriut që shkatërroi ish-Jugosllavinë dhe që u shkaktoi dhimbje qindra mijëra njerëzve.

Ka qenë diplomati amerikan, Richard Holbrook, i cili e ka përshkruar më së miri filozofinë politike të Millosheviqit, mësuesit të kryeministrit të tanishëm, Ivica Daçiq. “Sa herë që Millosheviqi fliste për paqen, mendja i shkonte te lufta”- kështu ka deklaruar Hoolbrook.

Edhe kryeministri Daçiq, sa herë që ka deklaruar se Serbia është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, mendja i ka shkuar te forcat e MUP-it në veri.

Uji Dea

Pra, edhe ky raund negiociator përfundoi, dhe tashmë duhet ndëshkuar fajtorin. Nëse Serbia është fajtor që plani i BE-së për normalizim raportesh nuk është realizuar, atëherë Brukseli duhet ta ndëshkojë me kamxhikë Beogradin dhe t’ia mbyllë me dry derën e integrimi në BE. Ndërsa deklarata e baroneshës Ashton se “palët nuk kanë arritur marrëveshje”, duket shumë demagogjike.

Nuk ka këtu shumës -“palët”. Këtu është një palë që nuk ka treguar konstruktivitet. Ajo është Serbia dhe ajo duhet të ndëshkohet, ndërsa Kosovës duhet t’i çelet rruga e integrimit, liberalizimi i vizave, nënshkrimi për PSA.

Në procesin e kthyer në zero, nuk ka si mos të komentohet gjithashtu deklarata e baroneshës Ashton, e cila tha se Serbisë duhet t’i jepet edhe një shans… Kjo (Ashton) duket se po e luan lojën me hile, ose po e përdor rolin e pleqnarit, që e merr me të mirë të lazdruarin. Dhe kjo është e vërtetë, se Evropa gjithmonë në histori e ka marrë të mirë Serbinë dhe vazhdon ta trajtojë ashtu.

Por, pyetja është: çfarë shansi t’i jepet Serbisë? Nëse BE-ja insiston që të vazhdohet dialogu, atëherë çka duhet të bisedimet më me Serbinë kur një projekt për normalizim u refuzua. Pra në pozicionet që është Serbia nuk lëkundet. Nëse sërish i prezantohen 8 pikat e Ashtonit, përgjigjen kryeministri Daçiq e kanë në xhep – “Nuk e pranon marrëveshjen”.

Vazhdim i negociatave në këtë nivel ka vetëm një kuptim. Detyrimin e Prishtinës zyrtare për të lëshuar pe në njërën prej pikave të marrëveshjes, që serbëve në veri t’iu jepet ose policia ose gjyqësia, me të cilin pozicion ata do të krijojnë një autonomi në veri. Kjo normalisht do të ishte e papranueshme për kryeministri Hashim Thaçi, sepse juridikisht po profilizohet ndarja.

Derisa në këtë segment hasi sharra në gozhdë, kryeministri Daçiq propozoi një plan të ri. Shkëmbimin e territoreve ndërmjet Luginës së Preshevës dhe Veriut të Kosovës. Nëse nuk dëshiron ai të blejë kohë, kryeministri Thaçi nuk duhet t’i ikë as këtij projekti, nëse janë për edhe ndërkombëtarët. Madje kjo ka qenë edhe ideja e akademik Qosjës, për t’i dhënë fund problemit serbo-shqiptar. Ajo që do të ishte parimore për Prishtinën, është mosvazhdimi i negociatave për të njëjtat pika. Ndryshe çdo ditë negociata, është çdo ditë zbythje në veri.