UBT

Shenja normaliteti

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic iu afruan marrëveshjes për Veriun gjatë negociatave që zhvilluan të mërkurën në Bruksel. Baronesha Ashton arriti t’i nxjerrë ata për herë të parë në një konferencë të përbashkët për media, ku u tha se pajtimi mund të arrihet në takimin e 2 prillit. Nga kryeqyteti europian, Thaçi dhe Dacic udhëtojnë me të njëjtin aeroplan drejt New York’ut, për të marrë pjesë në përballjen e radhës në Këshill të Sigurimit.

As pas dymbëdhjetë orë bisedimesh mes kryeministrave Hashim Thaçi e Ivica Dacicit me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton nuk është arritur marrëveshja për Veriun e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Ashton, Thaçi e Dacic kanë dalë të mërkurën në mesnatë për herë të parë në një konferencë të përbashkët për të treguar se s’ka marrëveshje. Por, tre zyrtarët kanë thënë se ka afrim të qëndrimeve.

Me këtë rast, Baronesha Ashton ka përmendur 2 prillin si datën e fundit për takimin e radhës mes palëve për të arritur pajtim për pjesën më problematike të Kosovës.

Megjithëkëtë, as Ashton e as dy kryeministrat nuk ka dhënë detaje për bisedimet, por kanë folur vetëm për atë se takimi ishte konstruktiv.

Të mërkurën Ashton ka mbushur 57 vjet, ndërsa ka thënë se nuk ka pasur njerëz më të përshtatshëm se Thaçin dhe Dacic për të festuar. Natyrisht këtë e ka thënë duke qeshur.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë kanë folur në konferencë në gjuhët e tyre amëtare, duke u kursyer krejtësisht nga deklaratat e ashpra që dinë t’i bëjnë në llogari të njëri – tjetrit.

Ndërkohë, Baronesha Catherine Ashton ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi janë shumë afër disa zgjidhjeve për Veriun.

Sipas saj, pritet që gjithçka të përfundojë me marrëveshje në takimin e ardhshëm më 2 prill.

“Ne kemi qenë së bashku nga ora 10:30, me qëllim që të bëjmë përparim, të cilin edhe e kemi bërë. Është mendimi im personal se jemi shumë afër zgjidhjes për disa çështje të vështira, në lidhje me Veriun e Kosovës. Qëllimi i këtij dialogu është normalizimi i raporteve. BE është plotësisht e përkushtuar që t’i përkrahë kryeministrat, Beogradin dhe Prishtinën që të shkojnë përpara në këtë drejtim”, ka thënë ajo.

Lehtësuesja e dialogut ka thënë se dy kryeministrat do të udhëtojnë me të njëjtin aeroplan në New York për të raportuar në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë. Edhe me këtë rast ka kërkuar nga ata dy që t‘i vazhdojnë konsultimet.

Megjithëkëtë, Thaçi ka thënë se takimi maratonik ka shërbyer për të ecur në rrugë të drejtë për një marrëveshje mes dy shteteve.

“Kemi pasur takim maratonik gjatë gjithë ditës dhe takim jo të lehtë. Por, ai është zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive. Mund të konfirmojmë se është arritur një progres në disa çështje që janë adresuar. Nuk mund të them se jemi shumë afër ose larg, por jemi në rrugë të drejtë”, ka thënë Thaçi.

Hidromorava

Shefi i Qeverisë kosovare ka deklaruar se janë për arritjen e një marrëveshje dhe jo që të humbet edhe më tutje kohë në këtë drejtim.

“Kemi humbur shumë kohë si dy vende dhe dy popuj në kuptimin e kalimit të gati një shekulli të armiqësisë dhe konfrontimit, prandaj dua të besoj se po hapet kapitulli i bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës euroatlantike për krejt rajonin”.

Në anën tjetër, Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë fillimisht se ka qenë ideja e tij që të dalin në konferencë të përbashkët për medie. Por, ai ka deklaruar se Serbia është e përkushtuar për dialog pa kushtëzimin për të marrë datën e negociatave për anëtarësim në BE.

Me këtë rast, Dacic ka kërkuar që të mos shkelet asnjëra palë, por të gjendet një zgjidhje e pranueshme.

“Mund të konfirmoj se ne nuk jemi as larg, por as afër ndonjë marrëveshje, por dialogu është zhvilluar në frymën pozitive, edhe pse ka qenë një ditë e rëndë, me diskutime të shumta dhe i gjatë. Për të arritur zgjidhje, duhet shumë mund, duhet të respektohen interesat e të dyja palëve”.

Dacic ka folur shkurt edhe për Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se gjithçka ka mbetur të sqarohet se çfarë kompetencash do të ketë ky mekanizëm.

“Nuk mund të themi se jemi as afër, as larg marrëveshjes, se situata ndryshon në çdo moment. Ka ende dallime sa u takon kompetencave të asociacionit. Nëse duam zgjidhje, duhet të jemi të gatshëm për kompromis”, ka shtuar Dacic.

Ndryshe, gjatë ditës, Thaçi e Dacic në takime të ndara kanë takuar zyrtarin amerikan Philip Reeker, i cili ka thënë se beson se do të ketë marrëveshje mes dy palëve.

“Besoj që është e mundshme të gjendet zgjidhja”, ka thënë Reeker.

Zyrtari amerikan ka folur fjalë të mira për Baroneshën Ashton si dhe për dy kryeministrat, dukë thënë se është e rëndësishme që të dyja palët të kenë qasje konstruktive.

“Me pjesëmarrje në këtë proces liderët e Serbisë e të Kosovës po e bëjnë gjënë e duhur”, ka deklaruar Reeker.

Takimi mes Thacit e Dacicit është i shtati me radhë në kuadër të normalizimit të raporteve mes dy shteteve. Gjatë mesit të muajit prill, Baronesha Ashton do të raportojë para udhëheqësve të BE’së për përparimin e dialogut mes dy palëve dhe nga kjo varet edhe data e fillimit të negociatave të Serbisë për anëtarësim në Union. Edhe Kosova pritet të ketë lehtësira në procesin e Stabilizim -Asociimit.(express)