FIDANISHTJA

Shëndeti i një shoqërie

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerim Shala – Jemi gjithmonë përngutë, dhe gjithmonë vonohemi. E dimë kah duhet të shkojmë (në BE dhe në NATO), dhe bëjmë fare pak për të mbërritur sa më parë atje.

Në këtë shoqërinë kosovare, shumica e zhvillimeve të mirëfillta, ato që realisht ia dhënë kahjen për disa vjet këtij vendi, ndodhin pa qenë fare të përfshira si zonë interesi dhe shqetësimi e politikës kosovare. Ato janë diku nën ‘radarin’ e kësaj politike.

Politika kosovare, e me te edhe të gjithë të tjerët që turren pas saj, ka qenë dhe vazhdon të mbetet e zaptuar prej ngjarjeve që shfaqen në trajtë të skandaleve të nduarnduarta, të lajmeve të ditës pa pasur as përpjekje minimale për të parë se çfarë ka përtej tyre, të përplasjeve të të gjitha llojeve pa u munduar fare të gjendet ai peri i hollë që duhet të lidhë një vizion e pastaj, edhe një strategji për këtë shoqërinë tonë.

Jemi gjithmonë përngutë, dhe gjithmonë vonohemi. E dimë kah duhet të shkojmë (në BE dhe në NATO), dhe bëjmë fare pak për të mbërritur sa më parë atje. Edhe kur arrijmë disi të jemi bashkë në mendime për gjendjen në vendin tonë, inatet, smira, teket, hujet e shumta, zhbëjnë këto vlerësime për tu ndarë pikë e pesë. Dhe kështu me radhë. Këtu ju vetë, si lexues, mund të shtoni shumëçka që i shkon këtyre mendimeve. Dhe me siguri nuk do të gaboni.

Gjendja në shoqërinë tonë mund të karakterizohet, me nocionet ekonomike dhe financiare, si suficit i problemeve dhe deficit i mjeteve për t’i zgjidhë ato. Si devalvim i vazhdueshëm i vlerës së institucioneve të këtij vendi, si shtim marramendës i ‘borxhit publik’ i këtyre institucione ndaj qytetarëve të saj, si rënie e madhe e besimit të shtetasve të Kosovës që ky vend mund të vi në vete dhe që mund të prodhojë stabilitet dhe qëndrueshmëri të brendshme dhe të jashtme.

Po natyrisht, pakkush ndër ne ka disponim që të merret fare me këtë gjendje.

Si individ, dhe kjo është për të ardhur mirë, po rritet numri i qytetarëve të Kosovës të cilët e bëjnë, së paku një herë në gjashtë muaj, kontrollin e shëndetit të tyre përmes analizave të shumta, më së shumti, nëpër klinikat private. Në këtë mënyrë këta qytetarë të ndërgjegjshëm (për vete së paku), shohin se çfarë shëndeti kanë dhe çka mund t’ju ndodhë, tash e tutje.

Si shoqëri, nuk bëjmë gjë prej gjëje në këtë aspekt. Po mos të ishte EC (Komisioni Evropian), dhe shumë organizata por edhe qeveri perëndimore, nuk do të dinim fare se ku qëndrojmë si vend, çka duhet bërë tash e tutje si shtet, cilat janë të metat më të mëdha me të cilat ballafaqohemi si shoqëri.

Ata na i bëjnë analizat, shëndeti jonë del me defekte të shumta, ne pastaj (sepse kështu e do rendi), themi, bëjmë be dhe zotohemi që do të merremi me veten dhe do të shërohemi, dhe në fund, me përjashtime shumë të rralla, pas gjashtë muajsh apo pas një viti, del që jemi pak a shumë aty ku kemi qenë edhe më parë.

Nuk mund dot ta mashtrojmë kënd në Botë që jemi shumë më mirë. Pos vetes, natyrisht. Këtë e bëjmë me sukses të madh.

Po nëse pyetni qytetarë të Kosovës të profileve të ndryshme, ekzemplar rasti, si thuhet, por që janë emra të njohur në ‘gjininë’ e tyre, përgjigjet që do t’i merrni, do ta konfirmojnë shqetësimin në rritje të tyre për fatin e tyre individual, të familjeve të tyre dhe të këtij vendi.

Mobi Casa

Ja çfarë mund të merret vesh në biseda të këtij lloji.

Një biznesmen i njohur kosovar: Kurrë nuk kemi punuar më shumë se në dy vitet e fundit, e kurrë nuk ka qenë fitimi më i vogël. Për këtë vit do të jetë sukses nëse mbetemi në zero, nëse nuk nisim të shënojmë edhe humbje. Këtë do ta bëj nëse reduktojë numrin e punëtorëve, e secili prej tyre e ka bukë goje vendin e punës tek unë.

Një intelektuale e njohur kosovare e brezit të mesëm: Kur nuk kam pasur shkollë të duhur, apo, kur kam punuar vetëm si gazetare, i kam pasur punët shumë më mirë, kam pasur para shumë më tepër se sa që kam sot, pasi që kam kryer Fakultetin në SHBA. Mezi kam gjetur vend të punës, dhe aty rroga është fare modeste. Mbase, kam gabuar që jam kthyer në Prishtinë.

Një këngëtar i shquar kosovar: Jam munduar që të investoj shumë në shkollimin e fëmijëve të mi jashtë vendit, madje, kam dhënë para edhe për shkollimin e të afërmve të mi, sepse mendoja që kështu vetë ata fitojnë shumë, por edhe kjo shoqëri. Por kur po konkurrojnë për vend të punës tek ne, kudo, në institucione, përgjigjen që po e marrin ata kur po thonë që janë shkolluar në Perëndim, është kjo: Diplomë është kjo e juaja, diploma janë edhe këto të kandidatëve të tjerë që kanë kryer studimet në Kosovë.

Një oficer i Policisë së Kosovës: Kurrë nuk jemi munduar më shumë që disi ta ruajmë dinjitetin e këtij profesioni, dhe asnjëherë më parë nuk jemi parë me sy të keq prej qytetarëve të këtij vendi se sa sot. Dalim që të gjithë jemi hajna, keqpërdorues, dallaveraxhinj, me një fjalë. E me rrogat që kemi nuk mund të mbajmë si duhet familjet tona.

Një qytetar i papunë: Kam studiuar jashtë dy vjet, kam qenë edhe në Afganistan, dy vjet, jam i martuar, kam fëmijë, nuk kam punë, nuk di çka të bëj me vetveten.

Të thuash asnjëri prej këtyre rrëfimeve të cilat mund të dëgjohen prej secilit prej nesh, kur nëse kemi fat të mos jemi vetë pjesë e tyre, nuk depërton dot në të përditshmen tonë.

Shumëzimi i këtyre rrëfimeve, që po ndodhë përditë e më tepër, po paralajmëron telashe të mëdha për shoqërinë kosovare.

Por me to, së paku tash për tash, nuk po merret kush ndër ne.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.