RCCOLA

Shëndetësia kosovare në kthesën e madhe pozitive

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ferid Agani – Në shkurtin e vitit 2011 shëndetësia kosovare ishte e pllakosur nën barrën e peshave të shumta dhe të rënda të cilat pamundësonin çfarëdo shprese për ndryshime pozitive në të ardhmen e afërt. Ikja e mjekëve jashtë vendit në mungesë të perspektivës për punësim dhe zhvillim profesional, korrupsioni dhe krimi i organizuar, veçanërisht në sektorin farmaceutik, dhe humbja e besimit të qytetarëve në institucionet publike dhe private shëndetësore të vendit, ishin vetëm disa prej pasojave të hipotekave të rënda nga e kaluara.

Në fundin e vitit të tretë të mandatit, me kënaqësi konstatojë se përkundër sfidave tejet serioze dhe vështirësive të jashtëzakonshme dhe të përditshme që rezultonin në radhë të parë nga nënfinancimi i rëndë të shëndetësisë dhe dobësitë e shumta menaxheriale, Ministria e Shëndetësisë ka arritur që të shënojë rezultate evidente në përballimin me këto plagë kanceroze të shëndetësisë kosovare duke hapur rrugë për një të ardhme të ndritshme, duke pasur parasysh potencialet e mrekullueshme të profesionistëve të rinj shëndetësorë të Kosovës.

Duke punësuar vetëm në vitin 2013, 300 specialistë të lëmive të ndryshme të mjekësisë dhe duke subvencionuar shkollimin specialistik për 266 specializantë, të cilët deri në gusht të këtij viti shkollimin specialistik e mbulonin me vetë-financim, Ministria e Shëndetësisë e ka ngritur numrin e profesionistëve shëndetësorë të mbështetur nga Buxheti i saj për tre vitet e fundit në mbi 1000, me çka ka dhënë kontribut konkret për ndërprerjen e rrjedhjes së trurit mjekësor jashtë vendit dhe ruajtjen e substancës profesionale kombëtare për zbatimin e suksesshëm të reformave të planifikuara.

Mbështetja financiare për 18 specializantë nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi në vlerë prej 100.000 Euro në vitin 2013 ka dëshmuar edhe përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e kuadrove të duhura specialistike për qytetarët në trojet jashtë vendit ku jetojnë shqiptarët. Duhet theksuar se trendët pozitivë në këtë drejtim vazhdojnë me punësimin e shpejtë të 35 specialistëve të rinj si dhe hapjen e konkursit për 316 specializantë në lëmin e mjekësisë dhe stomatologjisë ndërmjet të cilëve edhe 10 specializantë të rinj nga Lugina e Preshevës.

Eco Higjiena

Korrupsioni dhe krimi i organizuar veçanërisht në sektorin farmaceutik janë duke u luftuar në mënyrë të pakompromis, nga njëra anë nëpërmjet instalimit të politikave të transparencës dhe llogaridhënies maksimale, dhe nga ana tjetër, nëpërmjet bashkëpunimit sistematik me organet përgjegjëse të drejtësisë, që po jep rezultate të përditshme për çka opinioni është mirë i informuar. Besoj se është e qartë për shumë kënd se shëndetësia është lëmi shoqërore në të cilën në mënyrën më të fuqishme është duke u luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe atë në të gjitha nivelet e organizimit, prej nivelit arsimor universitar, nëpër shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor e deri te vet Ministria e Shëndetësisë dhe organet e saja të pavarura, në radhë të parë Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale. Këto angazhime nuk do të ndalen në asnjë moment dhe do të jenë dukshëm të ndihmuara edhe me reformimin e sistemit shëndetësor që pritet fuqishëm të zhvillohet gjatë vitit që vjen.

Këto veprime si dhe investimet e vazhdueshme në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë përfshirë përmirësimin e bazës financiare të punëtorëve shëndetësorë kanë ndikuar që edhe besimi i qytetarëve në shëndetësinë kosovare të rikthehet në mënyrë graduale por të sigurt. Rezultatet e studimit të fundit të UNDP që tregojnë se 70% e qytetarëve të vendit janë të kënaqur me shërbimet e ofruara në institucionet shëndetësore të vendit si dhe që vetëm 4 % prej 1334 të intervistuarve kanë pas përvoja të përpjekjeve korruptive gjatë shfrytëzimit të këtyre shërbimeve, janë tejet inkurajuese dhe indikatorë për Ministrinë e Shëndetësisë se është në rrugë të drejtë të adresimit optimal të nevojave të qytetarëve të vendit. Natyrisht pjesa e pakënaqur prej 30% të qytetarëve mbetet sfidë e përditshme me të cilën jemi dhe do të merremi në të ardhmen me seriozitetin më të madh.

Nuk e thashë asnjë fjalë në këtë shkrim të shkurtër përkitazi me arritjet e mëdha të Ministrisë së Shëndetësisë në reformën e sistemit shëndetësor, Projektligjin për sigurimet shëndetësore, Odën e Mjekëve të Kosovës, Ligjin për Kontrollin e duhanit, shërbimet e reja si radioterapia e kancerit, kardiokirurgjia dhe emergjenca pediatrike, donacionet e huaja në vlerë prej mbi 50 milion Euro për shëndetësinë Kosovare ndërmjet të cilave edhe 2.5 milionë euro të Qeverisë Amerikane, por për këto në një rast tjetër. Reforma e filluar do të jetë ajo që do të flas me rezultatet e saj.

(Autori është ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)