Shembulli i Rufkiut

Rufki Suma dallon shumë nga kolegët e tij. Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, gjatë këtij viti, nuk ka harxhuar asnjë cent në darka e dreka. Ai nuk e ka përdorur fare as kartelën për shpenzime gjatë udhëtimeve jashtë vendit.
Madje, në një prononcim për Express, Suma thotë se nuk është interesuar as të mësojë se si përdoret kjo kartelë.
Rufki Suma me tërë kuptimin e fjalës mund të quhet njeri i veçantë.
Ai dallon shumë nga kolegët e tij, kryetarë të komunave.
Veçantia e tij nis që nga fakti se është kryetari i vetëm i një komune, në këtë rast të Hanit të Elezit, që ka fituar këtë post fillikat i vetëm.
Ai në zgjedhje ka fituar si kandidat i pavarur.
Por edhe tash, pas më shumë se dy vjetësh në detyrë, sikur ka arritur ta ruajë veçantinë.
Ndryshe nga shumë ish-bashkëluftëtarë të tij, Suma që dikur ishte edhe vetë një nga komandantët e UÇK’së, lakminë sikur e ka varrosur.
Zyra e tij, për vitin 2011, ka shpenzuar fare pak para për derivate të veturave.
Po ashtu Komuna e Hanit të Elezit nuk ka shpenzuar asnjë cent për ushqim dhe pije gjatë 2011, linjë kjo që del jashtë shpenzimeve për dreka dhe darka.
Dhe po ashtu, në këtë komunë nuk janë hasur shpenzime gjatë 2010 dhe 2011 për mëditje apo bonuse
Të gjitha këto janë evidentuar në raportin e Institutit GAP, i quajtur “Letërnjoftimi i komunës”.