RCCOLA

Shembuj demagogjie

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Arben Idrizi-Krasniqi është i paskrupullt, i pasinqertë, manipulues, njëjtë si ata që kanë vjedhur dhe e mohojnë se kanë vjedhur; njëjtë si ata që do të donin të vidhnin e s’kanë mundur të vidhnin, ose s’kanë vjedhur mjaftueshëm sa të jenë në pushtet. Thënë me një gjuhë gjoja politikisht më korrekte, është demagog.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, këtyre kohëve, në disa intervista dhe së fundi në seancën e Kuvendit, ka dalë me disa deklarime sensacionale.

Sensacionale, sa për të thënë; sensacionale po të ishim në një vend ku një person si ai s’do të mund të mbante postin që mban; sensacionale po të ishin gjërat ashtu siç do të donim të jenë ne që skandalizohemi nga të bëmat sensacionale që bëhet se gjoja po i denoncon një i tillë si z.Krasniqi.

Sipas tij, “kjo qeveri ka ardhur me vota të vjedhura”. Dhe “Ky vend e ky popull është grabitur plaçkitur e persekutuar. Ky popull perspektivën e tij duhet ta shohë në Kosovë, e jo në ikje e sipër. Deri sot ata që kanë qeverisur në këtë vend nuk janë dëshmuar se dinë ta qeverisin këtë vend. I kemi parë se dinë të pasurohen jashtëligjshëm. Kanë ndërtuar kulla e pallate dhe askush nuk ua ka prish tymin e duhanit. Kjo është më e tmerrshmja që mund t’i ndodhë këtij vendi”.

Po, bindja ime personale, e për më tepër dhe çka është shumë më e rëndësishme, e tërë kjo që ai e thotë dhe që e cituam, është e vërtetë. E kemi thënë e stërthënë, nëpër mjete të komunikimit dhe vende të tjera ku manifestohen mendimet dhe ku bëhen debate. E sa herë që e kemi thënë, politikanë si z.Krasniqi që tash vjen ta thotë pikërisht këtë, na kanë kundërshtuar. E ndonjëherë lëre që na kanë kundërshtuar, por edhe na kanë kërcënuar e fyer e përjashtuar.

Pra, pyetja që unë, si qytetar i këtij vendi, ia parashtroj vetes kur i dëgjoj ato deklarata është se mos z.Krasniqi është demagog apo vetëm një person publik që pa pritur e pakujtuar është prekur nga sëmundja e harresës?

Se, lejomëni ta them këtë, i sinqertë ai nuk është se nuk është. Po e pata gabim, kërkoj ndjesë me përulësinë më të përkorë hyjnore e tokësore.

Pse e them këtë?

Hidromorava

Ngase jam duke e ndjekur logjikën e reflektimit që ma mundëson historia e viteve të fundit. Le t’i marrim pra gjërat një nga një, për aq sa na e lejon kapaciteti ynë reflektues.

Votat janë vjedhur. Partia që më së shumti ka vjedhur vota është PDK. Jakup Krasniqi është sekretar i PDK-së dhe njëherit, duke qenë se PDK i ka fituar zgjedhjet (duke i vjedhur votat), vetvetiu ka marrë mandatin për formimin e Qeverisë, me çka, Jakup Krasniqit, si anëtar i këtij subjekti, i është mundësuar të zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Do të thotë, Jakup Krasniqi, është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës, me vota të vjedhura. Jakup Krasniqi, e di se PDK ka vjedhur vota. Por Jakup Krasniqi thotë se PDK ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, pa e përmendur veten. Po të ishte i sinqertë, le t’i themi gjërat thjesht e qartë, do ta përmendte se ai është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës nga deputetët që i kanë vjedhur votat. Dikush që pranon të zgjidhet nga ata që vjedhin, është bashkëpunëtor i keqpërdoruesve, mashtruesve, vjedhësve. Bashkëpunëtor në kuptimin e gjerë të fjalës, duke e heshtur faktin, duke i mbyllur sytë me qëllim të përfitimit, duke e nxitur vjedhjen dhe duke përfituar drejtpërdrejt. E sigurisht jo vetëm kaq. Cilën nga këto karakteristika i ka z.Krasniqi? E ka ditur se kandidatët për deputetë nga radhët e PDK-së kanë vjedhur vota, por ka heshtur? I ka mbyllur sytë me qëllim që kur të zgjidhen ata deputetë, ta votojnë për Kryetar të Kuvendit? E ka nxitur vjedhjen? Apo diçka tjetër?

Pyetjet tjera: Nuk e ka ditur se po ndodh vjedhja kur ka ndodhur vjedhja? Pse vazhdon të mbetet i zgjedhur nga ata që e kanë zgjedhur duke vjedhur?

Z.Krasniqi e di se akuza për vjedhje të votave ka pasur edhe gjatë mandateve të mëparshme, dhe pothuajse përherë këto akuza janë drejtuar në adresë të partisë së tij. Z.Krasniqi e di se partia e tij e ka mbajtur vazhdimisht pushtetin duke vjedhur, keqpërdorur, mashtruar, gënjyer. E edhe ai, në një mënyrë ose tjetër, ka qenë pjesë e asaj politike shkatërruese për vendin.

Morali: një personalitet publik politik nuk mund ta bëjë një akuzë ndaj një procesi me anë të të cilit është ngritur në përgjegjësi e të mos japë edhe vetë përgjegjësi. Do të thotë, nëse janë vjedhur votat (e ne e dimë se janë vjedhur dhe jemi të skandalizuar pse janë vjedhur), z.Krasniqi duhej të thoshte që në fillim se janë vjedhur dhe të mos pranonte të vinte në një përgjegjësi (pra, Kryetar i Kuvendit të Kosovës) përmes një vjedhjeje. Ngase, kjo i bie se, edhe ai është njëri nga ata që kanë vjedhur. E natyrisht, ne e dimë se, nëse ai personalisht nuk ka vjedhur, atëherë ka pranuar të zgjidhet nga deputetët që kanë vjedhur. Do të thotë, është bashkëpunëtor në vjedhje. Më tej, do të thotë se është i paskrupullt, i pasinqertë, manipulues, njëjtë si ata që kanë vjedhur dhe e mohojnë se kanë vjedhur; njëjtë si ata që do të donin të vidhnin e s’kanë mundur të vidhnin, ose s’kanë vjedhur mjaftueshëm sa të jenë në pushtet.

Thënë me një gjuhë gjoja politikisht më korrekte, është demagog. Bile një demagog provincial, i cili e kupton edhe vetë se as vetë nuk po i beson vetes por s’e ndal dot veten.

Përtej këtyre: në fund të fundit, mund të jetë mirë që dikush brenda PDK-së po e pranon se votat janë vjedhur. Se personalitete të larta të PDK-së janë pasuruar e bërë aq të fuqishëm sa s’guxon kush t’u thotë se i kanë sytë e zinj. Unë do të thosha se edhe vetë z.Krasniqi, disi, është njëri nga ta. Është pa dyshim njëri nga ta, kolegu i tij në qëndrime “kritike” ndaj partisë, Fatmir Limaj. E sa të tjerë që ende nuk janë vënë nën hetime.