Shembja e modelit slloven
Nga Ibrahim Rexhepi- Bankat dhe koncernet e mëdha që Sllovenia i mbajti në pronësi shtetërore tash janë shndërruar në problem – kërkesat e tyre tejkalojnë mundësitë financiare që ka shteti.
Aty janë edhe dy banka e mëdha me kapital shtetëror, në mesin e të cilave edhe NLB-ja, por jo edhe dega e saj në Prishtinë.
Shumë kosovarë kanë mbetur pa modelin e mënyrës së privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore e publike, por edhe strukturimit të ekonomisë në tërësi- Slloveninë. Ajo aktualisht është në probleme të mëdha dhe shumë analistë vlerësojnë se e ka vështirë të tejkalojë gjendjen pa kërkuar ndihmë. Nëse ndodh kjo, atëherë Sllovenia do të jetë vendi i gjashtë që do të kërkojë intervenimin e Bashkësisë Evropiane.
Njëri prej problemeve kryesore për këtë gjendje është shteti, i cili ende ka prani shumë të madhe në ekonomi, ndërsa tash është i pafuqishëm të tejkalojë të gjitha problemet që i janë grumbulluar. “Bankat e mëdha, praktikisht edhe të gjitha koncernet kryesore të vendit që qeverisen nga shteti, ‘flenë’ në kredi që nuk mund t’i paguajnë në një shumë rreth tetë miliardë eurosh.
Kjo është një e pesta e BPV-së. Posaçërisht dy bankat më të mëdha- Banka e Re e Lubjanës (NLB) dhe Banka e Re Kredituese e Mariborit, kërcënohen nga pamundësia për pagesën e kredive deri në 18 për qind nga totali. Rikapitalizimi i bankave të rrezikuara tejkalon dukshëm mundësitë financiare të këtij shteti të vogël”, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung
Problemi i bankave në Slloveni kaherë është shndërruar në krizë strukturale, meqenëse me vonesë ka filluar privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore. Tash shteti po mundohet t’i shesë krejt subjektet që janë të rrezikuara- bankat, kompaninë e stërngarkuar me borxhe Adria Airways, telekomin, industrinë e naftës, qumështoret dhe hotelet. Por, pa sukses, vlerësojnë analistët gjermanë. Gjendja mbetet shqetësuese, meqenëse vlerësohet se “për mjekim” bankat kërkojnë së paku 3,5 miliardë euro, meqenëse tepër janë ekspozuar ndaj projekteve me rrezik.
Gjendja në sektorin bankar është pasqyrë për situatën e përgjithshme në ekonomi. Në kuartalin e dytë prodhimi vendorë ka rënë 3,2 për qind, ndërsa OECD-ja parasheh që deri në fund të vitit kjo rënie të rritet edhe për një pikë të përqindjes, ndërsa në mot edhe 0,4 për qind. Sllovenia në mot duhet të kthej borxhe prej tre miliardë eurosh, ndërsa qeveria në përpjekje për të zbutur krizën planifikon që të emetoj bono, të destinuara vetëm për tregun amerikan.
Në këtë mënyrë shpreson se do të mbledhë 1,5 miliardë euro, ashtu që ta madje situatën deri kah fundi i viti. Por, në këto përpjekje ka pak aleatë, meqenëse tri agjencitë kryesore kanë ulur reitingun kreditues të Sllovenisë, ndërsa bonot e qeverisë sllovene gati se janë shndërruar në “letër me rrezik të lartë”.
Tregimi për Slloveninë do të ishte i parëndësishëm për lexuesin kosovarë, sikur të mos merre parasysh disa fakte. E para, ky vend tash nga një model i mirë, po shndërrohet në një model të keq, posaçërisht për kosovarët, të cilët aspiratat për ndërtimin e shtetit funksionale dhe ekonomisë së qëndrueshme i bazonin në mënyrën se si ka punuar Sllovenia. Gjendja aktuale dëshmon se qeveria e këtij vendi në një moment nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për reforma dhe ndryshime strukturale, prandaj gjendja në ekonomi tash është e papërballueshme.
E dyta, kriza që ka përfshirë Evropën, po zgjerohet edhe më tej, madje duke rrënuar edhe ekonomitë që deri dje llogariteshin shumë stabile.
E treta, është ndërlidhja ekonomike e Kosovës me Slloveninë dhe mundësia e përplasjes së kësaj gjendje edhe në shtetin tonë, ndonëse ka pak shans. Kjo, për faktin se që nga viti 2007, e deri në fund të vitit të kaluar Kosova ka përfituar pak më shumë se 142 milionë euro si kapital delikt slloven, i cili në total merr pjesë 7,7 për qind. Eksporti kosovar në këtë vend sillet rreth 6 milionë euro, ose në strukturën e përgjithshme merr pjesë 2,2 për qind, sa edhe importi, i cili vjet ka arritur në 71 milionë euro.
Sipas skenarit më të errët, i cili vështirë se mund të ndodhë, edhe sikur ekonomia sllovene të jetë krejtësisht e paaftë për pagesë, kur është në pyetje shkëmbimi i mallrave, kjo nuk do të reflektohej aq negativisht në ekonominë kosovare. Për shkak të pjesëmarrjes së ulët të eksporti dhe importit nga ky vend, ai mund të riorientohet në tregjet e tjera, ndonëse për këtë duhen përpjekje shtesë.
Lajmet e këtilla nga shteti që dikur ishte model mund të shqetësojnë vetëm ata që kanë paratë në NLB Prishtina, e cila është degë e asaj në Lubjanë. Aktualisht këto shqetësime janë të kota, meqenëse banka në Prishtinë është stabile dhe nuk ka obligim që me paratë e kosovarëve të intervenoj për sanimin e gjendjes në bankën mëmë, e cila këtu ka 82 për qind të aksioneve. Ndryshimet më të mëdha mund të ndodhin nëse banka sllovene ndërron pronarin, pasi që shteti në këtë situatë e ka vështirë të mbajë 64 për qind të aksioneve sa ka, apo që pronari të kërkoj që ta merr disidenten, përkatësisht që ajo të mos mbetet në Prishtinë dhe të mos përdorët për rritjen e kapitalit të bankës.
Edhe në këto dy situata NLB Prishtina nuk mund të lëkundet, pasi që nuk ka ndjekur modelin e bankës mëmë kur është në pyetje financimi i projekteve me rrezik. Nga aspekti financiar, kjo bankë ka fonde të mjaftueshme, ka mbulesë të mirë të rrezikut dhe rritje të vazhdueshme.
Aktualisht kontrollon mbi 13 për qind të tregut bankar në Kosovë, në kredi në fund të qershorit kishte mbi 231 milionë euro, ose 11,6 më shumë se në fund të dhjetorit vjetëm, në depozita – mbi 337 milionë euro me një rritje 3,4 për qind, ndërsa vjet kishte fitim 4,4 milionë euro, që është 400 mijë euro më shuam se në fund të vitit 2010.
Situata në të cilën gjendet Sllovenia, është treguesi më i mirë se çfarë problemesh mund të ketë shteti, i cili me kohë nuk heq dorë nga pronësia e shumicës së aksioneve nëpër ndërmarrje. Posaçërisht këto zhvillime duhet t’i analizoj Qeveria e Kosovës, e cila është në fazën e privatizimit të ndërmarrjeve publike.
Meqenëse ajo është dëshmuar e paaftë që këto pasuri t’i menaxhoj me nikoqirllëk, pastaj se ndërmarrjet publike i shndërruar në burim të përhershëm të korrupsionit, paligjshmërisë dhe të nepotizmit. Prandaj, në pamundësi të ndryshimit të kësaj qasje,atëherë nuk ka asgjë të keqe që të bëjë privatizimin e tyre.
Me këtë rast, qeveria do të tregohej e përgjegjshme, sikurse të caktoj vlerën e asetit që shet, të përfitoj më shumë nga çmimi i shitjes dhe parat që arkëton nga privatizimit të mos i murosë të gjitha në infrastrukturën rrugore.