SHBA: Tërësia territoriale e Kosovës dhe sovraniteti nuk prekën

Tërësia territoriale e Kosovës dhe sovraniteti i saj nuk janë dhe nuk do të jenë në pikëpyetje. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të SHBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë dhe në rrugën e sajë drejt integrimeve euroatlantike, tha Philip Gordon, ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, gjatë një takimi me ministrja e Integrimit Evropian Vlora Çitaku dhe këshilltari i Kryeministrit, Bekim Çollaku, të cilëtpo qëndrojnë për një vizitë pune në SHBA.
Temë qendrore e takimit të ministres Çitaku dhe këshilltarit Çollaku me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Philip Gordon dhe me ndihmës -zëvendës sekretarin në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ishte procesi i integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, thuhet se Gordon i siguroi ministren Çitaku dhe këshilltarin Çollaku se SHBA-të mbështesin fuqishëm pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës
“Tërësia territoriale e Kosovës dhe sovraniteti i saj nuk janë dhe nuk do të jenë në pikëpyetje. Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të SHBA-ve në procesin e dialogut me Serbinë dhe në rrugën e sajë drejt integrimeve euroatlantike”, tha Gordon.
Ndërsa ministrja Çitaku ka thënë se Kosova do të përmbushë të gjitha detyrimet në kontekst të integrimit Evropian.
“Kriteret afatshkurtra do te përmbushen në afat rekord. Por, procesi i integrimit Evropian, për aq sa është proces teknik, është edhe proces politik. Kosova llogaritë në mbështetjen e SHBA-ve në proceset e saja integruese” , tha ministrja Çitaku
“Rruga drejt BE-së do të kërkoj shumë reforma. Reformat nuk janë gjithmonë popullore, dhe shpeshherë kërkojnë vendime jo të lehta, por ne jemi të bindur që kjo është rruga e vetme përpara. Është momenti i fundit që të vulosim përmbylljen e tranzicionit politik dhe të përqendrohemi në reforma dhe zhvillim”, ka thënë ministrja Çitaku.
Këshilltari i kryeministrit, Bekim Çollaku ka thënë se procesi i normalizimit të mardhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për stabilitetin, paqen dhe parakusht për integrimet e mëtutjeshme euroatlanitke.
“Ne do të jemi të përgjegjshëm në përmbushjen e detyrimeve tona. Roli, mbështetja dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-ve në këtë kontekst është jetik për suksesin dhe kredibilitetin e dialogut”, ka thënë ai.