Uji Dea

SHBA kundër platformës, BE hesht

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Beogradi zyrtar vazhdon të insistojë në kërkesën për autonomi për komunat serbe në Kosovë. Madje presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic ka nisur takime intensive me përfaqësuesit ilegal të veriut për të diskutuar detajet e kësaj platforme.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës bashkë me opozitën, shoqërinë civile e të mbështetur edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kritikuar ashpër një qëndrim të tillë të Serbisë.

Ambasadorja Amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson ka thënë të shtunën për mediet kosovare, se Platforma e Serbisë për Kosovën nuk është asgjë tjetër pos një copë letër.

“Më vjen shumë mirë që në deklaratat e Qeverisë këtë javë, për shembull, deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të Blerim Shalës, është thënë se Qeveria këtu mbetet e përqendruar në dialog dhe nuk do të lejojë të shpërqendrohet nga një copë letre”, citohet ambasadorja amerikane të ketë thënë për mediet kosovare.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët edhe po e ndërmjetësojnë dialogun Prishtinë- Beograd vazhdojnë të jenë të heshtur.

E kontaktuar nga gazeta, Maja Kocijancic, zëdhënëse e baroneshës Catherine Ashton, nuk është përgjigjur gjatë ditës së shtunë. Edhe ditë më parë e kontaktuar nga gazeta ajo nuk ka dashur ta komentojë platformën serbe.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka thënë se kjo platformë është sa për konsum të brendshëm të Serbisë, dhe se ajo është e papranueshme si për Kosovën ashtu edhe për faktorin ndërkombëtar.“Qëndrimi ynë është i qartë, nuk ka status të veçantë për veriun, nuk ka autonomi për veriun dhe nuk ka as ndarje të Kosovës. Asgjë nuk do të kalojë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Kuçi, shkruan “Zëri”.

Edhe zëvendëskryeministri serb në Qeverinë e Kosovës, Slobodan Petrovic ka thënë të shtunën se kjo platformë e Serbisë nuk përkon me realitetin.

Nga ana tjetër, opozitës në Kosovë nuk i mjaftojnë vetëm deklaratat e zyrtarëve të lartë, se kjo platformë nuk është e vlefshme. Ata po ashtu shprehen të pakënaqur me qëndrimin e Brukselit, i cili nuk po reagon karshi kësaj platforme.

KKVITI

Skënder Hyseni nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se gati çdo iniciativë e Serbisë, është pranuar nga Brukseli, dhe për këtë Prishtina nuk po reagon.

“Prishtina nuk po bën aspak presion mbi Brukselin zyrtar, ajo po e lejon që Brukseli bashkë me Beogradin të bëjnë çfarë të duan. Kurse Beogradi në vazhdimësi po bën presione mbi Brukselin dhe gjithmonë ia arrin qëllimin”, tha Hyseni.

Deputetët e Vetëvendosjes këmbëngulin në ndërprerjen e bisedimeve. “Prej fillimit nuk është dashtë të bisedohet me Serbinë, ndërsa tani nëse vazhdohen bisedimet, automatikisht do të thotë që kjo Qeveri po e pranon platformën e Beogradit”, tha Visar Ymeri nga Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Ivica Dacic, kryeministër i Serbisë, duke folur për platformën ka deklaruar të shtunën se Serbia është e vetëdijshme se Kosova më nuk është Serbi, andaj edhe po përpiqen që të shpëtojnë atë çka munden nga Kosova.

“Platforma për Kosovën është dokumenti i parë të cilin presidenti i Serbisë ua ka prezantuar përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare. Ky është propozimi ynë për zgjidhjen e atij problemi, dhe mjaft ka pasur politikë se Kosova është Serbi, kurse në jetën reale Kosova është gjithnjë e më larg nga Serbia. Neve na mbetet të shpëtojmë atë që mund të shpëtojmë”, është cituar Daçiq të shtunën nga mediat serbe.

Këmbëngulës në atë që po e kërkojnë, presidenti serb Nikolic tashmë ka nisur takimet me strukturat ilegale të veriut. Në një takim të përbashkët të mbajtur të premten mbrëma Nikolic u ka thënë atyre se kjo platformë mbron interesat, të drejtat dhe dinjitetin e tyre.

Ndërkaq siç njoftojnë mediat serbe, përfaqësuesit e strukturave serbe ne Kosovë kanë kërkuar nga Nikolic që të sigurojë edhe kthimin e rreth 200 mijë serbëve të dëbuar nga territori i Kosovës.

Platforma serbe, nuk kërkon autonomi veç për komunat në veri, por për të gjitha ato me banorë serbë, si Graçanica, Shtërpca dhe Gora. /Telegrafi/