SHBA-ja nuk kritikon vendimin për gjyqtarët serbë, por thekson garantimin e mundësive të barabarta
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë nuk ka kritikuar vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për të mos i rikthyer në detyrë gjyqtarët dhe stafin administrativ serb që kishin dhënë dorëheqje.
Ambasada amerikane ka theksuar rëndësinë e garantimit të përfaqësimit të serbëve në institucionet e Kosovës dhe ka kërkuar që ata të kenë mundësi të barabarta për pjesëmarrje në jetën politike dhe qytetare.
Duke komentuar vendimin e Këshillit Gjyqësor për të refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe personelit administrativ për të tërhequr dorëheqjet dhe për t’u kthyer në sistemin gjyqësor, ambasada e SHBA-së, në një përgjigje për portalin “Kosovo Online”, ka kujtuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucione.
“Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucione. Ne presim që Qeveria e Kosovës të sigurojë që serbët të kenë mundësi të barabarta dhe të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të avokojmë për këtë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.


