Fundamenti

SharrCemi ia rrezikon postin ministres Kusari

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, mund t’ia shohë sherrin vendimit që ka marrë për t’u vënë taksë prej 35 për qind importuesve të çimentos.

Do të jenë deputetët e koalicionit qeverisës ata që do të kërkojnë shkarkimin e saj gjatë ditëve në vijim, në rast se ajo nuk e shfuqizon vendimin që tashmë i ka acaruar edhe autoritetet në Shqipëri.

Pas publikimit të lajmit në “Kohën Ditore”, se një vendim i tillë e favorizon prodhuesin e vetëm të çimentos në Kosovë “SharrCem”, e në anën tjetër e dëmton prodhuesin e çimentos nga Fushë-Kruja, i cili deri tani ka dominuar në tregun e Kosovës, kanë reaguar edhe dy deputetë të koalicionit qeverisës, Emin Gërbeshi i Koalicionit Kosova e Re dhe Shaip Muja i Partisë Demokratike të Kosovës.

I pari ka shfaqur dyshime se vendimi është marr për interesa klanore, ndërsa i dyti ka akuzuar për aplikim të politikave të dëmshme tregtare kundrejt Republikës së Shqipërisë.

Deputeti Gërbeshi, që vjen nga po e njëjta parti me ministren Kusari-Lila, ka shfaqur bindjen se vendimi nuk është marrë për ta mbrojtur prodhimin vendës, por për t’i favorizuar grupet e caktuara që duan të dominojnë në ekonominë vendëse.

“Duke vepruar kështu po dëmtohet jo vetëm ekonomia, por edhe kombi ynë”, ka deklaruar Gërbeshi.

Vënia e taksës për çimento, sipas tij, prodhon efekte negative në shumë segmente. “E para, çrregullon furnizimin e tregut me çimento, kur dihet se çimentoja e Shqipërisë është dukshëm më e lirë se ajo e ‘SharrCemit”; rrit koston e ndërtimit; ndikon në rritjen e çmimeve tjera përgjithësisht, si dhe rrezikon sektorin e ndërtimeve që është shumë i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës”, ka theksuar Gërbeshi.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që një vendim i tillë i ndërmarrë nga MTI-ja do ta nxisë Shqipërinë të veprojë ngjashëm me disa prodhime tonat.

Duke kërkuar që prodhimi i çimentos në Shqipëri të konsiderohet si produkt vendës, ai i ka bërë apel kryeministrit Thaçi që ta anulojë vendimin e Kusarit.

“I propozoj Qeverisë së Kosovës që të anulojë menjëherë këtë vendim të dëmshëm dhe të trajtojë prodhimet e Shqipërisë si prodhime vendore, sepse vetëm kështu ne do të lëmë anash retorikën false dhe do t’u kthehemi prodhimeve tona duke i ndihmuar ekonomisë dhe popullit tonë.

Nëse nuk ndodh kjo, atëherë unë personalisht, si deputet, do të kërkoj dorëheqjen e ministres Mimoza Kusari dhe do të mundohem të paraqes në Parlament një mocion përmes të cilit do të kërkoj që prodhimet e Kosovës dhe të Shqipërisë të njihen si prodhime vendore dhe të hiqen barrierat doganore dhe barrierat tjera për këto prodhime”, ka theksuar Gërbeshi.

Suksesi i Qeverisë, sipas tij, nuk matet me përmasat makroekonomike, por nga një qeverisje e mirë.

Eco Higjiena

“Por, me sa po e shoh dhe sa po duket kësaj Qeverie i mungon kjo qeverisje e mirë”, ka thënë Gërbeshi.

Linjë të njëjtë qëndrimi ka mbajtur edhe deputeti i PDK-së, Shaip Muja. Ky i fundit ka përkujtuar se me gjithë faktin se privatizimi i “SharrCemit” nuk është bërë në mënyrë të rregullt, MTI-ja tash po përpiqet t’i bëjë favorizime që bien në kundërshtim me rregullat e konkurrencës.

“Sot ndërtimi kontrollohet nga ‘Titani’ përmes çimentos në tërë Ballkanin, prandaj nuk duhet që MTI-ja të përzihet në këtë çështje, sepse ne na ngrit shumë dyshime për keqpërdorime serioze, e ku ministrja është angazhuar zëshëm derisa është bërë ministre që të mos futet në këto lojëra”, ka thënë Muja.

Këto lojëra, sipas tij, janë të dëmshme si për autoritetin qeveritar ashtu edhe për kualitetin e konkurrencës në treg.

“Kisha kërkuar që të anulohen ato vendime që janë bërë në drejtim të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë të dëmshme e të cilat janë duke u politizuar”, ka shtuar Muja.

Ministrja Kusari-Lila ka insistuar se vendimi ka bazë ligjore dhe se atë e ka marrë për t’i mbrojtur prodhimet e vendit. Ajo ka përjashtuar çdo mundësi që vendimi të jetë marrë në baza personale apo të njoftësisë. “Kosova është vend i vogël dhe njerëzit njihen në mes vete dhe ne vendimin e kemi marrë në bazë të mendimit të komisionit dhe është dokumentacioni.

Nuk ka të bëjë kjo me favor të një individi a të një kompanie. Është tepër vendim i rëndësishëm për me qenë, apo me u personalizu”, ka thënë Kusari-Lila për “Kohën Ditore” të martën. Çmimi për ton të çimentos së importuar nga Shqipëria deri më tani ka qenë për 12 euro më i lirë se ai i prodhuar nga “SharrCem”. Me aplikimin e tarifës prej 35 për qind, çmimi për ton të importuar do të shtrenjtohet për rreth 20 euro.

Vënia e kësaj tarife është bërë pas një kërkese të kompanisë “SharrCem”. Në kërkesën e vet, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe gazeta, “SharrCem” është arsyetuar se nuk mund të dalë me çmim konkurrues me atë të Shqipërisë, për faktin se përdor makineri të vjetruar.

Vendimi i MTI-së i ka alarmuar autoritetet qeveritare në Shqipëri. Zëvendësministri i Tregtisë, Enno Bozdo, ka njoftuar se aktualisht janë duke e analizuar nëse vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me rregullat e CEFTA-s e më pas do të reagojnë në sekretariatin e kësaj organizate.

Pas aplikimit të taksës për çimento, kufirin e Kosovës nuk e ka kaluar asnjë kamion me këtë produkt nga Shqipëria.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës çimentoja nga Shqipëria e ka mbizotëruar importin gjatë vitit 2011. Nga ky shtet janë importuar 226 milionë e 847 kilogramë, apo 226 mijë e 847 tonë çimento.

Vlera doganore e sasisë së importuar nga Shqipëria ka qenë 14 milionë e 473 mijë e 559 euro. Nga kjo sasi importuar nga Shqipëria në buxhetin e Kosovës janë derdhur 2 milionë e 319 mijë euro nga pagesa e TVSH-së që është bërë me rastin e importit. Edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2012 importi nga Shqipëria ka vazhduar të dominojë, pasi janë importuar 102 tonë çimento.(koha.net)