Shaqiri premton të bëhet idhull i bavarezëve
Prishtinë – Mesfushori nga Kosova, Xherdan Shaqiri, ka një javë që ka nisur aventurën te klubi i ri, Bayern Muenchen.
Dhe, qysh tash, ai ka nisur ta ndiejë veten si futbollist i vlefshëm te klubi më i madh në Gjermani. Madje, vetes i ka dhënë edhe një premtim – të bëhet idhull i tifozëve bavarezë. Shaqiri 20-vjeçar të dielën në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” ka thënë se mezi pret të nisë edicioni i ri në Bundesligën gjermane për të dëshmuar vlerat e tij të një futbollisti kampion.
“Pritja ka qenë e shkëlqyeshme. Kjo javë më ka shkuar shumë mirë. Kam shumë për të dhënë derisa të nisë edicioni i ri dhe besoj se do t’i bëj të gjithë për vete. Natyra ime është të luftoj dhe të mos dorëzohem deri në fund. Dua të dëshmohem qysh në ndeshjen e parë si lojtar kampion. Bayerni më ka blerë për të luajtur dhe unë do të jap maksimumin që t’ia shpaguaj besimin”, ka thënë Shaqiri.
Shaqiri njihet si futbollist kampion, pasi në tre vjetët e fundit sa ishte pjesë e Baselit, fitoi tre tituj të kampionit rresht dhe dy herë Kupën e Zvicrës. U shpall dy herë rresht edhe futbollisti më i mirë zviceran (gjerësisht në “Kohën Ditore”).