Uji Dea

Shaqiri, për të dytën herë rresht, Futbollist i Vitit në Zvicër

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Ndërsa Granit Xhaka është zgjedhur futbollisti i ri më i mirë i Zvicrës, Shaqiri ka marrë edhe çmimin për golin më të mirë.

Në “natën e futbollit zviceran”, të 15-tën me radhë, që u mbajt mbrëmë në stadiumin “Stade de Suisse” të Bernës, ashtu sikur edhe vitin e kaluar, Xherdan Shaqiri është zgjedhur Futbollisti i vitit i Zvicrës (Lojtari Credit Suisse i vitit).

Në fakt, skuadra kampione dhe fituese e kupës, FC Baseli i Shaqirit dhe i Xhakës ka marrë 6 çmimet nga gjithsej 9 kategoritë për të cilat janë ndarë ato, duke dëshmuar kështu superioritetin e saj në futbollin zviceran.

Kandidatë rivalë të Shaqirit për kategorinë e futbollistit më të mirë të vitit kanë qenë Stephan Lichtsteiner dhe portieri Diego Benaglio, të cilët ai i ka lënë mbrapa.

Por, Shaqiri, i cili ka vetëm edhe një muaj në Zvicër para se të kalojë në Bayern të Munihut, ka marrë edhe një çmim. Atë në kategorinë e golit më të bukur të shënuar gjatë sezonit që përfundoi. Kështu “Goli i vitit” është vlerësuar ai që është bërë i njohur me nofkën “Bicicletta” që futbollisti më i mirë i Zvicrës e ka shënuar më 7 prill, në ndeshjen kundër FC Luzernit.

Një çmim të rëndësishëm, në mbrëmjen ku janë ndarë 9 çmime të ndryshme, e ka fituar edhe Granit Xhaka. Ai është zgjedhur futbollisti i ri më i mirë i Zvicrës. Xhaka, i cili këtë verë do të kalojë në Borussia Mönchengladbach, Gjermani, si rivalë kryesorë për këtë çmim ka pasur lojtarët Oliver Buff dhe Ricardo Rodriguez.

Uji Dea

Futbollistja e vitit është zgjedhur Lara Dickenmann e cila luan për Olympique Lyon të Francës.

Në kategorinë “Lojtari i vitit i Super-ligës” ashtu sikurse edhe vitin e kaluar është zgjedhur Alex Frei i FC Baselit. Me 24 gola të shënuar vetëm gjatë kampionatit, ai ka qenë edhe sivjet golashënuesi më i mirë i ligës. Po kështu Frei ka shënuar edhe 9 gola të tjerë, për kombëtaren e Zvicrës dhe në ndeshjet për kupë.

Në listën e çmimeve që ka fituar FC Basel bën pjesë edhe trajneri gjerman i këtij klubi, Heiko Vogel. 36 vjeçari është shpallur trajneri i vitit, duke trashëguar Pierluigi Tami-n, trajnerin e U21 të Zvicrës.

Pas shkuarjes së ish trajnerit Thirsten Fink në Hamburg, ndihmësit të tij të deriatëhershëm, Heiko Vogel i ra barra e klubit. Por, me gjithë dyshimet e shprehura se nuk do t`ia dalë, Vogel arriti madje më shumë se sa mund të pritej prej tij: e drejtoi FC Baselin drejt titullit të kampionit të superligës së Zvicrës dhe të fituesit të Kupës së Zvicrës. Vogel është zgjedhur si i pari edhe në kategorinë “Fairplay”.

Si ekipi më i mirë i ndeshjeve për kupën e Zvicrës është zgjedhur FC Winterthur i Challenge League, përkundër faktit se kjo skuadër nuk e ka fituar kupën pasi që është mundur në gjysmëginale nga FC Baseli superior, i cili pasi e ka mundur pastaj FC Luzernin në finale, e ka fituar edhe kupën e Zvicrës.(albinfo)