Shaqiri në stil të Riberys

Xherdan Shaqiri ka zbarkuar në ‘Allianz Arena’, derisa ka zhvilluar stërvitjen e parë me Bayern Munchenin. Ai insiston se mënyra se si luan ai, i afrohet stilit të Franck Riberys. 21 vjeçari shpreson të integrohet sa më shpejt në ekipin e Bayernit dhe të fitojë titull të kampionit me këtë ekip.
Ish futbollisti i Baselit është i pavendosur për Olimpiadë
Xherdan Shaqiri e ka zhvilluar stërvitjen e parë më Bayern Munchenin. Futbollisti i deridjeshëm i Baselit iu bashkua gjigantit bavarez për shifrën 12 milionë euro, ndërsa përpos tij nënkampioni evropian dhe gjerman e transferoi edhe kroatin Mario Mandzukic.
21 vjeçari, i cili ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2016, shpreson të ketë eksperiencë pozitive në Allianz Arena. Ai e përshkruan veten si futbollist që luan në stilin e Franck Riberys.
“Nuk dëshiroj të konfrontohem me lojtarët tjerë, secili i ka kualitetet e veta. Unë jam lojtar kreativ që mund ta bëj pasimin e fundit. Kështu do të thosha. Pra, jam më shumë lojtar i stilit të Riberys”, ka thënë futbollisti gjilanas për tabloidin gjerman Bild.
Përgatitjet për sezonin e ri kanë filluar më 1 korrik. Ai ndihet i gatshëm për këtë aventurë të re. “Jam mjaftueshëm i përgatitur, duke u bazuar në një plan që e kam marrë nga Bavaria. Do ta shoh më mirë se ku jam, kur të fillojnë përgatitjet”, vazhdoi ai.
Shaqiri tregon se në fillim kishte dashur ta merrte numrin 17, të cilin e mbante edhe në Basel, por ai ishte i zënë sepse e mban mbrojtësi Jerome Boateng. Prandaj, ai vendosi ta merrte numrin 11.
Përfaqësuesi zviceran mezi pret ta zhvillojë ndeshjen e parë në fanellën e Bayernit. Ai është i vetëdijshëm për konkurrencën e fortë që e pret.
“Në Bayern, pasi ky ekip ka mbetur pa titull që dy vjet, presioni dhe konkurrenca është edhe më e fortë. Por, nëse luan mirë, të jepet mundësia më shpesh ta tregosh veten”, vijoi ai.
Ai paralajmëron se mund të jetë i rrezikshëm me gjuajtjet e lira, ndërsa shton se mund të luajë në të dyja krahët, varësisht se ku ka nevojë ta vendosë trajneri.
“Objektiv imi është që të integrohem sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk dëshiroj të konsiderohem si një përforcim i madh. Unë dëshiroj t’i shfaq vlerat e mia dhe shpresoj që ta fitojmë titullin e kampionit”, nënvizoi Shaqiri.
Ai është ende i pavendosur rreth pjesëmarrjes apo jo në Lojërat Olimpike ‘Londra 2012’ me përfaqësuesen e Zvicrës.
“Do të diskutojmë për këtë punë në qetësi. Mirëpo, prirja ime është në Bayern. Mund të integrohem në përfaqësuese vetëm kur të jem 100 për qind në Bavari”, përfundoi Shaqiri.