Shaqiri, lojtari i vitit në Zvicër

Xherdan Shaqirit i është shpërblyer paraqitja e shkëlqyeshme në sezonin e kaluar në futbollin zviceran. Futbollisti kosovar është zgjedhur futbollisti më i mirë i sezonit 2011/12, në natën gala të mbajtur të dielën mbrëma në Stade de Suisse, në çmimin ‘Swiss Golden Player Awards 2012’.
Mesfushori i Bayern Munichut është votuar më së shumti nga kolegët e sporteve të ndryshme, të cilët po ashtu e zgjodhën si futbollistin më të mirë të ri.
Portieri më i mirë u zgjodh Yann Sommer (Basel), Alexander Frei (Basel) ishte sulmuesi më i mirë, Aleksandar Dragovic (Basel) mbrojtësi më i mirë dhe Aleksander Farnerud (Young Boys) ishte më i miri ndër mesfushorë.
Kurse, lojtari më i mirë në kategorinë e të rinjve ishte Oscar Scarione (St. Gallen). Në këtë listë nuk mundi të hynte futbollisti tjetër kosovar, Granit Xhaka, i cili po ashtu pati një sezon të shkëlqyeshëm, për t’u transferuar më pas në Borussia Monchengladbach.