RCCOLA

Shaqiri: Guardiola më do, në gusht jam në Prishtinë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Kishte ikur si refugjat, sa ishte fëmijë, nga Kosova në Zvicër, së bashku me familjen e tij, ndërsa sot ai është rikthyer si kampion evropian në Zhegrën e tij të lindjes. Futbollisti, i cili ngriti tri kupa me Bayern Munchen edicionin që po lëmë pas, Xherdan Shaqiri për momentin po qëndron në Kosovë, megjithëse ardhja e tij këtu ka të bëjë enkas me arsyeje personale. 21-vjeçari ka pasur rast vdekje dhe ka ardhur vetëm për ceremoni mortore, ndërsa sot do të niset menjëherë për Gjermani. Megjithatë ai ka gjetur pak kohë të flasë edhe për “Zërin” rreth të arriturave të tij dhe të ardhmes që e pret.

Gjithmonë i “mbikëqyrur” nga vëllai i tij më i madh Erdini, i cili është njëkohësisht edhe menaxheri i tij, Xherdani shumë i thjeshtë dhe i hareshëm ka pranuar të flasë për gazetën. Duke folur për edicionin e kaluar, ai u shpreh: “Kemi pasur një edicion të suksesshëm vitin e kaluar. Tani e kemi Guardiolën trajner dhe shpresoj që me të zhvillohem edhe më shumë. Nuk e kam ndërmend largimin nga Bayerni pasi që kam dëgjuar fjalë se Guardiola më dëshiron në skuadër. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin tim dhe të tregoj veten sikur vitin e kaluar”, ka thënë Shaqiri, i cili të hënën do të bëjë stërvitjen e parë me klubin bavarez.

“Qysh nesër (sot), do të fluturoj për Gjermani pasi menjëherë të hënën do të kem stërvitjen e parë me ekipin nën urdhrat e Guardiolas”, ka shtuar 21-vjeçari. I pyetur nëse ai mund të jetë Messi i ardhshëm i Bayernit dhe i Guardiolas, gjilanasi u shpreh: “Messi është një nivel më lart se unë. Ai është më i miri në botë. Sidoqoftë unë do të vazhdoj të punoj që të përmisohem sa më shumë te Bayerni dhe të jap maksimumin për klubin”.

Mobi Casa

Reprezentuesi i Zvicrës ndër të tjera ka zbuluar se në gusht do të jetë në Kosovë, respektivisht në Prishtinë. “E tëra që mund të ju them është se në muajin gusht do të jemi prapë në Prishtinë ku do të organizojmë një konferencë për shtyp dhe do të kem mundësinë t’u adresohem të gjitha medieve dhe njerëzve në Kosovë gjerë dhe gjatë”, ka thënë Erdini, vëllai dhe menaxheri i Xherdanit, pa dashur të zbulojë arsyen kryesore të kësaj konference.

Më 15 qershor në stadiumin e qytetit, FC Prishtina kishte organizuar një ndeshje me yjet shqiptarë që luajnë nëpër Evropë, ku ishin pjesëmarrës edhe dy shokët e Shaqirit nga përfaqësuesja e Zvicrës, Valon Behrami e Granit Xhaka, por jo edhe vetë Shaqiri. Gjilanasi ka thënë se ftesa i ka ardhur shumë me vonesë se përndryshe me dëshirë do të kishte ardhur. “Kur më ka ardhur ftesa ishte shumë vonë pasi që tashmë kisha vendosur për gjëra të tjera. Më ka mbetur merak pasi që do të vija me dëshirë ndonjë herë tjetër”, zbuloi ai.

Për fund ai komentoi edhe ngritjen e flamurit kosovar, në Wembley të Londrës kur me Bayernin u bë kampion i Evropës. “Ka qenë ndjenjë e mirë dhe kam dashur që të përfaqësoj popullin e Kosovës”, ka thënë ai. Ndërkohë në momentin kur u pyet të komentojë kundërshtimin që Serbia ka bërë ndaj këtij gjesti, ndërhyri menjëherë vëllai i tij Erdini, “Xherdani nuk do të komentojë asgjë rreth çështjeve politike”, tha Erdini.(zeri)