Uji Dea

Shaqir Ali Keçmezi “Shaqa”- Kosova një ditë do të bashkohej me Shqipërinë deshi o s`deshi Jugosllavia

/ 17 minuta lexim

Nga Sabile Keçmezi Basha – T`i kujtojmë atdhetarët tanë: (1927- e mbytën më 28 nëntor 1968). Shaqir Ali Keçmezi ishte i lindur më 1927, në fshatin Koretin, Komuna e Dardanës (Ish-Kamenicë), nga babai Ali dhe nëna Humë, e lindur Kryeziu (Roganë). Ishte i pa martuar. Merrej me bujqësi dhe vinte nga një familje mesatarisht e kamur. Qysh në rinin e hershme ai kishte përjetuar dhunë e terror që kishte ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore (L.D.B). Po ashtu mu në këtë kohë ai bie në kontakt me shumë të rinj përparimtar dhe atdhetar. Njihej me Qemajl Kallabën, ngase dajat i kishte në Roganë dhe takohej shpesh me të, po ashtu edhe me Ismet Dërmakun, ngase ai, vinte shpesh në fshat tek kushërirat që ishin të martuar për dy kushëri të Shaqir Keçmezit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Anamoravë, pikërisht në fshatin Koretin të Kamenicës, flitet për trimërinë dhe ndihmën që iu kishte dhënë fshatarëve Fuat Dibra, gjatë një ploje nga ana e bullgarëve. Tregonte gjyshja ime- Huma Keçmezi se si bullgaret kishin hy në fshat dhe kishin marr të gjithë burrat e fshatit për ti pushkatua tek xhamia e fshatit. Në mesin e fshatrave ndodhej edhe Shaqir Keçmezi, s bashku me babain e vet Aliun. Në ndërkohë, në fshat ia behin forcat e Fuad Dibrës dhe gratë e fshatit i dalin para dhe i tregojnë se burrat i kanë grumbullua dhe në çdo moment pritet ti pushkatojnë bullgaret. Tregojnë se me një shpejtësi prej vetëtime dhe me një mllefi të pa parë e rrethojnë fshatin, bullgaret e mjerë dorëzohen, ndërsa burrat e fshatit, kthehen në shtëpi. Për të falënderuar kolonelin Fuad Dibrën, për shpëtimin e fshatarëve, ato përgatisin ushqime dhe iu japin me vete, në këtë mënyrë shprehin falënderimin e tyre të thellë, ndaj Kolonelit dhe ushtarëve të tij. Pasi i shpëtojnë pushkatimit, Shaqir Keçmezi iu ofrua kolonelit dhe e luti që ta merrte me veti si luftëtarin e tij. Ai nuk pranon, ngase i dukej tepër i ri, por megjithatë i premton se një ditë do të kthehej dhe do e marri me vete. Në ndarje me djaloshin e ri, nga ai kishte kërkua që ta dojë vendin dhe ta mbroj me çdo kusht. Shaqir Keçmezi i kishte premtua se do e vazhdoi rrugën e tij. Thellë në vete u betua se do ec gjurmëve të këtij trimi dhe ashtu ndodhi. Nga ajo ditë ai u angazhua që të vepronte kundër bandave çetnike- partizane, duke veprua në ilegalitet me shokët e idealit.

Duke u larguar nga aty, Fuat Dibra me ushtaret e tij, gjyshja e kishte pyet se prej nga ju kemi o trim, ai i tregon se ishte nga Shqipëria. “Nga larg paske ardhur o bir”, i thotë gjyshja me dhembshuri dhe me një krenari për kolonelin. Koloneli trim, Fuad Dibra duke e falënderuar për ushqimet e shumta që iu kishin përgatitur, dhe i entuziazmuar për shpëtimin e fshatarëve ia kthen “Oj loke, po Kosovë e Shqipëria jemi një”. Shpesh në netët e vona më fliste gjyshja për të, dhe me krenari thoshte, ai ishte si luan, i guximshëm dhe i pa trembur nga askush. “Bullgaret e frikësuar e lutnin që tu falte jetën dhe për çudi i fali” mbyllte tregimin gjyshja ime.

Atdhetari i ri nga Koretini, ishte takuar edhe me Lam Breznicën, dhe mu nga ai kishte dëgjua se në fshatrat e Kamenicës vepronte një komitet ilegal dhe ai pa hezituar ishte ofrua që të punonte për të mirën e popullit të vet. Ishte angazhua që në fshatrat për rreth të formonte komitete të NDSH-së dhe bënin propagandë se jeta e këtij pushteti okupues është e shkurtër dhe nuk duhet ti nënshtroheshin. Para se të zbulohej organizata, Shaqirin e ri organet ushtarake të Jugosllavisë një ditë të ftohët dimri e kishin marr me dhunë dhe e kishin detyrua që të udhëtonte me një grup të rinjsh për Prizren e nga aty të shkonin në frontin e Adriatikut, apo siç thoshte Shaqir Keçmezi, për “të mbrojtur” Triesten.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944, udhëheqja jugosllave shfrytëzoi rrethanat për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj, ajo, në fillim të janarit 1945 urdhëroi mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për “nevojën e forcave të armatosura jugosllave”. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit” urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

Të rinjtë shqiptarë nga Kosova u mobilizuan nga partizanët jugosllavë me arsyetimin se po shkonin në frontet e Sremit të Vojvodinës dhe atë të Adriatikut, në veriperëndim të Jugosllavisë, kundër forcave gjermane. Të gjithë të rinjtë u grumbulluan në qytetin e Prizrenit, deri ku ata u drejtuan nga oficer shqiptarë. Në Prizren të gjithë ushtarët shqiptarët u çarmatosën me arsyetimin se do të lodheshin nga rruga dhe se kur të mbërrinin në front do të pajiseshin me armë moderne angleze. U nisën për në Mal të Zi të ndarë në tri grupe, ku në Tivar – sipas burimeve malazeze – do të stërviteshin para se të shkonin në front. Grupi i parë prej 3,700 vetash ishte nisur më 24 Mars 1945. Grupi i dytë me 4,700 vetë u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër-Tivar. Ushtarët gjatë rrugës u rrahën apo në disa raste edhe u vranë kur dilnin nga kolona për ta shuar etjen.

Fati e deshi që Shaqir Keçmezi të jetë në grupin (Eshaloni) e tretë, me 2700 veta dhe nga Prizreni ishin nisur më 27 mars 1945, të shoqëruar nga Brigada famëkeqe XXVII. Shumë shqiptarë të mobilizuar në këtë grup, gjatë rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, për mungesë të ushqimit e të higjienës u sëmuren rëndë nga tifoja dhe për pasojë dhjetëra prej tyre vdiqën rrugës. Më 1 prill (ditën kur në Tivar – u masakruan pamëshirë shqiptarët e grupit të dytë) këtij eshaloni gjatë kalimit të lumit Buna, iu përgatit një incident me ç ‘rast u vranë disa prej tyre. Ndërkaq në mbrëmjen e 2 prillit ky grup arriti në Tivar dhe iu dorëzua Divizionit të IX-të dalmatin. Nga Tivari me anije u transportuan në Dubrovnik, ku u vendosën në disa objekte me destinime të ndryshme, mirëpo një grup prej 800 vetash që ishin vendosur në një depo baroti, në një mëngjes u gjetën të ngulfatur nga një lloj helmi dhe vdiqën të gjithë sa ishin aty. Ndërsa, Shaqir Keçmezi me disa të tjerë kishin vazhdua rrugën për Istri.

Histori e veçantë ishte shkuarja e tyre në rrugën për Tivar. Por fati e deshi, që eshaloni i tretë ku ishte i riu Shaqir Keçmezi, me shumë të tjerë kishin shpëtua nga masakra, por nga dhuna e terrori i mëtejshëm jo. Në Tivar, tregonte më vonë se kishte pa shumë gjak dhe shumë ushtar të cilët pastronin rrugët nga gjurmët e krimit që kishte ndodhë një natë më herët.

Pas shumë peripecive, arrin në afërsi të Triestes. Tani më, urrejtja e pakënaqësia kishin arritur kulmin. Shpejt njihet me disa të rinj shqiptarë, njëri nga këta ishte nga Maqedonia me emrin Xhesko, dhe me propozimin e Shaqës, si e quanin shokët, formojnë komitetin ilegal të NDSH-es. Pas një veprimtarie të shkurtër që sa më shumë shqiptarë të anëtarësojnë në grupin e tyre, ata spiunohen nga dikush në organet ushtarake. Dikur, e hetojnë edhe ata, se janë të përcjellë nga ushtarakët jugosllav dhe vendosin që i tërë grupi që të arratisën duke kaluar kufirin për Itali. Zbulohen dhe arrestohen në kufirin slloveno-italian. Pas zënies i dërgojnë në burgun hetues të Koprit. Aty i shpërndajnë në burgje të ndryshme ushtarake. Gjykata Ushtarake e Koprit, e mbajtur me 5 janar 1946, i shqipton dënimin me 6 vjet burg të rëndë dhe me punë të detyrueshme. Pas 5 viteve të kaluara në këtë burg, (kur familjaret kishin humbur shpresat se ai do të kthehej ndonjëherë i gjallë) ai lirohet nga aty, por me vete merr edhe gjithë eksperiencën e burgut.

Duhet përmendur se, në një dhomë në burg kishte qenë me një ushtarak të lartë gjerman që e kishin arrestua jugosllavët. Në ditët në vijim, Shaqiri bëhet mik me të. Ai i ofron që ti mësoj gjuhën gjermane dhe matematikën. Shaqiri pranon. Gjermani i venë një kushte që ai të jetë i përpiktë në detyrat që i epte dhe të mësonte shumë. E parapërgatit se ndodhë se edhe do i bërtas, por nuk ka hidhërim për këtë. Për disa muaj Shaqiri kishte përparua dukshëm në mësime. Me ushtarakun gjerman fliste gjermanisht dhe matematikën e kishte përvetësua dukshëm mirë. Por kurrë nuk do e harron një flakaresh që i kishte dhënë gjermani i nervozuar, që nuk i kishte kryer detyrat e marra nga ai. Shaqa nuk kishte reaguar, por edhe më tej kishte vazhdua mësimin sikur mos të kishte ndodhur asgjë. Për tri vite kishte mësua me të dhe rezultatet nuk kishin mungua. Që sot e atë ditë, në fshat e mbajnë në mend si një matematikanët të shkëlqyeshëm dhe gjuhën gjermane e fliste e e shkruante bukur. Dhe, deri në fund të jetës i ishte falënderues gjermanit që e kishte mësua me një durim të jashtëzakonshëm duke e mësuar dhe u ushtruar pa ndërpre sidomos në detyrat e matematikës. Pas daljes nga burgu, dhe ardhjen e tij në shtëpi, atë e befason edhe më tepër gjendja e mjeruar e shqiptarëve. Përsëri fillon të veproj si i vetëm, duke iu folur fshatarëve se kjo situatë nuk durohet më.

E donte Shqipërinë dhe fliste hapur se një ditë Kosova do i bashkohet asaj. Se vetëm e bashkuar me shtetin amë, Kosova do të gëzojë lirinë e merituar dhe situata politike do të ndryshonte. Ai fliste, por edhe udbashet e përcillnin hap pas hapi. Pas daljes nga burgu, shoqërohej me mësuesin e fshatit Halit Maliqin, të cilin në një vit, organet e UDB-es, deshën ti montonin një të bëme antishtetërore, vetëm e vetëm që ta fusin në burg. Shaqir Keçmezi duke e ditur se sa i rëndësishëm ishte mësuesi për fshataret, organizon mbrojtjen e tij, duke shkuar deri në komunë për të dëshmuar se Halit Maliqi ishte i pafajshëm. Shaqir Keçmezi ia arrin qëllimit ta shpëtojë mësuesin, por kurrsesi nuk arriti që të shpëtonte vet nga përcjelljet e udbashëve.

Uji Dea

Për çdo festë shtetërore ose ndonjë vizitë të ndonjë funksionari jugosllav në Kosovë ai ndodhej prapa grilave në burgun e Gjilanit, ose ishte i izoluar dhe nën vëzhgimin e spiunëve. Jeta për çdo ditë bëhej e vështirë e më e vështir për të.

Pas një kohe, ai martohej me një vajzë të fisme, të mirë dhe të bukur, Hyrije Kastrati nga Karaqeva e Epërme. Me të, pati një vajzë dhe një djalë (djali i vdes menjëherë pas lindjes). Pas lindjes së vajzës, Hyrija e re, sëmuret rëndë, dhe pas një kohe, në moshën 20 vjeçare, i lë

lamtumirën burrit e fëmijës, duke ikur në amshim. Dhembja për gruan ishte shumë e madhe, por të vetmin ngushëllim e gjente te vogëlushja që i kishte mbetur dhe me dashurin më të madhe u kujdes që ta rriste. Jeta iu bë shumë e rëndë pa gruan e dashur. Assesi jeta për ta përkëdhelur Shaqir Keçmezin. Pas një kohe martohej me një grua të mirë, e cila për vajzën e vogël u bë me të vërtet nënë e dytë dhe e përkrahte burrin në çdo nismë të tij. Edhe me këtë pati një vajzë dhe një djalë. Djali, menjëherë pas lindjes i vdes. Pas vdekjes së djalit, ai u ndje i trishtuar dhe assesi ti ikte dhembja.

Presionet e shumta gjatë aksionit të armëve i bënë jetën edhe më të padurueshme. I kërkonin pushkë, po ai atë nuk e kishte. Ndaj tij përdorën lloj-lloj presionesh e torturash, duke e marr nga shtëpia vonë në natë, e duke e lejuar të shkallmuar që të kthehej vonë në mëngjes. Më në fund, për të shpëtuar nga rrahjet sistematike që i bënin, detyrohet ta blej një pushkë nga një dhëndër i tyre dhe shpëton nga kontrollet e çdo ditshme që i bënin familjes së tij. Pas dorëzimit të pushkës, thuajse për një kohë u qetësuan përcjelljet. Por ai ishte gabua. Në të vërtet asnjëherë përcjelljet nuk ishin ndërpre, por mënyra e përcjelljes kishte ndryshua. Përcjellja ishte më perfide, se tani kishin angazhuar civil që ishte më vështir për ti njohur.

Familja e Shaqir Keçmezit ishte shumë anëtarësh, kishte edhe tre vëllezër dhe katër motra. Ata i donte shumë dhe ishte në merak për të ardhmen e tyre. Kishte vendosur për të humbur gjurmë, të shpërngulej nga fshati i vet. Të shkojë diku larg, ku nuk e njihnin dhe ti shkollonte vëllezërit e motrat. Bie në kontakt me komshiun e tij që edhe ishin shok të fëmijërisë- Bajrush Gagicën, që kishte vite që jetonte në Sarajevë, dhe e kishte lutur që ti gjente një shtëpi për ta blerë. Por, fal nënës së tij, shpërngulja nuk ndodhë, ngase ata ishin familje e madhe e nëna frikohej se atje në një vend të huaj do të katandiseshin.

Ngadalë, tmerrësisht ngadalë Kosova kishte arritur në vitin 1965. Një mëngjes të hershëm forca të mëdha të policisë, me një ekskavator kishin arritur në shtëpinë e tij, për ti rrënuar shtëpinë, që të hapnin një rrugicë në oborrin e tij. Ai ishte befasuar dhe tmerruar nga presioni i tejskajshëm që kishte ndërmarr pushteti. Tani në shtëpi kishte pushkë, por për ta përdorur ishte me rrezik të madhe. E qetëson familjen duke iu premtuar se çdo gjë do të jetë në rregull. Me ndihmën e disa fshatarëve, shtëpinë e shpëtojnë nga rrënimi, por plemen, ahurin, hambarin dhe shumë pjesë ndihmëse të shtëpisë i bëjnë rrafsh me tokë. Ai reagon hapur, duke iu thënë policëve shqiptarë, se një ditë kjo tokë do të jetë Shqipëri, po ju o faqezinjtë ku do të përfundoni. Policët menjëherë e arrestojnë duke i thënë hapur, se ti duhesh të ikësh nga këtu, “shko në Turqi se je mysliman, apo qe ku e ke Shqipërinë, ik, se atë më shumë e donë”. Pastaj, i kishin mëshua me kondak pushke fytyrës, e kishte mbulua gjaku dhe ai ishte alivanosur. Udbashët nuk do ishin udbash, poqese e kishin dërgua tek mjeku. Ata, ashtu të përgjakur e hipin në “maricë”, (kështu iu thoshin veturave të policisë), duke e dërguar në burgun e Gjilanit.

Një ditë e qesin para gjyqit, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, dhe i shqiptojnë dënimin me 5 muaj burg. Gati tërë kohën e kishte kalua në një birucë të pistë, ku kohë pas kohe gardianet në qeli i venin një mi-pacov, i cili në mungesë ushqimi i kishte hëngër dy gishta.

Viti 1968, ishte vit më pak i vështirë për shqiptarët. Njerëzit kishin filluar hapur të flisnin për presionet, maltretimet dhe keqpërdorimet që kishte bërë Sigurimi i Shtetit ndaj shqiptarëve. Në këto deformime ishin të përfshirë edhe shumë shqiptarë të cilëve pushteti iu kishte ofrua të mira materiale. Shaqir Keçmezi nuk kishte qëndrua duarkryq. I kishte demaskua punëtorët e sigurimit dhe bashkëpunëtorët e tyre. E kishte iniciua përsëri rastin e mësuesit Halit Maliqit. Ishte i zëshëm edhe pse u kërcënua nga disa spiun të pushtetit. Ai edhe më tej hapur fliste pa kursyer askënd. Në Kosovë ndodhën ndryshime të mëdha, dhe pritej se diçka e mirë do të ndodhë. U mban shumë debate e konferenca politike për një

autonomi më të madhe për Kosovën dhe hapur u kërkua që Kosova të jetë Republikë. Ai ishte përkrahës i madh i saj, ngase thoshte se me shpalljen – Kosova Republikë, me kushtetutën e Jugosllavisë është e siguruar se republika ka të drejtë të bashkohej me këndë të dojë. Kështu shpresonte!

Merrte pjesë aktive në tubimet që organizoheshin në fshat po gjithashtu edhe në qytet. Njerëzit që ishin të komprometuar dhe kishin bërë keqpërdorime ndaj fshatarëve, i frikoheshin atij, andaj edhe planifikonin si ta eliminonin. Pa pritur me 27 nëntor, në mbrëmje, vije një fshatar serb nga fshati dhe e lut që natën vonë të shkonin që të sjellin një traktor gurë nga një fshat tjetër, ngase ai kishte vendosur të bënte një shtëpi në fshat. Vëllai i tij pranon që të shkoi, por Shaqir Keçmezi, dyshon në serbin dhe i thotë të vëllait se edhe ai do të shkonte me të. Pas ngarkimit të gurëve, Shaqiri bashkë me serbin hipin në rimorkio të traktorit dhe kur vijnë tek vendi në “Qafë të Topanicës”, ai bie nga traktori në rrugë, por i vdekur. E gjejnë me kokën e përgjakur e të shkërmoqur. Ai (serbi), i tregon shoferit (vëllait të Shaqirit), se ai- Shaqiri, ra nga traktori pa prit e kujtuar (Çudi, si kishte rënë ai nga traktori pa pasur as më të voglën trandje, shpejtësi të madhe, apo ndonjë ndeshje me ndonjë automjet tjetër ???). Organet e policisë dhe mjeku kishin konstatuar vdekjen, por kurrë, asnjëherë nuk u bë ndonjë hetim i detajuar për vdekjen dhe shkaktarin e vdekjes së tij. Ndërsa, që të nesërmen serbi që donte të bënte “shtëpinë” u zhduk diku në Serbi dhe kurrë askush nuk e di se ku shkoi dhe ndodhej. Me 28 nëntor 1968, mu në ditën e flamurit, ai u mbytë nga dora e zgjatur e UDB-es jugosllave, pa lënë asnjë fjalë dhe asnjë amanet.

Gjyshja e kishte qarë e vajtuar shumë të birin dhe në një moment kishte thënë: ”Ma vranë ata që e përcollën si hijet për çdo ditë, për çdo natë, hap pas hapi, zoti i dënoftë në mënyrën më të rëndë…”./rajonipress/