“Shaqa” i uritur për trofe të rinj
Xherdan Shaqiri është i gatshëm për ta ndihmuar Bayern Munchiun në sezonin e ri. Mesfushori kosovar thotë se skuadra e tij po përgatitet maksimalisht me qëllim që t’i mbrojë trofetë që i fitoi në edicionin e kaluar në elitën e futbollit gjerman por edhe trofeun e Ligës së Kampionëve.
Reprezentuesi zviceran ka pohuar se në ndeshjet e fundit miqësore që skuadra e tij i zhvilloi ndaj Barcelonës, Borussia Dortmundit, Sao Paulos dhe Manchester Cityt, Bayerni është munduar që t’i shfrytëzojë ato maksimalisht për ta arritur formën optimale para fillimit të stinorit të ri.
‘Xhuxhi’ ka deklaruar se këto ndeshje më së shumti do t’i shërbejnë trajnerit spanjoll Pep Guardiola që ai në fund të vendosë për 11 lojtarët që do të startojnë.
“Deri më tani ne kemi udhëtuar në shumë vende duke zhvilluar shumë ndeshje. Mendoj që këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për trajnerin tonë, andaj ne duhet të bëjmë krejt atë që ai e do. Vërehet qartë se prej ndeshjes në ndeshje ne po shkojmë duke përparuar, andaj fillimi i stinorit duhet të na gjejë plotësisht të gatshëm”, ka thënë Shaqiri në një intervistë për Sport1.de.


