Shantazhet dhe shpifjet e pushtetit e forcojnë opozitën

Bllokadë pas bllokade. Qeveria po përdor propagandë për të përçarë kundërshtarët politikë
Tri partitë opozitare thonë që ky koalicion nuk ka kursyer asnjë mjet kundër opozitës, porse kjo, përveçqë nuk pati efekt, madje vetëm e përforcoi kauzën e tyre
Tashmë hymë në muajin e pestë të bllokadës të disa prej institucioneve kyçe të shtetit, kjo pasi opozita (VV,AAK,dhe NISMA) ngritën zërin fuqishëm kundër dy marrëveshjeve të arritura nga Qeveria e Kosovës, atë me Serbinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjen tjetër me Malin e Zi për demarkacionin.
Një skenar të ngjashëm nuk ka shumë kohë që e lamë pas, kur blloku VLAN (VV, LDK, AAK dhe NISMA) paralizuan institucionet e shtetit për 6 muaj të plotë kundër qeverisjes nga Hashim Thaçi dhe PDK-ja, por megjithatë pas kësaj kohe blloku VLAN u thye nga tërheqja e të parit të LDK-së Isa Mustafës nga ky pakt.
Mustafa dhe partia e tij kaluan në Qeveri, duke marrë postin e të parit të ekzekutivit dhe tani po shfaqen kundërshti të mëdha në mes tyre dhe ish- partnerëve të VLAN-it. Për ca kohë qarkulluan zëra se partnerët e opozitës po hynin në marrëveshje me krerët e Qeverisë për të copëtuar kështu opozitën dhe me këtë rast duke i dhënë goditje gati se fatale opozitës përmes tërheqjes së njërit partner.
Mirëpo, këta zëra u mohuan kategorikisht dhe pa ndalur nga të tre partnerët e koalicionit opozitar. Madje, edhe pas vendimit të dalë nga Gjykata Kushtetuese, se parimet mbi themelimin e këtij Asociacioni kanë për bazë standarde që bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës, Qeveria nuk shfaqi asnjë lëkundje të qëndrimit të tyre dhe as nuk ndali përpjekjet që me mashtrime dhe joshje të përçajë opozitën./kosova sot/