UBT

Shansi i humbur në sektorin energjetik

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Nga Agron Demi – Ajo çfarë nuk mësuan nga dy shembujt e Shqipërisë: nga shembulli i mirë dhe ai i keqi.Dy ditë më parë, Qeveria e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje shumë të rëndësishme me Bankën Botërore. BB do t’i japë 120 milionë euro Shqipërisë për të investuar në sektorin energjetik.

Por, nuk është aq e rëndësishme kredia, sa është i rëndësishëm qëllimi i kredisë. Arsyeja e marrjes së kredisë është shumë praktike dhe e qartë: Qeverie Shqipërisë synon që deri më 2019 të ulë humbjet teknike në rrjet të energjisë në nivelin e 17 %, nga 40 % sa janë sot; të rritet niveli i arkëtimit nga 84 % që është sot, në 93 % në vitin 2019.

Kësaj kredie të BB-së, Qeveria e Shqipërisë do t’ia shtojë edhe 100 milionë euro për pesë vitet në vijim, duke rritur kështu investimin total në energjetikën e vendit në 220 milionë euro për pesë vitet në vijim.

Çfarë ka kjo lidhje me Kosovën?

Para disa vitesh, edhe Shqipëria privatizoi rrjetin e energjisë. Këtë vit, Qeveria rimori nën kontroll menaxhimin e rrjetit të energjisë, duke i paguar dëmshpërblim kompanisë CEZ me miliona dollarë. Edhe Shqipëria, ashtu sikurse Kosova, humb deri 215 milionë euro në vit si pasojë e vjedhjeve të energjisë dhe humbjeve teknike. Në Kosovë ky nivel më 2011 ishte 77 milionë euro.

Por, për dallim nga Shqipëria, në Kosovë situata është më e komplikuar. Rrjeti i energjisë (KEDS) i privatizuar para një viti e gjysmë nuk ka sjellë fare rezultate. Ne sot nuk e dimë se çfarë është duke u bërë në drejtim të uljes së humbjeve teknike dhe komerciale? Cilat janë targetet e vendosura dhe kur pritet që të kemi një nivel të pranueshëm të humbjeve? Cili është plani i KEDS-it për të intervenuar në eliminimin e humbjeve? Për këto pyetje nuk kemi marrë asnjëherë përgjigje, ani pse kemi kërkuar disa herë nga KEDS-i që ta bëjë publike planin për investime, ashtu siç i kërkohet me kontratë.

Për t’iu kthyer edhe një herë rastit të Shqipërisë, për pesë vitet në vijim do të instalohen rreth 2600 km kabllo të llojeve të ndryshme për tensionin e ulët dhe atë të mesëm, duke u shoqëruar dhe me montimin e mbi 500 kabinave elektrike dhe 10.000 shtyllave të tensionit të ulët. Sa do të instalohen në Kosovë? Në cilat zona? Kur?

Përveç ndaljes së rrymës, të cilën gjithë qytetarët e Kosovës e kanë përjetuar ditëve të fundit, disa lagje të kryeqytetit dhe shumë vendbanime të ndryshme në mbarë vendin kanë përjetuar shkurtime më të mëdha të rrymës si pasojë e problemeve teknike në rrjet. Qeveria e Kosovës ka arsyetuar shitjen e KEDS pikërisht për të eliminuar këto prishje teknike, për të rritur investimet në rrjet dhe për të siguruar investime të qëndrueshme. Deri më tani, asnjëra nga këto nuk është duke ndodhur.

UBT

Kosova ka humbur shansin që deri më 2017 të zvogëlojë humbjet teknike dhe komerciale në minimum, duke rritur kështu nivelin e energjisë së disponueshme në treg, për të mos u përballur me ndërprerje të energjisë në rastet kur ndodhin prishje si në Kosovën A apo Kosovën B.

Sipas Strategjisë së Energjisë të aprovuar në Kuvendin e Kosovës më 2010 thuhej se humbjet teknike dhe komerciale janë në nivelin e 47 %, apo shprehur në vlerë monetare humbjet kapin shifrën e 77 milionë eurove në vit; dhe për sanimin e këtij problemi nevojiten investime prej 300 milionë eurosh.

300 milionë euro nuk janë pak, por në krahasim me investimet në autostrada janë shumë pak. Do të ishte shumë më mirë nëse Qeveria e Kosovës, në vend se të ndërtonte autostradën Morinë-Besi, të investojë 300 milionë euro në rrjetin e energjisë, të zvogëlojë humbjet komerciale dhe teknike, të rrisë disponueshmërinë e energjisë në treg dhe të mos faturojë qytetarët për energjinë e humbur.

Me këto 300 milionë euro investime, niveli i humbjeve do të ulej deri në numrat njëshifror, nuk do të kishte humbje prej 77 milionë eurosh në vit (dhe rrjedhimisht investimi prej 300 milionë eurosh do të rikthehej brenda katër viteve), nuk do të kishte vendbanime të cilat kanë mungesë të energjisë për shkak të rrjetit të dëmtuar, dhe bizneset nuk do të kishin këto probleme që kanë tani.

Këtë shans tani vetëm se e kemi humbur. KEDS-i i privatizuar do t’i investojë 300 milionë euro në 15 vitet në vijim, vetëm nëse Zyra e Rregullatorit të Energjisë rrit çmimin e faturave të cilat do të mbulonin këto investime. Zvogëlimi i humbjeve do të jetë vetëm 2,5-3 % në vit. Në vitin 2019 Shqipëria do të ketë nivelin e humbjeve të energjisë më të ulët se sa Kosova. E krejt në fund, ndoshta edhe ne do të detyrohemi që të rikthejmë në pronësi publike rrjetin e energjisë, të kompensojmë “Limak& Calik” me miliona euro; dhe në fund të marrim kredi nga BB-ja apo BERZH-i për të investuar në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes.

Organizata të cilën përfaqësoj, së bashku me organizatat tjera në rrjetin e KOSID, nga 2011 e deri më tani kemi dërguar me dhjetëra kërkesa për të pasur qasje në dokumentacionin dhe procesin e privatizimit të KEDS-it. Fillimisht duke kërkuar qasje në kushtet e tenderimit, termat e referencës, informata mbi konkurrentët, pastaj asetet që do të shiten, kontratat që do të nënshkruhen, e deri tek plani i investime në rrjet, i cili do të duhej të ishte tanimë në dispozicion të publikut. Në asnjërën nga këto nuk kemi marrë përgjigje.

Instituti GAP dy raste ka dërguar në gjykata, kundrejt shkeljeve që janë bërë në këtë proces. Më 15 nëntor bëhen dy vjet prej ditës kur ne kemi dorëzuar padinë e parë në gjykatat kompetente. Dy vite pa marrë asnjë përgjigje. E për tërë këtë proces të mbrapsht, dikush dikur duhet të japë llogari. Llogari politike dhe penale.