Shala vazhdon të shënojë

Mesfushori shqiptar, Herolind Shala, ka vazhduar me formën e tij të mirë edhe në xhiron 13-të në Tippeligën norvegjeze. Lojtari i Kombëtares shqiptare ka arritur të gjejë rrjetën në barazimin e skuadrës së tij, Odd, si mysafirë të Honefoss, 1:1.
Pasi skuadra e tij ishte në disavantazh prej 1:0, në minutën e 63 Shala arrin të barazojë rezultatin përmes një penalltie. Herolindi ishte në fushë gjatë 90 minutave, ndërsa në fund u shpallë lojtar i ndeshjes.
Goli kundër Honefoss ishte i katërti për Shalën këtë edicion në 13 ndeshje të zhvilluara, ndërsa ka bërë edhe dy asistime. Pas kësaj pike të fituar, Odd Grenland, ndodhet në pozitën 14-të me 12 pikë.