Fundamenti

Shala: Qemajl Mustafa asnjëherë nuk e ka ndihmuar “Compact Groupin”

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan –Në një rrëfim ekskluziv për Rajonipress, Mustafë Shala pronar i Kompanisë “Compact Group” flet për raportet e tij me Qemajl Mustafën, për tendencat e njerëzve të caktuar që ta dëmtojnë biznesin e tij dhe për shumë akuza tjera që kohëve të fundit i janë veshur padrejtësisht atij.

Emri i Mustafës Shalës tashmë pothuajse është i njohur për shumë media dhe klasën politike në Gjilan e cila ditëve të fundit e ka akuzuar padrejtësisht si njeriun që ka pasur përkrahje nga Qemajl Mustafa, në dhënien e tenderëve.

Për Rajonipress, Mustafë Shala i sqaron të gjitha dilemat që kanë njerëzit e caktuar. Mbi të gjitha Shala thotë se ka dëshirë të jap sqarime për publikun e gjerë dhe për ato media që padrejtësisht e citojnë emrin e tij në raport me Qemajl Mustafën.

Shala thotë se asnjëherë kompania e tij “Compact Group” nuk është ndihmuar nga Qemajl Mustafa e as që ka pasur favorizime nga pushteti komunal,siç po flitet kohëve të fundit. E vërteta sipas tij qëndron tek fakti se me Qemajl Mustafën ka hyrë në biznes që nga viti 2006, pra ende pa hyrë në pushtet ,Qemajl Mustafa.

“Jam shumë i zhgënjyer dhe i dekurajuar me disa plasime e të pavërteta, me disa deklarata të politikanëve gjilanas dhe të disa njerëzve të cilëve u kam ndihmuar në kohët më të vështira. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tyre,por unë ndihem i pastër si loti para zotit dhe para drejtësisë” shprehet Shala.

Sipas tij vlerësimet se Qemajl Mustafa e ka përkrahur “ortakun” e tij janë të pavërteta,tendencioze dhe qëllimkëqija. “Unë shumë më tepër jam ndihmuar nga ish kryetarët e tjerë sesa nga Qemajl Mustafa”.

Shala mendon se e tërë kjo zhurmë po bëhet për interesa politike të ditës dhe të klaneve të caktuara të natës.”Unë i rikujtojë këta njerëz se kompania ime “Compact Group” është themeluar qysh në vitin 1991 dhe arrij t`i mbajë mbi 170 familje, ku edhe janë të punësuar. Biznesi im është i pastër dhe asnjëherë nuk kam pasur problem me ligjin. Përkundrazi kompania ime është taksapaguesi më i madh në Anamoravë”shprehet ai.

Fundamenti

Shala tha se nuk e ka pasur ndërmend të rrëfehet për të kaluarën e tij,por publiku i gjerë është mirë t`i dijë dhe kuptojë disa gjëra. “Që nga fillimi i punës së kompanisë kemi ndihmuar shkollat,universitetet, kemi kontribuar në 3 %, kemi ndihmuar sportin,kulturën,Flakën e Janarit. Që nga viti 1997 unë aktivisht kam kontribuar në përkrahjen e luftës çlirimtare dhe të dy luftërave të mëvonshme. Madje dy vite unë kam qenë në shërbim të UÇK-së dhe firma ime i ka pasur dyert e hapura për furnizim me derivate dhe materiale të nevojshme për UÇK”.

Shala tha se kompania e tij ka ndihmuar TMK,qeverinë e përkohshme, familjet e varfra, veteranët e luftës, partitë e ndryshme politike ,e në veçanti PDK.

Shala thotë se nuk e ka ndihmuar PDK për të marrë më vonë tender apo për të pasur benificione në forma të ndryshme. “Kompania ime i tejkalon ambiciet lokale sepse biznesi im shtrihet përtej Kosovës. E kam përkrahur krahun e luftës dhe ata njerëz që me nder e zemër i kanë kontribuar Kosovës” tha Shala.

Shala tutje tha se është i befasuar me qëndrimin e Ismajl Kurteshit. “Ai e dinë fare mirë si ka funksionuar “Compact Groupi” sepse unë isha në Këshillin e Emergjencës ku të gjitha informatat gjatë luftës për agjencitë perëndimore të lajmeve janë dhënë pikërisht nga shtëpia ime. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e tij,por unë kam shumë argumente e fakte se Qemajl Mustafa asnjëherë gjatë ushtrimit të funksionit të tij nuk e ka favorizuar “Compact Groupin”.

Se nuk është kështu Shala thotë se ka biznes shumë më të zgjeruar sesa që mendojnë ata njerëz injorant e shkurtëpamës. “Kompania ime është ekspertuese e ujit në disa shtete evropiane dhe ballkanike dhe është furnizuesi kryesor i ushtrisë amerikane në Kosovë dhe Evropë”.

Edhe shkrimet se Qemajl Mustafa ka ndihmuar “Viva Frutta” nuk qëndrojnë. “E vërteta është se në vitin 2006 kur Qemajl Mustafa ka qenë në biznes e jo në politikë, kemi hyrë në një projekt të përbashkët me financim të 100 % të bankës. Në këtë veprimtari Qemajl Mustafa ka pasur 15 % aksione kurse unë 85 %. Pra gjithçka që shkruhet dhe flitet se “Compact Group” është ndihmuar në mënyra të ndryshme nga Komuna apo Qemajl Mustafa janë të pavërteta” tha Shala.

“E vërteta është se ne punojmë me ndershmëri tash e sa vite. Kemi biznes shumë të pastër,shumë cilësor për çka jemi shpërblyer edhe me mirënjohje nga Institucionet e bizneseve dhe me gjasë këto vlera të kompanisë po e pengojnë një pjesë të caktuar të njerëzve” tha Shala./rajonipress/