Shala: Edhe pozita duhet ta votojë Rezolutën që mbron territorin e Kosovës

Deputeti i LDK’së Kujtim Shala ka thënë në një konferencë për media se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita do duhej të fillonte, pasi për fillimin e seancës duhen 40 nënshkrime dhe opozita i ka 51. Ai thotë se nëse partitë e shumicës kanë vullnetin të mbrojnë sovranitetin e vendit atëherë duhet të vijnë në Kuvend dhe ta votojnë këtë rezolutë.
Shala ka thënë se edhe pozita duhet të jetë në Kuvend për ta votuar Rezolutën e propozuar nga opozita, pasi kjo është në të mirën e vendit.
Ai ka theksuar se nëse pozita nuk merr pjesë në këtë seancë dhe nuk e voton këtë Rezolutë, i bie të jetë kundër mos negocimit të territorit të Kosovës.
“Nëse partitë e shumicës në Kuvendin e Kosovës kanë vullnetin të mbrojnë sovranitetin e Kosovës duhet të vijnë dhe ta votojnë Rezolutën e opozitës. Nëse nuk e votojnë i bie që ata janë kundër mos negocimit të territorit të Kosovës”, është shprehur Shala.
Shala tutje ka thënë se kjo seancë e thirrur nga opozita duhet të fillojë sepse është e drejtë kushtetuese dhe se kjo nuk lidhet me shumicën, pasi sipas tij duhet shumicë për vendimmarrje e jo për fillim të seancës.
“Kjo është seancë e thirrur në bazë të së drejtës kushtetuese, kjo nuk lidhet me shumicën, duhet shumicë për vendimmarrje por jo për fillimin e seancës. Po të jemi shumicë nuk kërkojmë të vijnë por i shkarkojmë në momentin që e kemi shumicën”, ka thënë Shala.
Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita e filluar dje, është shtyrë për ditën e sotme, por Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli e ka ndërprerë pasi i ka thënë opozitës se nuk i ka 61 deputetë në sallë. Ai ka ftuar shefat e Grupeve Parlamentare që të mbajnë një mbledhje në orën 14:00./GazetaExpress