Fundamenti

Shaj e shpërble Serbinë

/ 5 minuta lexim

Nga Imer Mushkolaj – Përgjatë dy dekadash pas luftës kritikojmë e fajësojmë Serbinë për të gjitha të këqijat në Kosovë. Ndërkohë, shuma e parave që paguajmë për të blerë mallra po nga Serbia mbërrin në rreth 500 milionë euro në vit. Në njërën anë e shajmë, e në anën tjetër e shpërblejmë. Dyqanet në Kosovë janë plot ushqimore, e depotë plot aso ndërtimore. Po flasim për mallra të importuara nga Serbia, të cilat nga viti në vit kanë njohur ngritje. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovë për tregtinë e jashtme, për muajin qershor, flasin për një thellim të deficitit tregtar mbi 23 për qind. Ndërkohë që Serbia vazhdon të jetë partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon.

Sipas ASK-së, eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin qershor 2018 kishte vlerën 37.1 milionë euro, ndërsa importi 305.7 milionë euro, që është një rënie prej 2.8 për qind për eksport dhe një rritje prej 19.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo i bie që deficiti tregtar i vendit është përkeqësuar krahasuar me vitet paraprake dhe në çdo 10 euro mallra të importuara, Kosova ia del të eskportoje vetëm 1 euro.

“Duke vështruar rrjedhën e tregtisë botërore, Kosova mund të jetë rasti më i rëndë dhe i pazakonshëm në ekonominë botërore. Ne trajtojmë tema ditore nga më të ndryshmet (kryesisht rreth Serbisë dhe luftës), por asnjëherë nuk kemi trajtuar sistematikisht shkaqet e kësaj katastrofe ekonomike”, konstaton studiuesi Armend Muja.

Mallrat që konsumojnë kosovarët janë kryesisht serbe, kineze, turke e braziliane. Sipas Mujës, importet nga Kina, Turqia dhe Serbia paraqesin rrezikun kryesor për ulje të aktivitetit industrial. Këto vende njihen për zhvlerësim të monedhës, duke i ofruar edhe një përparësi shtesë në raport me prodhuesin në Kosovë. Importet nga Brazili, Rusia, Maqedonia dhe Serbia ndikojnë drejtpërdrejt në potencialin e bujqësisë në Kosovë.

Këto shifra do të duhej të ishin shqetësuese për këdo që i lexon. Në radhë të parë, do të duhej të ishin alarm për qeveritarët të cilët, duke u marrë me “sporte të rënda”, nuk po kanë kohë të merren me të tilla gjëra, që mbase mund t’i konsiderojnë cikërrima.

Ndërkohë, eksporti i mallrave të prodhuesve kosovarë drejt Serbisë, krahasuar me importin, është më se simbolik.

* * *

Kosova vazhdon të eksportojë shumë pak. Rreth 70 për qind e eksporteve janë lëndë e parë dhe produkte të metaleve. “Në 20 vitet e fundit nuk kemi lëvizuar aspak për të përmirësuar bilancin tonë. Një nga arsyet kryesore pse rritja ekonomike dhe standardi jetësor janë të ulëta, është pikërisht paaftësia jonë për t’i shërbyer konsumatorit të brendshëm dhe të jashtëm”, konsideron studiuesi Muja.

UBT

Sipas tij, politika tregtare e Kosovës ka qenë përgjithësisht e gabuar, vendimmarrja e pastudiuar dhe efektivisht kontribuese në humbjen e potencialit në prodhim e bujqësi. Dhe, kjo politikë nuk është përmirësuar, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga politikëbërësit.

Prodhuesit kosovarë vazhdojnë të kenë probleme dhe, po ashtu, vazhdon të “mbytet” nga mallrat e huaja. Ndërkohë, në vend ka sektorë prodhues që me një organizim dhe me një kontroll më të mirë të tregut, mund të mbulojnë pa problem kërkesat e konsumit vendor.

Përveç masave të brendshme është e nevojshme që qeveria të vendos masa reciproke në rastet kur sheh që prodhuesit kosovarë kanë probleme me plasimin e mallrave të tyre në tregjet e Serbisë, por edhe të Bosnjës, dy shtete këto që nuk e njohin Kosovën e pavarur. Në njërën anë këto shtete shesin pa problem mallra në tregun kosovar, por sillen papërgjegjshëm kur bëhet fjalë për plasimin e produkteve kosovare në tregjet e tyre. Mallrat e Kosovës duhet të trajtohen të barabarta në treg, por kjo nuk ndodh, pavarësisht se vendi i ka të nënshkruara marrëveshjet e MSA’së e CEFTA’s.

* * *

Përderisa krejt politika dhe qytetarët janë të orientuar kah “temat e mëdha”, të dhënat zyrtare tregojnë se sivjet ka 12 600 vende pune më pak në Kosovë, krahasuar me vitin paraprak. Nga 357 100, numri ka rënë në 344 500. Statistikat tregojnë se është shënuar rënie masive e vendeve të punës në prodhim/përpunim, por edhe në bujqësi, ndërtimtari dhe sektorin e akomodimit/ushqimit.

Përkundër zotimeve për uljen e nivelit të papunëisë, duket se punësimet e vetma vazhdojnë të jenë ato politike, në qeveri e institucione. Ndërkohë, mijëra të rinj po ikin nga vendi, kryesisht me viza pune në Gjermani.

Shumica e politikanëve vazhdojnë ta shajnë e kritikojnë Serbinë, por me veprimet e tyre nuk bëjnë gjë më të mirë. E vërtetë, Serbia na ka dëmtuar e vazhdon të na dëmtojë. Ajo edhe na ka vrarë. Por, me politika dhe veprime të gabuara, qytetarët po i dëmton shteti i tyre. Shteti, territorin e të cilit tash presidenti po e nxjerr në pazar, ndërkohë që kur ishte kryeministër bënte pazar për vota, duke premtuar hapjen e 200 mijë vendeve të reja të punës.