UBT

Shahini: Kosova në krizë, kërkohet unitet politik për të shpëtuar ekonominë nga bllokadat dhe vendimi i Hagës

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Onlina ka bërë thirrje për krijimin e një uniteti politik në Kosovë, duke vlerësuar se bllokada institucionale, paqëndrueshmëria politike dhe vendimi i fundit i Gjykatës Speciale në Hagë po ndikojnë në ekonominë e vendit, investimet e huaja dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Shahini ka kërkuar nga partitë politike që të tejkalojnë interesat dhe inatet partiake dhe të krijojnë institucione të fuqishme.

“Aleanca Kosovare e Biznesit kërkon nga të gjitha partitë politike dhe, në emër të komunitetit të biznesit të Kosovës, kërkojmë nga partitë politike dhe nga liderët politikë një unitet të paparë deri më sot. Një unitet i cili bashkon forcat për perspektivën e Kosovës, për daljen nga kriza e Kosovës, për një qëllim, dhe ai qëllim duhet të jetë i qartë. Duhet që uniteti politik i liderëve politikë, i partive politike, të promovohet si fuqi e re e Kosovës, jo për të hequr dorë partitë politike nga programet e veta për të kundërshtuar ato duhet të vazhdojnë, por të kenë një mandat të qartë, për të tejkaluar dhe për t’iu qasur bashkarisht vendimit të Gjykatës Speciale të Hagës. Sepse, ai vendim nuk është më tash i një partie, është i të gjithë qytetarëve, i krejt shtetit të Kosovës”, tha Shahini.

Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në komunitetin e biznesit, duke prekur investimet, punëtorët, studentët dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ai vendim ka prekur ekonominë, investimin, ka prekur fëmijët në shkolla, ka prekur studentët në universitete, punëtorët në punë, ka prekur biznesmenët në aktivitetet e veta, ka prekur politikanët në integrim, ka prekur diplomacinë e Kosovës. Do të thotë, nga ajo datë, kanë ndryshuar shumë gjëra. Kosovën nuk do ta shohin më nga ajo datë si një vend i mundësive për të punuar, për t’u zhvilluar apo për të investuar, por qasja e institucioneve dhe heshtja e institucioneve do të thotë pajtim me qasjen e cila është marrë padrejtësisht nga Gjykata e Hagës për çlirimtarët tanë”, u shpreh ai.

Shahini tha se komuniteti i biznesit është goditur nga këto zhvillime dhe paralajmëroi se situata mund të ndikojë edhe më tej në klimën investuese nëse nuk krijohet një qasje e përbashkët politike dhe institucionale.

“Ne, në këtë rast, duam të themi se komuniteti i biznesit është goditur, dhe ai do të jetë edhe më tutje i goditur nëse nuk krijohet një unitet politik për t’i qasur edhe politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare të armiqve tanë, dhe shumë miq tash janë duke hezituar dhe duke e parë Kosovën ndryshe nga e kaluara. Dhe, për të vazhduar për një afat kohor me një mision të qartë, në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Dhe, partitë politike duhet ta ulin interesin politik dhe, mbi interesin politik, ta ngrisin shtetin e Kosovës”, tha Shahini.

Ai paralajmëroi gjithashtu për rrezikun që, sipas tij, mund të sjellë vazhdimi i protestave dhe tensioneve politike në vend.

“Shteti i Kosovës dhe flamuri që valëvitet është pothuajse në një situatë asnjëherë më të rëndë sesa sot. Kur për çdo ditë ne kemi protesta dhe këto protesta nuk po e shohim fundin, këto mund të eskalojnë, këto mund të dalin jashtë kontrollit. Dhe kur dalin jashtë kontrollit, atëherë medoemos rendi dhe ligji duhet të vënë kontroll në forma të ndryshme demokratike”, deklaroi ai.

Shahini ka kërkuar nga liderët politikë që të marrin parasysh interesin shtetëror dhe të krijojnë institucione të qëndrueshme.

“Në emër të Aleancës Kosovare të Biznesit, do të dua që mesazhet tona t’i dëgjojnë liderët politikë, partitë politike, dhe mbi interesin e tyre të krijojnë institucione të qëndrueshme me mision të qartë kohor dhe të ndërtojmë një unitet shtetëror për të mirën e shtetit, për të mirën e Kosovës sonë”, tha ai.

Sipas Shahinit, paqëndrueshmëria institucionale dhe zgjedhjet e shpeshta kanë ndikuar në perceptimin për stabilitetin politik të Kosovës dhe rrjedhimisht edhe në interesimin e investitorëve të huaj.

Eco Higjiena

“Dy vjet Kosova pa institucione të qëndrueshme, me tri-katër palë zgjedhje, kjo në demokraci është normale, por Kosovës në gjithë këto probleme nuk i është dashur të kemi ne këto zgjedhje kaq të shpeshta. Kjo ka promovuar që në Kosovë nuk ka stabilitet politik. Investimet e huaja lidhen përmes stabilitetit politik dhe stabilitetit juridik. E kemi parë që stabiliteti juridik në Kosovë në disa raste shkelet, ku nuk i përgjigjen zyrtarët e lartë ftesave të prokurorit. Kjo promovon mbiligj”, deklaroi Shahini.

Ai foli edhe për ndikimin që, sipas tij, vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ka pasur në perceptimin e investitorëve për Kosovën.

“E dyta, tashmë vendimi i Gjykatës Speciale të Hagës ka goditur rëndë mentalitetin investues në Kosovë. Mentalitetin për ta quajtur Kosovën një vend me një klimë të mirë për investime. Në një vend ku presidenti i vendit dënohet me një burgim afatgjatë, 25 vjet, dhe të gjitha gazetat botërore shkruajnë, dhe politika jonë hesht, kjo do të thotë pajtueshmëri politike. Prandaj, janë gjithë këto protesta. Prandaj, është padëgjueshmëri publike, dhe kjo mund të rrezikojë demokracinë, nëse ato për një moment dalin jashtë konturave demokratike”, tha ai.

Shahini kërkoi që institucionet dhe partitë politike të marrin përgjegjësi për zhvillimet në vend dhe të punojnë për mbrojtjen e figurës së luftës së UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.

“Për ta ndaluar këtë, institucionet e Kosovës do të duhet që të jenë në detyrë të përgjegjësisë. Partitë politike duhet të japin secila kontributin e vet, duhet të merren seriozisht për pastrimin e çlirimit të Kosovës, për pastrimin e luftës së bërë dje. Lufta e Kosovës është një luftë çlirimtare. Ata njerëz kanë qenë njerëz të cilët e kanë udhëhequr luftën, e kanë udhëhequr edhe bërjen e shtetit, dhe demokracinë”, u shpreh ai.

Ai tha se proceset në Hagë dhe mënyra se si raportohen ato ndërkombëtarisht po ndikojnë edhe në perceptimin për Kosovën.

“Sot, ne ata sa i kemi në Hagë, shkruajnë mediumet e ndryshme botërore për procesin e tyre, pavarësisht a është e drejtë apo jo, dhe kjo e dëmton rëndë klimën investuese në Kosovë. Prandaj, Kosova do të duhet të jetë si asnjëherë më parë e bashkuar, dhe ky bashkim do t’i sjellë Kosovës drejtësi, do t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe perspektivë për të ardhmen”, tha Shahini.

Në fund, Shahini foli edhe për takimet e fundit ndërkombëtare ku, sipas tij, është vërejtur një gatishmëri më e ulët për bashkëpunim ekonomik me Kosovën.

“Dy-tri javët e fundit kemi marrë pjesë në shumë takime ndërkombëtare, duke përfshirë Parisin, Brukselin dhe Gjenevën. Kemi pasur raste të takohemi me njerëz nga ekonomia, bota e biznesit, nga politika, diplomacia dhe të gjithë këta kanë promovuar një jogatishmëri për të ardhur në vendin tonë. Pikërisht për shkak se Kosova u ballafaqua më shumë se dy vjet me sanksione nga Bashkimi Evropian. E dyta, pas saj Kosova dy vjet u ballafaqua me mosfunksionalizim të institucioneve të qëndrueshme të Kosovës. Dhe së treti, 16 shtatori e ndryshoi komplet qasjen në arenën vendore dhe ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Sipas tij, zhvillimet e fundit kanë pasur pasoja konkrete edhe në aktivitetet e komunitetit të biznesit jashtë vendit.

“Prandaj, kjo do të thotë për biznesin shumë, sepse dy takime të parapara në nivel të lartë në dhomat e kombinuara në Gjenevë na janë anuluar pikërisht për shkak se u dha verdikti në datën 16, dhe ato takime u shtynë për një datë tjetër. Dyshoj se ka qenë arsyeja kjo, mund të ketë edhe arsye të tjera, por e vlerësojmë ne që Kosova do të duhet të jetë më aktive në arenën ndërkombëtare”, përfundoi Shahini.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.