Shahin revoltohet kërkon dorëheqjen e Simonoviqit
Gjilan – Për shkak se nuk i ka respektuar rregulloret dhe ligjin mbi Qeverisjen Lokale, Kemajl Shahin ka kërkuar nga Qemajl Mustafa që ta shkarkojë Zoran Simonoviqin shefin e zyrës për komunitete.
Kemajl Shahinit kryetarit për komunitete në Gjilan i ka ikur durimi. Duke parë se shefi i zyrës për komunitete Zoran Simonoviq po i shkel rregulloret dhe ligjet mbi qeverisjen lokale ka kërkuar nga Qemajl Mustafa që të ndërmarrë masa ndaj tij deri në largim nga ky post.
Shahin tha për rajonipress se Zoran Simonoviq nuk është treguar bashkëpunues sa duhet dhe qëllimisht ka anashkaluar komitetin për komunitete.”Ai me vonesë e sjell raportin e tij të punës i cili në fakt nuk është raport praktik,por një raport me pak informacione i cili më shumë është përshkrues “ tha Shahin.
Shahin tha se asnjë nga anëtarët e komitetit për komunitete nuk është i kënaqur me punën e Simonoviqit. Madje në takimin e fundit të këtij komiteti edhe Bardhyl Kadriu nga LDK-ja, por edhe Galip Hyseni nga komuniteti rom kanë kërkuar largimin e Simonoviqit nga kjo pozitë.
Kërkesa për shkarkimin e shefit të ZKK, është përkrahur edhe nga Bardhyl Kadriu, i cili ka thënë se Simonoviq nuk ka përfillë asnjë kërkesë të Komitetit për Komunitete. Kadriu ka thënë se ai e ka privatizuar Zyrën për Komunitete dhe Kthim.
Pakënaqësi me punën e shefit të ZKK ka shprehur edhe Galip Hiseni nga komuniteti rom, i cili ka thënë se projektet për komunitete nuk kalojnë nëpërmjet Komitetin për Komunitete, si më parë, por dërgohen drejtpërdrejt në Prishtinë. Ai është shprehur i pa kënaqur me injorimin që po i bëhet atij si përfaqësues legjitim i komunitetit rom, nga shefi i kësaj zyre.
Por, shefi i ZKK, Zoran Simonoviq nuk është pajtuar me vlerësimet e Komitetit për Komunitete, duke thënë se detyra e kësaj zyre është mbrojtja e interesave të komuniteteve dhe shprehu habi se çka kërkon ky komitet më tepër prej tij.
Tejet “gjakftohtë” ka reaguar Simonoviq edhe pas kërkesës së Kemajl Shahin dërguar Qemajl Mustafës ,ku kërkohet shkarkimi i tij. Shahin mendon se Simonoviq duhet të japi llogari edhe para Qemajl Mustafes, kryesuesit të Kuvendit dhe Millan Stojanoviqit si nënkryetar i komunës për komunitete.
‘Jam i sigurt se Simonoviq nuk do të marrë notë kaluese nga asnjëri prej këtyre personaliteteve sepse e ka injoruar komitetin dhe ka thyer rregulloret e Qeverisë së Kosovës “ tha Shahin.
Qemajl Mustafa i kontaktuar nga rajonipress tha se shpejt mendon ta takojë komitetin për komunitete për të parë problemet e tyre.”Është e vërtetë që ka ankesa në Zoran Simonoviqin sepse ai politikat i bënë jashtë zyrës dhe nuk angazhohet sa duhet për ta njoftuar mirë gjendjen në teren dhe me e mirëmbajt bazën e shënimeve për të zhvendosurit dhe të kthyerit e të riatdhesuarit” tha Mustafa. /rajonipress/
(Ne foto Kemajl Shahin)