FIDANISHTJA

Serviliteti i të tjerëve apo dinakëria e tij?

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Nga Gani Sadiku – Gjatë fushatës elektorale të këtij viti ishte model të flitej vetëm për zhvillimin ekonomik, që ishte fraza kryesore e programeve politike të të gjitha partive, por sikur të gjitha harruan se pa një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, pa një siguri të gjykatësve dhe prokurorëve, zhvillmi ekonomik mbetet vetëm një utopi. Në Kosovë flitej për një numër të madh të papunëve por që në esencë tek ne, me këtë term nënkuptojmë, të papunët që kërkojnë por nuk mund të gjejnë punë në njërën anë, dhe të pa punët që s’e duan punën në anën tjetër.

Fitorja e PDK-së, së Hashim Thaçit në zgjedhjet e 8 qershorit tregon se elektoratit shqiptarë në Kosovë, më shumë i bënë përshtypje, (por edhe ka dëshirë të dëgjoj fjalë të mira që të lënë pa frymë), premtimi i rrejshëm, se sa çdo aferë e cila ka ndodhur gjatë qeverisjes së tij, e që seriozisht i dëmton interesat e vendit, e cila më kujton një proverb të bukur popullor, kur Mbreti e kishte dërguar një shërbëtor për ti thënë një bariu se po të bënë të parin e “nahisë”. Kur arriti shërbëtori, bariu ishte akoma në gjumë. Shërbëtori duke i treguar bariut të përgjumur se që nga sot Mbreti të ka emëruar si të parin.!! Ai ngriti kokën dhe tha “ e di se s’mund të jetë e vërtetë por më thuaj edhe një herë të lutem se po më vjen “hosh” kur të dëgjoj”.

Kjo tregon se, jemi goxha larg shoqërive demokratike, ku na mungon pjekuria politike, si shoqëri dhe se ekziston një diskrepancë e madhe në mes tê opinionbërjes dhe trupit elektoral në Kosovë.

Sido që të jetë puna, zgjedhjet ishin të qeta dhe demokratike në sytë e vëzhguesve të huaj, por në xhepat dhe sofrat e qytetarëve varfëria, dhe mjerimi, vetëm sa do të thellohen.

Fitorja e PDK-së nuk ishte meritë e kësaj partie, dhe se vota e sajë ishte më tepër votë klienteliste. Votë që kryesisht rridhte nga interesat individuale dhe kapja e shtetit, sepse regjimi politik i PDK-së, montoi në shtet dhe në shoqëri një sistem që lubrifikon, e lëvizë vetëm nga korrupsioni, në drejtim e kahje negative zhbërje, prishje dhe denigrim të gjithçkaje. Por duhet pranuar si fakt se, fitoren e PDK-së e sollën përçarjet e partive opozitare si dhe fakti që partia më e madhe opozitare ishte inerte, dhe fitoren e vet e priste me tepër në saje të përçarjes së PDK-së dhe forcimit të NISM-ës, se sa punës dhe organizimit të elektoratit të sajë.

Për ta shpëtuar LDK-në që të mos rrokulliset deri në thërrmim, strukturat udhëheqëse, si qendrore ashtu edhe lokale duhet që rrënjësisht të reformohen, se përndryshe do të ketë rrjedhje të elektoratit të sajë.

Bleta dhe milingona, janë shoqëritë më të organizuara në natyrë, por organizimi i tyre funksionon në bazë të instinktit për dallim prej njeriut i cili po ashtu biologjikisht njihet si kafshë e që e dallon ecja vertikale dhe organizohet me vetëdije në grupacione apo shoqëri .
Fund i individit në shoqëritë e organizuara quhet, momenti kur individi është i pa dobishëm në atë shoqëri, por shoqëria njerëzore në shumë raste tregohet më humane nga të tjerat, edhe pse me “vetëdije” e vazhdon mbajtjen e individëve që dobia e tyre ka rënë në kuotën minimaliste.

Duhet tê bëhet një analizë e thellë brenda strukturave të LDK-së, para se të bëhet një reformë rrënjësore. Njerëzit që janë “rrzbitur” e që janë duke i shkaktuar humbje LDK-së, duke e huq moralin politikë por edhe patriotik për interesa të tyre, që e lejuan ikjen e trenit të fundit të partisë, duhet të ikin nga skena. Pleqtë nuk mundën ta kapin trenin e fundit, por as zgjidhja nuk vjen duke zëvendësuar njëri plak, plakun tjetër, por duke zëvendësuar me kuadro, të cilat do të sjellin edhe energji të reja.

Elektorati i LDK-së e ka hapur rrugën për ikjen dështakëve, “me faqe të bardhë” ose “fosilet” e mbetura, të cilët nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme që të bëhen pjesë e kuvendit të ardhshëm, edhe përkundër renditjes në 20-Shën e parë të listës, dhe këtu e tutje këto ” fosile ” do të bëhen kanceri i LDK-së në vend se të bëheshin burim me ide kreative dhe përparimtare, bazuar në përvojën e tyre të gjatë në skenën politike të vendit.

LDK-ja nëse nuk arrin të rifrymëzohet, të ribëhet, të riformatohet, por edhe t’i largojë “fosilet” nga radhët e veta, do të fosilizohet edhe vet. “Fosilet” nuk janë ambientuar në raport me kohën, por mbajnë peng edhe elektoratin besnik që këtë parti e duan me mish e shpirt. !

Në këto zgjedhje pati përmbysje të opozitës. Shpërndarje të gjerë te votës opozitare. Konflikt të vazhdueshëm të VV, me krejt bllokun opozitar, posaçërisht me LDK-në, dhe mos futja e sajë në asnjë marrëveshje me askënd, tregoi se lëvizja VV donë t’i fitoj zgjedhjet e ardhshme duke i thënë popullit, ja që, ju kemi treguar, se shpëtimtarët e vërtetë jemi ne.

Mobi Casa

Të gjithëve si shqiptar na gëzoi fakti se më në fund opozita u “bashkua” në një bllok për të mos lejuar,apo për të penguar formimin e qeverisë Thaçi 3, meqë rast pajtohemi të gjithë se do të ishte e keqja më e madhe e cila do t’i ndodhte Kosovës që nga pas lufta e këndej, dhe do të shpinte në konsolidimin e mëtejme të radhëve të krimit, kapjen e mëtejme të shtetit në të gjitha poret e jetës, rrëshqitjen drejt diktaturës, deri në degradim të tërësishëm të vendit.

Sikur nga bota bashkëkohore të kërkohej lista e të metave, siç janë mjedisi i korruptuar, sundimi i dobët i rendit/ligjit, mos efikasiteti në sistemin e drejtësisë, dështimi total i sistemit arsimor, reforma në administratën publike, dështimi në sistemin shëndetësor, krimi i organizuar, korrupsioni galopant dhe peizazhi politik në të cilin dominon një parti e caktuar, me siguri askush nuk do ta përmbushte më mirë se Kosova si kriter.

Por a do të arrijë opozita që ta pengojë formimin e qeverisë Thaçi 3,dhe si.?

Duke e ditur dinakërinë e Hashim Thaçit, mundësinë e kontrabandimit të deputetëve nga ana e tij, si dhe pavendosmërinë e opozitës, e posaçërisht, platformën politike të VV-jes, vështirë se do të arrijë opozita e “bashkuar” të formoje qeverinë, e cila edhe po të arrinte të formohej, së shpejti do të kërkonte ndihmë dhe këshilla për tu çliruar nga vetvetja. Përndryshe me qeverinë e formuar nga kjo opozitë Kosovën do ta përgëzoja për krijimin e një standardit të lartë në politikë.

Leximi i drejtë i kushtetutës së vendit e posaçërisht i komentarit që është shkruar para gati dy viteve, jep të kuptohet se për ta formuar qeverinë e re, rasti do t’i jepet partisë apo koalicionit parazgjedhor, që ka numër më të madh të votave, por meqë ajo nuk do ta ketë të lehtë formimin e kësaj qeverie, atëherë më jep të kuptoj ,se gjasat më të mëdha janë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.

A është formimi i bllokut opozitar alibi që humbësit e zgjedhjeve t’ia zgjasin jetën vetes në postin e të parit të partisë, apo është me të vërtetë një dëshirë e tyre për ta shpëtuar vendin nga një katrahurë që i kanoset në një të ardhme të afërt ?

Nëse LDK-ja merr pjesë së bashku me partitë tjera opozitare në formimin e qeverisë, por në krye të kësaj qeverie të supozuar, do të jetë Ramush Haradinaj,atëherë LDK-ja do të ketë lëkundje përbrenda,sepse disa anëtarë të sajë nuk janë se e duan Ramush Haradinajn për kryeministër të vendit. Elektorati si i LDK-së ashtu edhe i AAK-së, në n’dërdijen e tyre do t’i besojnë më tepër VV-jes dhe vendosmërisë së tyre, për të mos lejuar përsëritjen e një qeverie të ngjashme me atë të Hashim Thaçit, që ishte deri më tani. Por nga ana tjetër AAK-ja e lodhur për një periudhë të gjatë së qëndruari në opozitë, do të mundohet me çdo kusht që lideri i sajë të imponohet për kryeministër.

Shumë herë po flitet për politikë joparimore, për shkak se shqiptarët e marrin si idealizëm politikën, e politikanin e masin me peshoren e vlerës, sinqeritetit, burrërisë, që kanë të bëjnë me vlera universale të njeriut. Por politika dhe demokracia imorale.
“Politika është arti i të qeverisurit, ndërsa demokracia, nuk ka moral, as shpirt, por vetëm numra, ndërkohë që interpretim i vërtetë i demokracisë është pushteti i shumicës, apo pushteti i numrave”.

Thuhet se politikanët e vendeve demokratike janë idealistë dhe japin dorëheqje për gjëra shumë simbolike. Ky fakt nuk ka të bëjë aspak me idealizmin e politikës, por me moralin e lartë politik të vet shoqërisë. Shoqëria është ajo e cila ia imponon moralin e saj politikës, dhe politika është e obliguar pa tjetër t’i bindet asaj shoqërie. Në shoqërinë tonë e cila është në stadin minimal të vetëdijesimit politik, nuk ka moral të mirëfilltë politik, dhe si e tillë këtë moral të dobët e ka vështirë t’ua imponoj politikanëve të pa përgjegjshëm të vendit.

Nëse kësaj radhe do të jetë dikush në krah të Hashim Thaçit, do të jetë dinakëria e tij, dhe serviliteti gjenetik i një pjese goxha të mirë rreth tij./rajonipress/