RCCOLA

Sërish u protestua kundër privatizimit të PTK-së

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Prishtinë – Punëtorët e PTK-së sot kanë protestuar sërish, duke kundërshtuar kategorikisht privatizimin e aseteve të kësaj ndërmarrje dhe njëherësh duke kërkuar implementimin e Kontratës Kolektive. Milazim Alshiqi, kryetar i Sindikatës Federale të punëtorëve të PTK-së, tha se protestat nuk do të ndalen derisa të nënshkruhet Kontrata Kolektive.

Nënshkrimi i menjëhershëm i Kontratës Kolektive dhe mosprivatizimi i PTK-së, ishin kërkesat që punëtorët e kësaj ndërmarrje ia adresuan edhe njëherë Qeverisë dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj.

Kryetari i Sindikatës, Milazim Alshiqi tha se ”ajo që është e dëmshme për shtetin e Kosovës do të kundërshtohet me të gjitha mundësitë”, raportoi rtk.

“Hapjen e ofertave me një çmim i cili do të jetë në kundërshtim me interesat e popullit të Kosovës dhe punëtorëve të PTK-së, ne nuk do ta pranojmë. Ne do ta kundërshtojmë me të gjithë forcën që e kemi, me argumentet të cilat i kemi dhe do të kërkojmë që ajo që është e dëmshme të mos realizohet”, tha Alshiqi.

Hanumshahe Ahmeti, njëra nga shumë punëtoret e PTK-së konsideron se me privatizim do të zvogëlohet dukshëm numri i punëtorëve që punojnë në PTK.

Mobi Casa

“Nëse privatizohet PTK-ja atëherë rreziku që ta humbin vendin e punës është shumë i madh. Ne jemi mbajtës të familjes dhe nëse e humbi vendin e punës atëherë çka do të bëjë unë që ta mbajë familjen time”, tha ajo. Edhe punëtori tjetër Ramdan Makolli, shprehet se kohëve të fundit, punëtorët përballen me kushte të vështira në punë.

“Punëtorët në PTK po punojnë në kushte shumë të vështira. Na mungojnë edhe gjërat elementare. Në depo nuk kemi as letër të bardhë të formatit A4 që u duhet punëtorëve nëpër zyra. Pra, nuk kemi asgjë nga materialet që janë elementare për punë”, tha Makolli.

Sindikata paralajmëron se nëse nuk nënshkruhet Kontrata Kolektive dhe nuk ndalet privatizimi, atëherë protestat do të jenë më radikale.

Ndryshe, një protestë e tillë është zhvilluar sot nëpër të gjitha qendrat e Kosovës, gjegjësisht para ndërtesave të PTK-së.