RCCOLA

Serbofilët kanë frikë nga aleanca “Thaçi-Haradinaj”

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Nga Arbëresh Dalipi-Ideja se Ramush Haradinaj do të hyjë në Qeveri për të tradhëtuar Mitrovicën , bashkë me Hashim Thaçin ,është ide serbe!

Kur të kthehet përfundimisht i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj – pavarësisht se sa i lodhur do të jetë nga i gjithë ky proces; pavarësisht se me sa numra ka gjetur partinë e tij në Kuvend; pavarësisht sa entuziast është kryeministri aktual për të – morali, burrëria e shqiptaria e do që Ramushi të kthehet në vendin prej nga i cili shkoi në Hagë – në vendin e kryeministrit!

Një përmbyllje e tillë do të quhej fitore e plotë dhe e përbashkët e gjithë kombit shqiptar, e luftës së UÇK-së, e institucioneve të Republikës së Kosovës; do të tregonte madhështinë e kryeministrit aktual Hashim Thaçit, me një fitore morale të radhës për të dhe dëshmi për stabilitetin e tij politik, e në fund fare, një satisfaksion për sakrificat, për Ramush Haradinajn. Një dëmshpërblim moral për të!

Nuk do të jetë pastaj e rëndësishme se sa gjatë do të rrijë në këtë post Ramush Haradinaj. Madje, qoftë edhe një ditë simbolike, qoftë edhe një orë. Ramush Haradinaj duhet të emërohet kryeministër i Republikës së Kosovës; jo në kryeministri në Prishtinë, por në fund të tapetit të kuq në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës – sapo të zbresë!

Aty të pritet me nderime shtetërore dhe menjëherë të vijojë punën, po atë ditë, duke takuar në Qeverinë e Kosovës, kryeministrin aktual Hashim Thaçin, i cili do t’i dorëzojë detyrën që ky e kishte kur fluturoi për herë të parë në Hagë. E zgjedhjet e parakohshme pastaj, të cilat u deklarua se i parapëlqen Dauti, kur është fjala për bashkëqeverisjen me PDK-në, do të mund t’i shpallte me një akt politik vetë kryeministri Ramush Haradinaj, në bashkëveprim me Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sa herë e kemi përmendur Ramush Haradinajn, pas fillimit të procesit gjyqësor kundër tij, kemi thënë “ish-kryeministri i Kosovës” ose kemi ngritur parullat “kryeministri ynë ka punë për të bërë në Kosovë“, me pretendimin që të na e kthenin kryeministrin që kishte lënë punën në gjysmë! E tash, kjo duhet të ndodh!

Mobi Casa

Pra, vetëm kjo do të ishte arsyeja e AAK-së për të hyrë në qeveri – arsye siq thuhet në popull “për inat të shkive”. Por kam frikë se kjo është më e vështirë se zgjidhja e problemit të Mitrovicës, më e vështirë se liberalizimi i vizave, se anëtarësimi në OKB apo anëtarësimi në BE, madje më e vështirë edhe se pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Serbia – “inati prej shkive”!

Kjo ide e imja, që Ramush Haradinaj duhet të hyjë në qeveri si kryeministër, në momentin e marrjes së pafajësisë, megjithëse mund të duket utopike apo fantastiko-shkencore, mbi të gjitha është ide shqiptare!

E deklarimet e tjera, se koalicioni do të bëhet që të amortizohet reagimi opozitar apo të relativizohet a të shpërndahet përgjegjësia në rastin e lëshimit pe në problemin e veriut janë ide paranojake. Sipas kësaj, del që, nëse paraqitet nevoja që dikush ta tradhëtojë këtë vend, atë kanë të drejtë ta tradhëtojnë vetëm patriotët, të cilët askush nuk do të ketë mundësinë t’i akuzojë për tradhëtinë.

Ose, nëse kemi frikë për tradhëti – atë duhet ta presim (larg qoftë) nga patriotët! Shumë e sëmurë si ide! Ky justifikim, që po mbulon këtë spekulim ditëve të fundit, është ofendim për patriotizmin e Ramush Haradinajt dhe të Hashim Thaçit. Pavarësisht sa të kontestuar a të pranuar janë ata politikisht, por si patriotë që kanë prirë në procese vendimtare për Kosovën, ofendimi është i rëndë.

Propagandat konspirative shkojnë aq larg sa thonë: “Të huajt, po e kushtëzojnë (shantazhojnë) Ramush Haradinajn me pajtimin e tij për t’i dhënë status special veriut të Mitrovicës në këmbim të pafajësisë nga Tribunali i Hagës”! Edhe kjo duket një sëmundje, nga ato që s’u gjendet shërim në Kosovë!
Ideja se Ramush Haradinaj do të hyjë në qeveri për të tradhëtuar Mitrovicën, bashkë me Hashim Thaçin, është ide serbe! A ka poshtërim më të madh, se të përfaqësosh një ide serbe?!