Hidromorava

“Serbia ta njohë Kosovën, pikë”, Kai Eide pas 18 vitesh shpjegon Raportin e tij

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Propozuesi i parë i një “lidhje horizontale” mes komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, Kai Eide, ish-Përfaqësuesi Special për Kosovën i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, në një intervistë me Nacionalen, 18 vite më pas thotë se me të ka pasur ndërmend që ajo të jetë pjesë e një kornize të përgjithshme të shtetit të Kosovës dhe t’i zhbëjë përfundimisht strukturat paralale – e konkluzioni i krejt kësaj, na thotë ai, ishte “që Serbia ta njeh Kosovën si shtet” dhe të ketë “njohje të ndërsjellë”.

Në asnjë mënyrë, thotë ai, propozimi i tij, që lexohet të jetë burimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, nuk ka pasur ndërmend një autonomi territoriale që do të mund të shndërrohej si shtet brenda shtetit.

Për Marrëveshjen e Ohrit që parasheh të sjellë “njohje de facto të ndërsjellë”, Kai Eide, thotë se “nuk jam hiç entuziast”.

Veç kësaj, ai qorton ashpër Serbinë për mosnjohjen e Kosovës, të cilën e quan, “non-sens”, “pa asnjë kuptim” dhe veçse “humbje” për ta.

Pyetur se si e sheh që 18 vite më pas ky Asociacion vazhdon të jetë problematika më e madhe, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në marrëdhëniet e Prishtinës me mbarë komunitetin ndërkombëtar, ai thotë se “është tepruar me këtë çështje” dhe se “absolutisht nuk kam simpati ndaj atyre që besojnë se mund të jetë njëfarë enklave serbe që më vonë mund të kthehet në njëfarë autonomie edhe më të madhe”.

Fundamenti

Për Qeverinë e Kosovës Kai Eide e ka një porosi: atë të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët kyç të saj, dhe në veçanti që bashkërisht me ta të definojë “gamën” e këtij Asociacioni, se çka-e-si do të jetë ajo.

“Është me rëndësi që qeveria e Kosovës punën ta bëjë ngushtë me aleatët e saj, për të përcaktuar lidhjen e komuna të banuara me shumicë serbe ose Asociacionin, i cili qëndron brenda kornizës kushtetuese të saj”, shprehet ai.

“Duhet të jeni pragramtik rreth kësaj. Ajo çfarë kam përsëritur çdoherë është që ajo duhet të jetë pjesë e kornizës së përgjithshme shtetërore të Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës. E tërë potera që është bërë tregon mungesë gatishmërie për të negocuar, dhe më duhet të them se jam tejet i zhgënjyer që kjo çështje, qe 18 vite që kur është konceptuar, dhe i mirëpritur edhe nga Prishtina edhe nga Beogradi, dhe ende mbetet çështje e kontestuar. Mendoj se është simpotomë e diçkaje tjetër”.

Por, ndërprerë nga Nacionalja se në fakt Serbia nuk e njeh Kosovën ndërsa në të njëjtën kohë kërkon diçka-në-diçka që nuk e njeh, ai thotë se “e kuptoj” dhe se pikërisht “qëndrimi im atë kohë është se kjo do të ishte pjesë e një kornize ku pjesa përbërëse më e rëndësishme do të ishte Njohja e Ndërsjellë, Serbia ta njihte Kosovën si shtet.

“Tash është nxjerrë nga ai konteskt dhe është zhvendosur në një kontekst tjetër, si një propozim Plan B. Kurrë s’kam pasur simpati për këtë plan B. Mendoj se Serbia duhet ta njohë Kosovën, pikë. Kjo ka qenë gjithmonë pikëpamja ime. Po, kam heshtur gjatë periudhës së fundit, por e shoh që ky Plan B është ngritur, është ndjekur nga BE etj. Qëllimi im që nga fillimi ka qenë që duhet të diskutojmë për të ardhmen, dhe për mua kjo do të thoshte statusi final, diskutimet finale. Dhe kjo nuk është ku jemi sot. Po diskutojmë për ndofarë hibridi. Skepticizmi kundër propozimit tim mund të kuptohet më mirë në dritën e kësaj që sot është propozimi më i madh. Por, në kontekstin e propozimit tim, që ishin serbët ta njohin Kosovën, ka kuptim të përsosur”, ka thënë ai.