Serbia po bën terror shtetëror për spastrim etnik

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka deklaruar se arrestimi i pesë shqiptarëve të dyshuar për krime lufte në vitin 2001 është “vazhdim i terrorit shtetëror” kundër shqiptarëve të Luginës.

Halimi ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve Beta se terrori shtetërorë filloi në mënyrë agresive në dhjetor të 2008-ës, për të vazhduar në korrik të 2009-ës, dhe se sipas tij, kjo është arsyeja pse qindra familje shqiptare kanë emigruar nga Lugina e Preshevës.

“Nuk është rastësi që ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Dacic ka nisur arrestimet dy ditë para zgjedhjeve. Veprimet e tilla mund të kenë pasoja për tërë rajonin. Qëllimi është për të fituar pikë të lira politike, duke luajtur me fatin e këtij vendi dhe të gjithë rajonit”, tha Halimi.

Uji Dea

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë tha se ish-anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk janë më të sigurt në Serbi, edhe pse me përfundimin e konfliktit të 2001-ës, atyre iu garantua amnistia. Ai tha se në mesin e të arrestuarve është edhe një kandidat për këshillin lokal, i cili është lënduar gjatë aksionit të policisë.

“Ky është një vazhdim i procesit politik, që ka për qëllim presionin ndaj shqiptarëve të rajonit. Rezultati ishte spastrimi etnik i shqiptarëve, ku vetëm në komunën e Medvegjës nga 5 mijë e 500 shqiptarë kanë mbetur vetëm 600”, tha Halimi duke shtuar se shqiptarët janë të shqetësuar rreth kërcënimeve të ministrit Dacic se arrestimet do të vazhdojnë. /Telegrafi/