UBT

Serbët po luajnë me zjarr

/ 15 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryeministri Hashim Thaçi, në intervistë për gazetën kroate, “Jurarnji list”, thotë se serbët janë duke e rrezikuar të ardhmen e tyre europiane, përderisa e dinë se çështja e kufijve në Ballkan është e zgjidhur.

Hashim Thaçi, kryeministri kosovar i ri në moshë, lideri i rezistencës ndaj Millosheviqit, ka qëndruar këto ditë në Zagreb, para se të udhëtojë në Bruksel ku është takuar përsëri me kryeministrin serb Ivica Daqiq.

“Shpresoj që fakti që në Bruksel kam udhëtuar nga Zagrebi nuk do të interpretohet gabimisht në Beograd, siç edhe bëjnë ata rëndom”, na tha me një buzëqeshje të përmbajtur në fillim të bisedës kryeministri kosovar.

A do të bëhet fjalë në ato takime për “ndarjen” e Kosovës, për çfarë spekulohet në Serbi, apo do të ketë diskutim për autonominë politike-territoriale të serbëve për çfarë di të flas edhe kryeministri serb Daciç?

“Tanimë jam lodhur duke dhënë përgjigje në propozime të tilla nga Serbia”, filloi të flasë Hashim Thaçi, i cili gjatë bisedës vetëm disa herë e ka ndryshuar gjestikulacionin, kurse intonacioni i tij ishte i njëjtë gjatë tërë kohës. Do të jepte ndonjë buzëqeshje kur dëshironte të theksonte, sipas mendimit të tij, absurditetin e disa qëndrimeve të Beogradit.

“Nuk e di përse ata tërë kohën sillen në rreth. Propozimet e tilla nuk më janë tanimë as zbavitëse, as të kuptueshme. Ato nuk mund t’u shërbejnë as rrëmujave të brendshme serbe. Ivica Daciç i di më së miri këto fakte”.

Çështja e integrimit

Përpos kësaj, kjo gjë i është thënë atij shumë herë në Bruksel dhe Uashington. Kosova është shtet i pavarur të cilin deri tani e kanë njohur më tepër se 90 vende të botës. Kosova e ka zgjedhur rrugën e integrimeve europiane. Por, nëse është nevoja, do të përsërisë për kushedi të satën herë tregimin e Kosovës së pavarur. Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë.

Atje ka sunduar terrori i Millosheviqit. Jemi ngritur kundër tij dhe e kemi fituar pavarësinë në bashkëpunim me miqtë dhe aleatët tanë në botë. Kosova është unike dhe e pandashme. Këtë e vërtetojnë akterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Në këtë kontekst jam për bashkëpunim regjional të fqinjësisë së mirë.

Por serbët në Veriun e Kosovës nuk e pranojnë as shtetin as institucionet kosovare. Kanë krijuar institucionet e tyre paralele dhe kërkojnë bashkim me Serbi ose, të paktën, autonomi.

Serbët në Kosovë janë pjesë e popullsisë sonë, Kosova është shtet edhe i tyre. Prandaj shpresoj që tek ata, si edhe në Beograd, më në fund do të mbizotërojë bindja që duhet të integrohen në shoqërinë kosovare, dhe të mos jetojnë jetë paralele, duke udhëhequr institucione paralele politike. Kjo nuk sjellë asgjëkundi. Beogradi duhet t’i largojë ato institucione paralele pasi që ato janë barrë edhe për ne edhe për ta, dhe sidomos krijojnë konfuzion tek serbët e Kosovës pasi që krijojnë shpresë të rrejshme dhe ju pengojnë që me tërësi nacionale, politike dhe shoqërore të përfshihen në jetën e Kosovës.

Ky parapushtet në veri ushqehet dhe stimulohet nga Beogradi. Atje ajo duhet të ndalohet. Duhet më fund të përfundojë ajo agoni dhe iluzion. Me serbët e Kosovës manipulohet në mënyrë të vazhdueshme nga Beogradi – qoftë për nevoja të zgjedhjeve, qoftë për qërim hesapesh të brendshme politike. Serbët nga Kosova janë të keqpërdorur. Kjo është një betejë e humbur paraprakisht e cila do t’i kushtojë më së tepërmi komunitetit serb në Kosovë. Në bisedat private zyrtarët serbë thonë që Kosova është një tregim i përfunduar, por publikisht, pothuajse me ngulm vetëvrasës, vazhdojnë me retorikën e njëjtë dhe ende „mashtrojnë“ serbët e Kosovës dhe rëndojnë marrëdhëniet në regjion.

Kjo është një lojë e rëndë me emocionet e njerëzve të cilët jetojnë atje. Beogradi duhet që më në fund të ndaloj këtë agresion verbal ndaj integritetit territorial të Kosovës. Nuk bëhet fjalë për ndarjen e Kosovës, dhe as për autonominë politike-territoriale të serbëve. Kjo është e pazbatueshme. Politikanët në Beograd këtë e dinë shumë mirë dhe me të vërtetë nuk ka nevojë që edhe më tutje të flasin për projekte të tilla. Kjo nuk është temë e bisedave tona. Ne kemi për çfarë të flasim. Si dy vende sovrane fqinje duhet të zgjidhin çështjet e shumta teknike.

A mendoni që tregimi për ndarje të Kosovës është vetëm karrem për qetësimin e publik të brendshëm?

Krijimi i shteteve dhe përcaktimi i kufijve në Ballkan është proces i përfunduar. Këtë e ka thënë qartë edhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton gjatë vizitës së paradokohshme në regjionin tonë. Nëse Serbia vazhdon të insistoj në ndryshim kufijsh, jo vetëm me Kosovën, atëherë kjo gjë do të mund të kthehet kundër saj. Serbia duhet të kuptojë nëse e ndez këtë „gacë të kufijve“ do të mund të përfundonte si atëherë, kundër Beogradit. Luajnë me zjarr.

Me Daciçin jeni takuar në Bruksel, por në Beograd këto takime nuk janë prezantuar si takime në mes të kryeministrave të dy shteteve fqinje.

Edhe kjo është diçka e lodhshme. Takimi jonë ka qenë bilateral. Në atë takim e kam përfaqësuar Qeverinë e Kosovës. Në jakën e xhaketës kam pasur stemën me flamurin tonë, kurse Daciçi e ka përfaqësuar Serbinë dhe në jakën e tij e ka patur stemën e Serbisë. Takimi ka qenë në shenjë të barazisë së plotë. Është mbajtur nën patronazhin e BE’së, por ky ka qenë takim i kryeministrave të dy vendeve sovrane. Nëse në Serbi dëshirojnë të nënvlerësojnë rëndësinë e takimit apo ta paraqesin ndryshe, Atëherë e kanë plotësisht gabim! Unë atje kam përfaqësuar shtetin tim Kosovën dhe Kushtetutën e saj, ligjet dhe perspektivat si dhe qytetarët e saj të nacionaliteteve të ndryshme.

Fati i përbashkët

Çfarë dëshironi të diskutoni me Daciçin?

Çështjet teknike të marrëdhënieve të vendeve tona të cilat do të lehtësojnë bashkëpunimin ndërkufitar, tregtar, marrëdhëniet ndërnjerëzore e tjerë. Dëshiroj që më në fund të filloj zbatimi i menaxhimit të përbashkët të vendkalimeve kufitare, i ashtuquajturi integrated border management. Normalizimi i marrëdhënieve në mes të vendeve duhet të bëhet sipas parimin „win-win“. Së dyti, në bisedat me Daciçin dëshiroj të mësoj edhe për fatin e 1500 shqiptarëve nga Kosova të zhdukur. Edhe Kroacia ka qenë në luftë me Serbinë. E dimë se çfarë ka ndodhur këtu, dhe tani Kroacia dhe Serbia zhvillojnë bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë në kuptim politik dhe ekonomik. Kjo duhet të ndodhë edhe në marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Normalizimi i marrëdhënieve serbo-kosovare është domosdoshmëri. Fati jonë i përbashkët është në Europën e bashkuar. Nuk duhet t’ia komplikojmë jetën njëri-tjetrit.

Presidenti i Serbisë, Nikoliq ka thënë që ai, nëse para Serbisë vendoset mëdyshja – BE apo Kosova, do të zgjedhë Kosovën. Sa paraqet vështirësi një qëndrim i tillë në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve?

Nikoliqi nuk ka mundësi zgjedhjesh. Ai përsëri e mashtron vetën dhe opinionin serb. Kosova është çështje e përfunduar. Ne jemi shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranuar, së shpejti do të jemi anëtarë të OKB’së. Nëse do të kisha patur rastin t’i ofroja Nikoliqit këshillë, do t’i kisha thënë që të heqë dorë nga dyshimet shterpe dhe të mos e rrezikojë të ardhmen europiane të Serbisë dhe të popullit serb. Mirëpo nëse Nikoliqi vazhdon me këtë diskurs, shoqëria serbe do të bëhet peng e një politike të tillë. Do të mbeten edhe pa BE, siç kanë mbetur pa Kosovë. Nikoliqi ka qenë zëvendëskryeministër në kohën e Millosheviqit dhe ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë.

Në Serbi thonë që politikani i parë që do të thotë që Kosova është e humbur do të shpallet si Vuk Brankoviqi, tradhtari më i njohur mitik serb.

Jo, unë nuk mendoj ashtu. Askush që do bëjë një gjë të tillë nuk do tradhtoj asgjë! Do ta pranoj realitetin. Kjo është një qëndrim dhe premisë e gabuar. Përkundrazi, lideri i cili do të thotë këtë i pari, përkatësisht i cili do të konfirmojë atë që çdo serb veçse e di, do të tregojë urtësi, realitet dhe ndërgjegjësim. Kjo do të tregonte që mendon për të ardhmen edhe të Serbisë dhe të serbëve në Kosovë dhe që dëshiron paqe dhe stabilitet në regjion. A do të jetë ai Nikoliqi, Daciçi apo dikush i tretë, nuk e di, por sa më parë që ta bëjnë këtë, aq më parë do të arrijmë përparim në përafrimin me integrimet euroatlantike.

Uji Dea

Keni përmendur çështjen e shqiptarëve të zhdukur, por edhe Serbia kërkon shumë të zhdukur në Kosovë. Shpesh përmenden krimet e luftës së marrjes së organeve të serbëve të arrestuar.

Këto akuza janë fantashkencë. Por, unë jam për atë që çdo dyshim për krime lufte të hetohet. Nuk duam asgjë të fshehim. Në luftë për pavarësi jemi futur për shkak të shumë krimeve të cilat Millosheviqi i ka bërë ndaj shqiptarëve shumë para fillimit të luftës. Është ushtruar gjenocid. Kemi lejuar që organet ndërkombëtare hetuese të kontrollojnë çfarëdo pohimesh të përfshira në akuzat serbe për kontrabandë me organet njerëzore. Asgjë nuk fshehim dhe plotësisht bashkëpunojmë. Këto akuza janë konform akuzave fantazmagorike të raportit të Dick Martyt. Kjo është një barrë e madhe për Kosovën. Por, qëllimi i vetëm i kësaj është dëmtimi i Kosovës edhe kompromitimi i saj para komunitetit ndërkombëtar.

Asgjë nuk fshehim

Do të thotë kjo që refuzoni çfarëdo akuzash në lidhje me këtë?

Asgjë nuk fshehim. UÇK’ja ka luftuar në anën e drejtësisë dhe lirisë dhe ka respektuar standardet ndërkombëtare. Personalisht konsiderojë që asgjë e tillë nuk ka ndodhur, por këtë le ta vërtetojnë organet relevante ndërkombëtare.

Çfarë mendoni për negociatorët nga Beogradi?

Problemi nuk është te personat që negociojnë as nga ana jonë as e tyre, por në fakti që serbët, pa marrë parasysh se për këtë bëhet fjalë, asnjëherë nuk kanë respektuar asnjë marrëveshje me ne, që nga Rambouillea. Të sqarojmë: bombardimi i Serbisë ka filluar kur është kuptuar që Serbia nuk ka respektuar asnjë nga marrëveshjet, kurse dhuna e regjimit ndaj shqiptarëve ka vazhduar. Njëjtë ka ngjarë edhe gjatë negociatave në Vjenë mbi planin e Ahtisaarit. Kur Serbia e ka refuzuar, ne kemi vendosur të shpallim pavarësinë. Pra, reagimet çdoherë kanë pasuar pasi që pala serbe të ketë refuzuar të respektojë marrëveshjen! Problemet e Serbisë dhe të politikanëve të tyre nuk janë Kosova, ato ndodhen në Serbi, tek lidershipi i tyre dhe ngarkesat historike dhe mitike prej të cilave assesi nuk po mund të lirohen. Ata edhe sot përsërisin gabimet e njëjta: mashtrojnë dhe gënjejnë publikun e vet mbi situatën në Kosovë dhe për qëndrimet e tyre „principiele“.

Gjatë takimit të parë me Daciçin ai ju ka thënë, në shaka, që do të ishte dashur t’ju arrestonte por që prapëseprapë nuk do të bëjë këtë.

Po, e kam kuptuar këtë si shaka, por kam mundur edhe unë ta arrestoja atë kur ka qenë në Kosovë. Atje ka qëndruar i papenguar falë intervenimit tim. Unë atij i kam ofruar shtetësi pasi është i lindur në Kosovë. Daciçi e ka humbur luftën në Kosovë! Unë me të sot bisedoj, por duhet ta ketë parasysh që ai ka qenë pjesë e regjimit i cili ka bërë shumë krime ndaj shqiptarëve. Ai ka qenë zëri, dhe ndonjëherë edhe fytyra e Sllobodan Millosheviqit. Ne kemi fituar në luftë. Institucione serbe qysh në vitin 1999 njëherë e përgjithmonë janë larguar nga Kosova. Natyrisht, kemi qenë në luftë me një regjim tjetër. Gjërat kanë ndryshuar. Edhe Daciçi ka ndryshuar, sikurse edhe Tomisllav Nikolliqi, i cili gjithashtu ka qenë zyrtar i qeverisë serbe gjatë kohës së luftës. Këta njerëz tani janë në pushtet të vendit tonë fqinjë. Kanë legjitimitetin e popullit të tyre dhe të komunitetit ndërkombëtar, sikurse edhe ne, prandaj unë çdoherë do të shkoj të bisedoj me ta.

Edhe në Beograd?

Nëse është nevoja, edhe atje.

Kur mendoni që do të shkoni në Beograd?

Kjo është një çështje e ndërlikuar dhe jo aq për mua se sa për Serbinë. Ata duhet të ndryshojnë thelbësisht për të pranuar një gjë të tillë. Ajo për çfarë jam unë është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme se sa vizita ime formale në Beograd. Mirëpo, shpresoj që në të ardhmen të ketë vizita të delegacioneve serbe në Prishtinë dhe atyre kosovare në Beograd.

Jeni ju një personalitet mjaft i urryer në Serbi?

Po, jam subjekt i vazhdueshëm sulmesh. Më quajnë terroristë, mafioz dhe nuk e di çfarë tjetër jo. Mundohem të kuptoj neverinë e një pjese të publikut serb ndaj meje. Jam cak i luftës më të errët propagandistike. Me vite për mua në Serbi krijohet imazhi i një monstrumi. Por, unë jam përzgjedhje e zgjedhësve të këtushëm. Mua më pranojnë presidentët e shteteve kryesore të botës, siç më kanë pranuar tani kryeministri juaj Millanoviq dhe presidenti Josipoviq. Le ta pranojë edhe pala serbe këtë fakt. Duhemi ngritur mbi stereotipet dhe propaganda e shtypit të verdhë. Do të më duhej të ishin falënderues që për këto 13, 14 vite jam duke u munduar që të vijnë tek një ndërgjegje racionale. Nuk ndez pasione të ulëta. Si themelues i UÇK’së kam qenë në konflikt me organet e regjimit serb në Kosovë, policinë dhe ushtrinë, të cilët kanë ushtruar terror. Jam krenar me luftën tonë. Kam luftuar për të shkulur ligjet diskriminuese të Millosheviqit. Kam luftuar për ekzistencën e popullit tim të cilën e kishte të kërcënuar, për demokraci i ligjet më të avancuara europiane. Kjo nuk është mëkat.

Kroatët, në parlament

A e keni më të lehtë ndoshta të bisedoni me Daciçin dhe Nikoliqin të cilët kanë qenë pjesë e regjimit të Millosheviqit me të cilin keni luftuar, sesa me Tadiqin apo ndonjë politikan tjetër demokrat serb?

Me serbët takohem që nga Rambouillea. Jam takuar me përfaqësuesit e Millosheviqit, Koshtunicës, Gjingjiqit, Tadiqit, dhe tani me Daciçin dhe Nikoliqin. Ata janë të gjithë të ndryshëm për nga mentaliteti, karakteri dhe bindjet politike, por, fatkeqësisht, asnjëherë nuk kam vërejtur dallime të mëdha kur është fjala për Kosovën. Kjo është në fakt problemi kryesor.

A është njohja e Kosovës nga ana e Beogradit thelbësore për zgjidhjen e problemit?

Për këtë duhet t’i pyesni ata. Me rëndësi është komunikimi i mirë, të kemi kufij të hapur sipas modelit europian. Do të ishte mirë që të hapen zyrat tona reciproke në Beograd dhe Prishtinë për shkak të komunikimit më të lehtë dhe më të shpejtë. Por, procesi i bisedimeve tona do të përfundojë me njohje reciproke. Nuk dua të spekuloj se kur do të ndodhë kjo, por mendoj që deri tek kjo do të vijë shumë më herët sesa që mendon Nikoliqi.

Sa jeni të kënaqur me pozitën e Kroacisë pasi që ndonjëherë duket sikur Zagrebi është i kujdesshëm në marrëdhëniet me Kosovën për t’i mos i hyrë në hak Serbisë?

Pozita e Kroacisë është shumë e qartë ndaj Kosovës. Kroacia përkrah pavarësinë e Kosovës. Ne, në anën tjetër, shohim mundësitë që edhe kroatët nga Kosova të kenë përfaqësuesin e tyre në parlament. Për ne është shumë me rëndësi që Kroacia të ketë marrëdhënie të mira me Serbinë. Por kjo nuk do të thotë që Serbia mund të përzihet në marrëdhëniet bilaterale në mes të Kroacisë dhe Kosovës.

Shpesh thuhet që ekzistenca e dy shteteve shqiptare është e panatyrshme dhe që një ditë do të vijë deri te krijimi i Shqipërisë së Madhe.

Ne jemi për kufij të hapur, por jo edhe për ndryshim kufijsh. Në fund edhe ne edhe Shqipëria do të jemi pjesë e NATO’s dhe BE’së sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të regjionit. Nuk merremi me ndryshime kufinjsh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e familjes së madhe europiane.