Serbët e Shillovës bëhen me asfalt të ri

Gjilan – Asfaltimi i rrugës në fshatin Shillovë ka kushtuar mbi 340 mijë euro. Serbët janë shfaqur të kënaqur pas realizimit të këtij projekti madhor për ta.
Banorët e fshatit Shillovë tashmë janë bërë me asfalt të ri pasi kompania “Eurotrans” të mërkurën ka kryer fazën e parë të shtresës së asfaltit. Ky projekt kap vlerën e 345 mijë eurove dhe ka nxitur reflekset pozitive tek banorët e këtij fshati etnikisht të pastër.
Shillova numëron mbi 400 shtëpi dhe është njëri nga fshatrat që me kohë ka pranuar realitetin e ri në Kosovë. Millan Stojanoviq që është nënkryetar i komunës për komunitete dhe që vije nga ky fshat tha për Rajonipress se ndihet i lumtur që më në fund është përfunduar pjesa kryesore e projektit.”Ka qenën premtim imi dhe i kryetarit të komunës që ta asfaltoj rrugën e cila ishte e dëmtuar shumë. Tani është lehtësuar edhe komuniteti serb sepse në kuadër të projektit janë paraparë edhe rregullimi i trotuareve dhe kanalizimi”tha Stojanoviq.
Burim Govori nga kompania “Eurotrans” tha se vlera e projektit arrin në 480 mijë euro.”Ministria e pushtetit lokal ka participuar me 100 mijë euro dhe komuna me 370 mijë euro. Në këtë projekt është i paraparë edhe rregullimi komplet i kanalizimit dhe shirave fekal e atmosferik” tha Govori./rajonipress/