Mobi Casa

Senatori Bob Doll shpallet qytetar nderi i Gjilanit

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka shpallur qytetar nderi ish-senatorin Robert Joseph Semore, i njohur si Bob Doll. Ky nder iu dha senatorit Doll për angazhim në avancimin e vlerave njerëzore, politike e demokratike në Kosovë e në rajon, për mbështetjen e pavarësisë dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe për ngritjen në piedestal të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Kuvendi Komunal iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Shoqatës“Miqtë e Amerikës”, e cila kishte propozuar shpalljen e senatorit Doll qytetar nderi të Gjilanit, me arsyetimin se ai e ngriti problemin e shqiptarëve në instancat më të larta të SHBA-ve, atëherë kur Kosova kishte më së shumti nevojë për miq.

Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal tha se me këtë vendim, Gjilani e ka respektuar mikun e dëshmuar të shqiptarëve dhe Kosovës. Kjo është një formë për t`i nderuar miqtë e fuqishëm, të cilët na kanë ndihmuar në rrugëtimin tonë drejt lirisë.

Uji Dea

Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, ndërkaq tha se SHBA-të nuk janë miq të rastësishëm të shqiptarëve, duke nënvizuar se me këtë vendim për të shpall qytetar nderi ish-senatorin Doll, Gjilani i bënë në rend të parë nder vetvetes dhe pastaj demokracisë më të përparuar në botë.

Agim Rexhepi nga shoqata “Miqtë e Amerikës” tha se që sonte do ta informojë senatorin e përjetshëm amerikan për vendimin e asamblesë komunale të Gjilanit, ish-presidentin Klinton si dhe miqtë tjerë në Departamentin e Shtetit. “Ky është një vendim, në rend të parë, njerëzor dhe pastaj edhe diplomatik e politik”, ka thënë Rexhepi, duke nënvizuar se Bob Doll gjendet në gjendje të keqe shëndetësore. /rajonipress/