Uji Dea

Sëmundja e rrenës!

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerina Rogova Gaxha- Ka pasur një kohë kur ishim të vegjël dhe mësynim të shpiknin tyrlifarë rrenash për Një Prillin. Ndonëse brezat kanë ndërruar e janë rritur dhe të rriturit e dinë se Një Prilli është një ‘rrenë’,dita e rrenave, me gjasë vazhdon të mbetet datë e shënuar në kalendarin shqiptar. Si është e mundur që të merremi kaq shumë me 1 prillin?

Mbase kjo dashni flet për diçka më të madhe dhe faktin se rrenën e kemi ‘për qejf’ ose më mirë ‘për shpirt’, në mos e dhashtë zoti edhe në gjak. A jemi një popull që rrejmë shumë apo secili prej nesh është i sinqertë me veten, derisa të vijë një tjetër, dhe atëherë nis rrena. A janë shqiptarët një popull hipokrit apo një popull që gënjen me sinqeritet? Thonë se hipokrit i vërtetë është ai që i di truqet e veta, ai që di të gënjejë me plot sinqeritet.

Ndoshta kjo i bie që ne jemi krejtësisht të sinqertë në rrenat tona. E që dyfytyrësia dhe tortura e saj të jenë tiparet që rrinë nën emrin e sinqeritetit dhe ndershmërisë sonë.Të jesh i virtytshëm shpesh do të thotë t’i vësh vetes disa kufij dhe t’i bindesh një fuqie jashtë vetes. Do të thotë të mbash një ekuilibër mes lirisë dhe maturisë. Ta kufizosh lirinë tënde për hir të rregullave ekzistuese. Duket se për ne shqiptarët kjo vijë është gati e padukshme.

Ndoshta dekadat e shtypjes kanë bërë që liria kolektive e liria individuale të jenë gjithnjë në humbje, dhe dekadat e fundit që bota i njeh si ekspansion të lirisë së njeriut, për ne të jenë poashtu të padukshme. Dhe në këtë hipokrizi ta kallëzojmë vetë turpin e të pamoralshmes sonë.
A jemi një popull që rrenën e kemi në gjak, apo rrejmë me sinqeritet?

Profesionistët e zellshëm do të gjenin tokën e plleshme për të zbuluar se cilët janë kufijt inekzistues të shqiptarëve në raport me rrenën. Megjithëse mund të jetë edhe e pamundshme duke ditur se mund ta kemi absorbuar veten dhe në njëfarë mënyre atomizuar në fenomenin e dyfytyrësisë, rrenës apo hipokrizisë, qysh do që ta quajmë. Mund që edhe specialistët të ikin e të na lënë në vetëkënaqësi.

ARKATANA

Kur një femër nga Kosova vesh pantallona të bardhë, nën të cilat vërehen edhe të padukshmet, ajo vetë, dhe një tjetër ose qindra të tjerë do të thonë ‘shaci’, duke e ironizuar e gjykuar veshjen e shqiptarëve që jetojnë përtej cilivilizimit shqiptar, ngjyrën e tyre të bardhë, këmishat e hapura dhe dukatin pash më pash. Ne që e kemi përjetuar ‘revolucionin’ e ‘farmerkave të reklamave’ dhe me to kemi rrëzuar konventat sociale e kemi rrënuar himnet tradicionale, sikur e kemi kapur për këmbsh lirinë e idealeve të larta, për ta shkërryer më pas atë, duke e vënë nën tehun e kritikës sonë edhe secilin shqiptar jashtë tokave shqipe. Për të luajtuar me edukatën, kulturën që mund ta kenë marrë, larg pafytyrësisë sonë e manisë së rrenës. A janë ata, ‘shacit’ e civilizuar shumë më të sinqertë se ne apo sinqerisht nuk rrejnë?

A është kjo diçka për të cilën duhet përqeshur e gjykuar, apo shoqëria e atomizuar në gënjeshtër do të duhej të ndalej, të reflektonte e t’i ndajë në proporcione të njëjta gjitha virtytet njerëzore dhe t’i vërë disa zingjirë moral mbi dëshirat e të qenit shumëfytyrësh. Nuk është aspak e çuditshme të thuhet se fuqia e rrenës te ne është gati e pakontrollueshme, varësisht prej vullnetit dhe oreksit të secilit.

Të flasësh për rrenën, thonë jo vetëm që s’është e lehtë, por edhe shumë e komplikuar. Më shumë se sa ajo që thuhet, ka të bëjë me atë që e mendon një person. Ç‘është rrena për shqiptarët? A është “rrena” ndër shqiptarë gjenetike apo e fituar, patologjike apo tradicionale. Në analizat e shkencëtarëve serbë, jo njëherë është thënë se serbët janë gënjeshtarë tradicionalë dhe ustallarë të zanatit. Por sa janë të tillë shqiptarët ose popujt tjerë të Ballkanit.

A është e mundur që popujt e këtij konteksti gjeografik, kanë pasur telashe me identitetin si vlerë dhe janë shndërruar në viktima të kompleksit të “vlerës së vogël” dhe prandaj e kanë përvetësuar “rrenën” si strategji të kompensimit të vetes së munguar. Sigurisht se kjo kërkon një studim shkencor për të parë se pse janë kaq rrenacakë popujt ballkanik, e në mesin e tyre edhe shqiptarët.

A mund të jetë se këtu e ka bazën edhe interesimi i opinionit publik për Një Prillin, si ditë të gënjeshtrave dhe jo pak shqiptarë i merr malli për të, duke qenë se pikërisht gjatë kësaj dite ndjehen vetja e tyre. I kemi akuzuar politikanët se janë “gënjeshtarë par-excellence” dhe kjo me shumë të drejtë sepse rrenat e tyre kanë qenë më bullafiqe, por respekt edhe për “mjeshtrinë gënjeshtare” të vegjëlisë popullore që rrenën e kanë ngritur në art duke e zbehur kufirin ndërmjet vesit dhe krenarisë.