RCCOLA

Selver Bekteshi, një punëtor i vyer dhe adhurues i librave e i gazetave shqipe…

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Thonë, njeriu njihet për fije e jo për hije. Pse jo? Nga fjalët e para të bisedës, njeriun (mikun, shokun etj.,) e njeh sa vlen. S’ka me njeriun! Ai është vlerë e veçantë në botë. Ai dhe vetëm ai e ndryshon botën. I jep shije jetës e punës. Pra, NJERIU, është hijeshija e botës. Ai është Zot i natyrës. Është AI që ka bërë e po bën çudira të shumta për vete dhe për të tjerë. Në vazhdën e kësaj jete i takon edhe Selver Bekteshi, një punëtor i vyer i një kohe dhe adhurues i librave e gazetave. Jo vetëm kaq.

Edhe Selver Bekteshi është një frymor si krejt të tjerët. Ai, sot jeton dhe, jeta e tij ka rrëfime të “këndshme”, por edhe krenare. I gëzohet jetës dhe punës që ka bërë. Sa herë bëhet fjalë për të kaluarën e një kohe, ai nuk heziton duke rrëfyer ato pjesëza të historisë me të dhëna e fakte të përjetuara kohe. Pra, jeta e tij është një histori në vete. Kur ai rrëfen për të kaluarën, na duket se ky rrëfim i tij s’ka të ndalur. Herë, herë, biseda e tij ka emocione. Pse jo? Kjo “histori” e kaluar e tij i ka hyrë në gjak dhe nuk e harron dot. Nuk i harron ato heçamet e familjes. Ato janë pjesë të historisë së familjes së tij plot dhimba e krenari e jetës së tyre.

Selver Bekteshi është i lindur në vitin 1942 në fshatin Muhovc, rrethina e Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Muhovc, ndërsa shkollën e mesme e kreu në. Shkup. Kjo ka qenë një shkollë e industrisë, drejtimi i mineraleve.

Në një bisedë rasti, Selver Bekteshi, tash në pension, na rrëfeu “historinë” e familjes së tij. “Po, tha Selveri, -ishin rrethanat kur ne si familje e ndjenim jetën jo sigurtë. Ata që gritnin zërin kundër pushtetit të asaj kohe, ziheshin, likuidoheshin apo burgoseshin. Andaj, në vitin 1955 prindi ynë është shpërngulur nga Muhovci dhe ka shkuar në Maqedoni, në një paralagje Llopatë, vend afër Kumanovës. Aty jemi vendosur, ku prindi, kohë pas kohe, ka menduar për të shkuar në Turqi. Prindi ynë ka pasur probleme me UDB-në e Jugosllavisë, sepse, ky e ka ruajtur veprimtarin e çështjes sonë kombëtare, Gjon Sereçin, në fshatin Muhavc. E kemi ruajtur Gjon Sereçin, atdhetarin tonë, i cili është vendosur në një vend shumë të sigurtë për t’mos e gjetur askush. Ma vonë, duke menduar të ikim nga Muhovci, shtëpinë tonë e kemi shitur, të cilën e ka blerë baba i Shefik Halitit, profesor.

Thonë, kur e kanë prishur atë shtëpi, baba i Shefikut, Ramdani, u ka thënë djemëve se, po ta kisha ditur se është kjo strehimore kaq e sigurtë, nuk do ta kisha prishur gjer në momentin e fundit të jetës. Ajo strehimore ka qenë një kanal me një gjatësi mbi 50 metra nën sipërfaqen e tokës i rregulluar për të dalë m’atanë, te reka. Ky ka qenë një kanal i mbuluar me rrasa guri, e mbi te kanë kaluar e ecur qetë me qerre. Ashtu është planifikuar për një strehimore të jashtëzakonshme për momente të fundit për shpëtim jete. Në atë kohë, pasi isha si fëmijë, prindi ka lëvizur nëpër fshatra dhe u ka thënë bashkëvendësve se, po qe se hapet një birë e minit për Turqi, na duhet të mendojmë për të shkuar në, Turqi, sepse Xhemail Baxhuku ka vdekur nga torturat serbe që i janë bërë atij në burgun e Nishit për Gjon Sereçin. Ky akt barbar është zbuluar dhe populli nuk po e ndjen vetën të sigurt të jetojë në këto troje. Ai pat thënë edhe se, Gjon Sereçin e kanë burgosur në Nish dhe aty ka vdekur. Pra, baba ynë e ka ruajtur Gjon Sereçin, një figurë e madhe e kombit. Kur ka dëgjuar babi për vdekjen e tij (Gjon Sereçi), e ka shitur trollin dhe shtëpinë, vetëm e vetëm për të shpëtuar familjen prej ma të keqës së asaj kohe të rëndë”.

Uji Dea

Selver Bekteshi, tash 76 vjet moshë në pension, shton se, pas kësaj “ngjarje”, familja e tij është vendosur në fshatin Llopatë, që është një paralagje e Kumanovës. “Po, në këtë fshat ka jetuar 47 vjet të plota. Shkollimin tetëvjeçar e kam kryer në Muhovc, ndërsa shkollën e mesme e kam kryer në Shkup, e cila shkollë ka qenë e drejtimit të industrisë së minjerave. Mandej, kam punuar në Entin Gjeologjik të Maqedonisë. Në punë mua më ka pranuar i madhi ekspert, Xhelal Orana, i cili atë kohë ka qenë prefekt i Entit Gjeologjik në Maqedoni. Enti Gjeologjikë në Maqedoni ka qenë vetëm një. Poashtu, një Ent Gjealogjik ka qenë edhe në Sarajevë, ka qenë një edhe në Beograd. Pra, këto Ente Gjeologjike kanë qenë të rralla.

Unë kam punuar në Entin Gjeologjik, ma vonë kam kaluar në Krivo Pallankë të Maqedonisë, që gjendet afër kufirit të Bullgarisë. Në këtë Ent më kanë pranuar vetëm mua. E kam pasur diplomën e kësaj dege të minierave. Kur e kanë shpallur konkursin, që e kanë kërkuar vetëm një person, unë i kam plotësuar të gjitha kushtet dhe më kanë pranuar. Pas pak kohe, e kam formuar ekipin për hulumtimin e minjerave. Në Krivo Pallankë kam vazhduar të punoj deri në pension. Sot, si të gjithë të tjerët, e marrë pension nga Kratova e Krivo Pallankës. Tash e shfrytëzoj pensionin këtu në Kosovë.
Në Gjilan kam ardhur pas luftës së fundit, kah fundi i vitit 2002. Pasi jam ardhur në Gjilan, nuk jam marrë me asgjë. Të shtoj edhe këtë se, kur jam vendosur në Gjilan, kam qenë tepricë teknologjike në Maqedoni etj.

I pyetur se me çka është marrë në jetë, ai na u përgjigj me pak fjalë: “Një kohë jam marrë me shpërndarjen e revistave e gazetave nëpër shkolla tona. Ky ka qenë një hobi imja. Bile, edhe libra të ndryshëm kam shpërndarë. Kam dashur të mos rri duarkryq. Njeriu, sa të jetë gjallë, duhet të punojë. Edhe në këtë kohë të moshuar, merrem me bartjen e librave nga Kosova në Maqedoni dhe anasjelltas. Shokët tanë në Maqedon mi kërkojnë librat e autorëve tanë nga Kosova. Librin dua ta sjelli tek secili njeri që e adhuron. Shih për këtë punë, shumë lexues të librave më falënderojnë për këtë veprimtari. Librat i kam qu edhe në Institutet e Maqedonisë. Mi kanë kërkuar librat dhe, të gjitha që i marri nga subjektet e këtushme, i vulosi prej firmave apo prej shkollave. Ky është hobi im. Më duket se nuk ka të keqe, por njeriut i sjell të mira.

Unë lexoj dhe, leximin e kam pasion. Gjer më tani kam lexuar mjaft libra. Kohës së fundit e kam lexuar monografinë për Shkollën Normale të Gjilanit të shkruar nga Shefik Haliti, po ashtu e kam marrë monografinë e Gjimnazit “Zenel Hajdinit”, të cilën ma ka dhuruar e vulosur drejtori i shkollës në fjalë. I kam lexuar disa vepra të dr. Faik Shkodrës, dhe disa të tjera më të ndryshme letrare e dokumentare.

Kohën e lirë e kaloj më tepër me shokë dhe në shtëpi. Kjo kohë imja kërkon pushim shpirtëror. T’ju tregoj se merrem pak edhe me grrumbullimin e gjëra të vjetra (artefakte). E kam një dhomë me këto artefakte dhe i ruaj këto “sende” me gjelozi. Disa artefakte i blej, por ka prej shokëve që mi sjellin falas. Pra, kjo dhomë me artefakte është një lloj muzeu i vogël, por shumë me domethënie. Unë e jetoj jetën plotësisht të lirë me këto “sende” që fort i pëlqej. Mandej, në muzeun tim kam sende që janë mbi 300 vjet të vjetra. Në muret e korridorit i ruaj disa mirënjohje që mi kanë dhënë gjatë punës sime në Maqedoni dhe këtu. Po ju tregoj se, e kam një mirënjohje nga Tirana, nga Nexhmije Hoxha, grua e E. Hoxhës. Të gjitha këto mirënjohje i kam ekspozuar në korridor të banesë dhe i ruaj me kujdesin më të madh. Dua të vijnë shokët e t’i shohin këto sende që më janë dhënë për punën që kam bërë në një kohë, tonën”, ka shtuar në fund të bisedës, Selver Bekteshi, tash në pension me banim në Gjilan./tefik selimi/rajonipress/