Eko Higjiena

Selimi: Ta votojmë Gjykatën, mos t’bëhemi makusha!

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Petrit Selimi ka thënë se imazhi i Kosovës nuk dëmtohet nga Gjykata Speciale, por nëse injorohen këshillat e miqve të jashtëm. “Imazhi i Kosovës do të dëmtohet nëse bëhemi makusha dhe fusim kokën në rërë duke injoruar këshillat e atyre që bombarduan për 3 muaj rresht Serbinë dhe ndihmuan themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Zv/ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, e sheh të udhës që deputetët e Kuvendit të Kosovës të vendosin pro krijimit të Gjykatës Speciale për trajtimin e krimeve të supozuara nga UÇK-ja. Në një intervistë për Tribunën, ai ka thënë se duhet këmbëngulur që kjo Gjykatë të krijohet nën kornizën ligjore kosovare dhe njëkohësisht të punohet që ky kapitull të përmbyllet një herë e përgjithmonë.

Selimi ka përkujtuar se Serbia i ka dërguar 10 kërkesa zyrtare që OKB-ja t’i gjykojë kosovarët, mirëpo faktori politik vendës ka arritur që Gjykata Speciale të ketë vendin e saj në kuadër të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës. Bashkëpunimi me BE-në, EULEX-in dhe SHBA-të, sipas tij, është shtyllë e orientimit euro-atlantik. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, efekti negativ i refuzimit të Kuvendit do të jetë shumë më drastik se vetë themelimi i Gjykatës.

Tribuna: A mendoni se Kuvendi i Kosovës do të votojë pro zgjatjes së mandatit
të EULEX-it dhe krijimit të Gjykatës Speciale?
Selimi: Kuvendi ka përgjegjësi të japë përgjigje se a dëshirojnë që Kushtetuta e Kosovës të jetë baza e krijimit të Gjykatës Speciale apo do të jetë interpretimi serb i Rezolutës 1244 e Këshillit të Sigurimit dhe kërkesa ruse. Edhe pse pikënisja e Gjykatës që është raporti fantastik-shkencor, ofendues dhe racist i Dick Martyt, akuzat e bëra janë serioze dhe kërkojnë që Kosova të marrë guximin dhe kurajën dhe të ruajë koalicionin strategjik me SHBA-në dhe BE-në. Serbia është munduar ta keqpërdorë këtë rast për ta kthyer Kosovën nën ombrellën e OKB-së, ndërsa Kosova e ka obligim që t’i procedojë dyshimet në sistem kosovar, por me ndërkombëtarët e përfshirë për ta dëshmuar besueshmërinë e proceseve gjyqësore, nëse ka ndonjë proces.

Tribuna: Cilat janë arsyet pse Kuvendi i Kosovës duhet ta votojë themelimin e Gjykatës?
Selimi: Janë disa arsye emocionale për të votuar kundër. Kuptohet se themelimi i një Gjykate që do të merret vetëm me krimet e aluduara shqiptare sipas Dick Martyt, është një hap i rëndë. Kuptohet se qindra miliona euro që do të derdhen në Gjykatë Speciale për të hulumtuar disa banditë të supozuar si dhe një miliardë e gjysmë të shpenzuara nga EULEX-i duken shuma marramendëse për të hulumtuar shqiptarët, kur e dimë se regjimi i vetëm gjenocidal në truallin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore është shteti i Serbisë dhe se qindra pjesëtarë të këtij regjimi kurrë nuk morën as dënimin e duhur dhe BE mbylli sytë mbi pretendimet e fundit që vetë regjimi serb vrau serbët për t’i fajësuar shqiptarët, siç u pa me rastin “Panda” në Pejë. Fakti që Kosova do të krijojë instrument ligjor që Serbia kurrë nuk ka tentuar, duket e gërditshme nga aspekti moral, por politika nuk është çështje morali por interesi strategjik dhe nacional. Interesi strategjik dhe nacional është të punojmë me aleatët që të procedohet në mënyrë të besueshme një seri akuzash të rënda të bëra nga Dick Marty.

Nëse refuzojmë të krijojmë mekanizëm adekuat ndërkombëtar, Serbia dhe aleatët e saj do ta përdorin raportin fantastiko-shkencor të Dick Martyt si argument për ta nxirë Kosovën dhe për të krijuar barazi në mes shtetit kriminel serb dhe individëve të këqij kosovarë – një barazi e pashoq dhe po aq revoltues sikurse barazimi në mes Holokaustit të hebrenjve me bombardimin e Drezdenit nga Aleatët.
Prandaj duhet këmbëngulur që të krijohet Gjykata Speciale nën kornizën ligjore kosovare dhe të punohet që ky kapitull të përmbyllet një herë e përgjithmonë. Serbia ka dërguar 10 kërkesa zyrtare që OKB t’i gjykojë kosovarët por kemi arritur që Gjykata Speciale të ketë vendin e saj në kuadër të sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës.

KKVITI

Tribuna: A do ta dëmtojë themelimi i Gjykatës imazhin e Kosovës?
Selimi: Imazhi i Kosovës do të dëmtohet nëse bëhemi makusha dhe fusim kokën në rërë, duke injoruar këshillat e atyre që bombarduan për 3 muaj rresht Serbinë dhe ndihmuan themelimin e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës. Të jemi të qartë: themelimi i Gjykatës Speciale është përgjigje e tentativave të një konspiracioni me elemente ballkanike por edhe ndërkombëtare që të destabilizohet Kosova. UDBA serbe është e përfshirë në sajimin e një pjese të akuzave të Dick Martyt dhe Këshilli i Evropës ka rënë në grackë. Por synimi ka qenë gjithmonë që ky rast ta shkatërrojë besueshmërinë e udhëheqësisë kosovare – ta lënë Kosovën pa “kokë politike”. Prandaj edhe krijimi i një Gjykate Speciale me prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë është përgjigjja e duhur që mbyll këtë sulm sovranitetit tonë. Serbia ka investuar shumë mund në shkatërrimin fizik të Kosovës dhe sulmet e njëpasnjëshme propagandistike por në fund ka dalë historikisht dhe do të dalë dështake me projektet sinistre – që nga koha e Apisit dhe Rankoviqit e deri tek Arkani, Guri dhe Ulemeku. Akuzat e Martyt janë tentativa e fundit serioze për ta destabilizuar Kosovën. Marrëveshja e Brukselit ka stopuar sulmet e tilla të pacipa. Mirëpo, mos të harrojmë se viktima ka pasur edhe tek civilët serbë dhe ne si shoqëri duhet të ofrojmë ngushëllim dhe drejtësi për familjarët, pavarësisht propagandës serbe. Ka edhe nëna serbe që kërkojnë bijtë e tyre që nuk kanë pasur asgjë të bëjnë me luftën antishqiptare.

Tribuna: Çfarë efekti do të ketë themelimi i kësaj gjykate në procesin e njohjeve të pavarësisë?
Selimi: Bashkëpunimi me BE-në, EULEX-in, SHBA-në është shtyllë e orientimit tonë euroatlantik, prandaj efekti negativ i refuzimit të Kuvendit do të jetë shumë më drastik se vetë themelimi i Gjykatës. Ata që dëshirojnë Kosovën të “shkurorëzuar” me SHBA dhe BE e që është kryesisht një pjesë e mbeturinave millosheviqiane si dhe një pjesë e të djathtës ekstreme evropiane që bashkëpunon me elementet serbe, do të hidhnin valle nëse Kuvendi i Kosovës nuk e voton vazhdimin e mandatit të EULEX-it dhe themelimin e Gjykatës Speciale. Njohjet e kanë ritmin e vet por liberalizimi i vizave dhe MSA-ja si dhe hapat e mëvonshëm integrues do të rrezikoheshin.

Tribuna: A do të ndikojë në çështjen e anëtarësimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë?
Selimi: Themelimi i Gjykatës Speciale do t’i përshpejtojë proceset e anëtarësimit sepse do të reflektojë një Kosovë të pjekur që nuk i frikësohet drejtësisë. Ne kemi çdo të drejtë të themi se paragjykimet e Dick Martyt janë neveritëse. Ai ka gënjyer edhe më herët kur ka akuzuar Kosovën se është bazë e CIA për burgosjen e radikalëve islamikë. Është vërtetuar nga një raport i mëvonshëm se Kosova s’ka pasur asnjë rol në “rendition të CIA”. Marty ka qenë vokal kundër pavarësisë së Kosovës por pohimet e tij kanë marrë vulën e Këshillit të Evropës, prandaj ne pikë së pari duhet ta përdorim themelimin e Gjykatës që të anëtarësohemi mu në KE. Në dekadat në vijim, nuk mund të themelojmë Gjykata sa herë dikush të gënjen për Kosovën, prandaj na nevojitet ombrella e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Tribuna: A ka strategji Qeveria e Kosovës për mënyrën se si do të prezantohet kjo gjykatë në mediet ndërkombëtare?
Selimi: Deklaratat e Kryeministrit Thaçi dhe liderëve të politikës së jashtme si ministri Hoxhaj, Çitaku, etj., janë reflektim i porosisë që duhet prezantuar. Kosova refuzon edhe më tutje pohimet e Martyt por nuk frikohet të ftojë partnerët dhe aleatët që bashkërisht të hidhet dritë mbi disa nga akuzat bizare të Dick Martyt. Do ta shihni se shumëçka që është shkruar nga ai, do të dalë gënjeshtër, por Prokurori Special Clint Uilliamson mund të ketë zbuluar raste të krimeve shqiptare që duhet proceduar dhe duhet dëshmuar në atmosferë ët besueshme në një shtet të jashtëm, por me ligj të Kosovës.

Tribuna: A mendoni se zhvillimet rreth Gjykatës Speciale do të kenë efekt në zgjedhjet e ardhshme nacionale?
Selimi: Gjykata është projekt mbipartiak dhe kërkon dy të tretat e Kuvendit. Mund të ketë zëra aty-këtu që tentojnë ta ngjyrosin vendimin politikisht, por populli i Kosovës e di se kush çka ka bërë në këto vitet e fundit dhe e kupton rëndësinë e partneritetit me SHBA dhe BE. Ata që e urrejnë Thaçin aq shumë sa janë pajtuar edhe me Dick Martyn si mjet sulmi si dhe ata që kanë arsye t’i frikësohen drejtësisë, do të mundohen ta destabilizojnë sistemin kushtetues të Kosovës duke përdorur Gjykatën Speciale si argument për debate zgjedhore.