Sektori i rinisë për herë të parë me buxhet të veçantë!

Nga Veton Nevzati – I informojmë të gjithë ata që nuk e posedojnë informacionin e mjaftueshëm se rregullimi i pjesëmarrjes dhe i aktiviteteve rinore në nivel nacional si dhe në atë lokal në Republikën e Kosovës është i rregulluar me Ligjin për Rini, respektivisht nga katër udhëzimet administrative që burojnë nga ky ligj.
Komuna e Gjilanit bazuar në këtë rregullativë ligjore tashmë ka proceduar dhe ka krijuar strukturën organizative në aspektin e implementimit të Ligjit dhe U. A.
Sektori i rinisë në kuadër të D. R. K. S ka vazhduar të kultivojë një bashkëpunim të mirë me të gjitha OJQ-të lokale që kanë në fokus rininë dhe në mënyrë të veçantë me KVRL (Gjilan) dhe Qendrën Rinore .
Në nivelin lokal po realizojmë programet zhvillimore për rini ashtu siç parashihet me këtë ligj, prandaj edhe jemi komuna e parë që kemi hartuar edhe rregulloren komunale për subvencionimin e aktiviteteve në kulturë, rini e sport, duke qenë komunë avangarde në implementimin e dokumenteve ligjore edhe në fusha tjera.
Komuna e Gjilanit po tregon performancë të mirë në relacion me institucionet tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare. Si rezultat i kësaj qasje në këtë vit do të jemi pjesë e implementimit të disa programeve për të rinjë siç është edhe ai që do të realizohet në bashkëpunim me UNDP-në, i cili ka të bëjë me zgjerimin e kapaciteteve të komunës për shfrytëzimin dhe përmirësimin e informacionit modern me të rinjtë në nivel të komunës.
Të gjitha organizatat e të rinjve, klubet dhe shoqatat që janë aktive në Komunën e Gjilanit në mënyrë të përhershme kanë pasur përkrahjen materiale dhe profesionale në të gjitha aktivitetet e tyre rinore. Kjo natyrisht përkon edhe me programet dhe politikat zhvillimore që ka Komuna e Gjilanit bazuar në legjislacionin ne fuqi për të cilën jemi vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Parlamentar, i cili ka bërë monitorimin zbatimit të ligjit për të rinjtë nëpër komuna.
Është shumë e rëndësishme të theksohet se ne poashtu jemi komuna e parë në Kosovë që kemi draftuar edhe projekt Rregulloren Komunale për Vullnetarizmin e të Rinjve në Komunë e cila po procedohet në Kuvendin e Komunës për miratim. Kjo rregullore do t`i jap vlerën reale angazhimit vullnetar të të rinjve në komunën tonë.
Këtë vit për herë të parë Komuna e Gjilanit ka siguruar një buxhet të veçantë i cili do t’i dedikohet aktiviteteve rinore.
Padyshim që krijimi i mundësive më të mëdha për të rinjtë është angazhim i përhershëm i komunës dhe në këtë kuadër janë të mirëseardhur gjithë të interesuarit që mund te japin kontributin e tyre. Falë angazhimit të përbashkët të të gjithë akterëve rinor në Komunën e Gjilanit ne tash u ofrojmë të gjithë të rinjve shumë mundësi administrative dhe strukturore për të bërë punë të dobishme në shoqëri.
(Autori është drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte në Gjilan)